E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse nuk duhet të jetë 20 shkurti Dita e Kujtesës

Besim NDREGJONI*

Mbas zbulimit të një grope në Linzë të Dajtit,ku mendohet të jenë ...trupat e qytetarëve kundërshtarë të regjimit komunist të pushkatuar pa gjyq, duket në aparencë të jashtme që politika (falë mediave) u sensibilizua dhe filloi aksionin politik në vëmendje të gjetjes së eshtrave të pushkatuar nga regjimi diktatorial, dhe i vëmendjes ndaj kujtesës dhe krimeve të komunizmit. Një grup deputetësh vrapuan në Malin e Dajtit dhe dhanë deklarata për këtë krim makabër që kishte bërë terrorizmi komunist ndaj qytetarëve të pafajshëm apo viktima, siç i quan politika shqiptare aktuale; realisht, këta nuk i vrau tërmeti, apo ndonjë veprim natyror që mund t'i quajmë viktima, i vrau shteti diktatorial pa gjyq dhe u humbi dhe varrin për më shumë se dhjetëra vite. Sigurisht, të sensibilizohesh dhe të dënosh krimin është detyrë morale, njerëzore, qytetare, që duhet të bëjë çdo shqiptar ndaj këtij makrabiteti çnjerëzor që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare nga diktatura e krimit komunist gjatë 45 viteve. Por çfarë solli ky sensibilizim: Kryeministri Berisha, deklaroi, "Demokracia shqiptare nuk mund të ndërtohet mbi varre", një deklaratë e fuqishme për të vërtetën historike të këtij tranzicioni shqiptar, por dhe një vëmendje e respekt dhe ndihmë ndaj familjarëve të vrarë që kanë 20 vite që i kërkojnë këto eshtra, duke ju drejtuar pushtetarëve të regjimit komunist, të cilët (paradokse të tranzicionit) janë dhe sot në të gjitha funksionet e këtij shteti demokratik si në drejtësi, politikë, Qeveri e Parlament. Përgjigja e tyre heshtje, shteti hesht, arkivat e krimit mbahen të mbyllur, dhe familjarët e të zhdukurve kërkojnë që t'u ndërtojnë një varr e të jenë të qetë me detyrimin njerëzor që kanë ndaj prindërve, motrave, vëllezërve të vrarë. Ne ish-të përndjekurit politikë e përshëndetëm deklaratën e të nderuarit Kryeministër dhe deklaratën sensibilizuese të politikanëve deputet, për të vënë të vërtetën në vend që 35% e popullsisë që kanë pjesëtarë të vrarë dhe të burgosur, të vdekur nëpër burgje apo të internuar nga diktatura, që nuk u janë gjetur eshtrat të ndihmohen nga politika shtetërore t'i gjejnë dhe të kenë qetësinë shpirtërore për të vërtetën e hidhur që ka ndodhur në vendin tonë. Kemi 20 vite që u kërkojmë qeverive të gjenden eshtrat e të vrarëve nga diktatura, por qeveritë kanë heshtur; kemi kërkuar të dënohen krimet e komunizmit, politika ka heshtur; të ngrihet memoriali i krimit komunist në vendin ku ishte statuja e diktatorit; politika, pushtetet kanë heshtur. .. Janë organizuar dy konventa kombëtare për dënimin e krimit komunist, por vetëm premtim, dhe asgjë ndaj këtij dënimi. Aprovohet një rezolutë nga Parlamenti me kërkesën e Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, si organizata më e madhe e të përndjekurve, me Qendrën e Rehabilitimit të Traumës dhe të Torturës, bazuar në rezolutën e K.E. për dënimin ndërkombëtar të krimeve të komunizmit, dhe ajo rezolutë në vend që të zbatohet, politika e ka arkivuar në zyrat e Parlamentit dhe nuk e zbaton.
Dje, mediat dhanë vendimin e Qeverisë të aprovuar dhe nga komisioni i ligjeve, që dita e kujtesës do të jetë "20 shkurti", dita kur u rrëzua statuja e diktatorit Enver HOXHA, (Paradoksi i politikës, ai ka dekoratën Hero i Popullit, dhe Parlamenti nuk ja heq.) ditë në të cilën nuk pati asnjë viktimë. Ky ishte lajmi mediatik për kujtesën, në sinkron politika kishte organizuar një protestë me 30 veta, nga të ashtuquajtura "shtatë shoqata të përndjekurish", por që ishin katandisur në një grumbull prej 30 vetash, kundër Gjykatës Kushtetuese të udhëhequr nga drejtori formal i një Instituti shtetëror të integrimit të përndjekurve, që prej 10 vitesh ky institucion nuk ka bërë asgjë për të përndjekurit. Ky drejtor i pushtetit kishte dalë në protestë kundër një institucioni të shtetit ku ai shërben. Por pse bëhej kjo protestë, dhe ky demonstrim, pa asnjë motiv që t'i shërbente kauzës së të përndjekurve politikë. Institucioni kushtetues ku bëhej protesta, anëtarët e saj kishin mandatin e Parlamentit dhe ishin të zgjedhur po nga Parlamenti. Këta anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë mbi një muaj që u kanë mbaruar mandatet dhe presin zëvendësimin nga Parlamenti dhe shumica e tyre dalin në pension. Ata, do të marrin pensione të majme. Vetëm njëri, nga këta anëtarë të kësaj gjykate, merr pension baras me pensionin e 10 ish-të burgosurve politikë. Që të protestosh para Parlamentit, i cili i ka zgjedhur këta anëtarë të kësaj gjykate, është e drejtë dhe më se normale, këta anëtarë nuk duhet të ishin për 10 vite në atë organ kushtetues, që me vendimet e tyre gjyqësore në diktaturë kanë pushkatuar qytetarë, të cilëve edhe sot nuk u gjinden varret, është më se e drejtë.
Të protestosh ndaj tyre në kohën ku ata kanë dalë në pension, ky është një banalitet që politika shqiptare e përdor për interesa e veta. Protesta nuk u përkrah nga shumica e të përndjekurve politikë që aderon në Shoqatën Mbarëkombëtare që drejtohet nga legjenda e qëndresës kundra komunizmit, heroi i burgjeve ADEM AllçI. Ishte një bllof, protestimi përpara një organi që ka mbetur i përgjysmuar nga që i kanë mbaruar mandatet. Politika donte që ish të përndjekurit politikë të ishin dakord me datën e 20 shkurtit si dite e kujtesës. Kjo ishte në fakt manovra politike për të caktuar atë datë si ditë kujtese.
Dihet botërisht që Shqipëria ka një bilanc tragjik të pushkatuarish nga diktatura në proporcion me numrin e popullsisë. është e logjikshme që një shtet demokratik, i cili ka dalë nga një regjim diktatorial të ketë ditën e kujtesës së tij. Si shembull kemi Izraelin, i cili mbas holokaustit nazist, i mbështetur nga të gjitha vendet demokratike botërore, e ka shpallur ditën e 27 janarit si ditën e kujtesës, në përkujtim të çlirimit nga kampi i Aushvicit dhe të rënies se diktaturës naziste.
çfarë po ndodh me politikën shqiptare për ditën e kujtesës? Me ditën e kujtesës është marrë edhe Partia Socialiste kur ishte në pushtet. Në vitin 2004, me një vendim qeverie ishte caktuar 27 janari si ditë kujtese. Politika e majtë donte që me këtë datë të fshinte nga memoria e kombit ditën e kujtesës së holokaustit komunist në Shqipëri. Por asnjëherë nuk ishte në gjendje që ta deklaronte nga që e dinte reagimin e komunitetit të përndjekurve politike dhe sensibilizimin e tyre.
Pse nuk duhet të jetë data 20 shkurt si ditë e kujtesës? Dhe pse nuk pranohet nga të përndjekurit politikë?
Së pari. Data e 20 shkurtit 1991, është një datë e madhe e revoltës së qytetarëve të Tiranës që i dha goditjen më të fuqishme simbolit të diktaturës. Megjithëse mbrohej me dhjetëra dekrete të diktatorit Ramiz Alia, që ta shpëtonin statujën e përbindëshit Enver Hoxhës në mes të kryeqytetit.
Qytetarët e Tiranës, pa u udhëhequr nga politika, me ndërgjegjen e tyre kombëtare i dhanë forcë Partisë Demokratike si partia e pare opozitare, që s'kishte as 2 muaj që ishte krijuar, e hodhën statujën e diktatorit. Kjo ditë është e popullit kryeqytetas. Askush nuk ka të drejtë t'ia heqë këtë vlerë kombëtare dhe historike popullit të Tiranës. Kjo ishte dita e fitores e një populli që tregoi urrejtjen më të madhe ndaj simboleve të diktaturës dhe pushtetit të saj, duke ja tërhequr zvarrë simbolin partisë së punës komuniste.
20 shkurti është dita e rrëzimit të simboleve të komunizmit nga populli i mrekullueshëm e demokrat i kryeqytetit. Kjo datë është krenaria evropiane, që i takon vetëm qytetarëve të Tiranës. Ne të përndjekurit politikë shqiptarë, i jemi mirënjohës deri në vdekje popullit të kryeqytetit, që me revoltën e tij na bëri të barabartë me vendet e tjera ish-komuniste në Evropë. Jehona e kësaj proteste madhështore kombëtare u përshëndet nga të gjithë vendet demokratike botërore.
Më 29 nëntor 1944 është data e vendosjes së pushtetit kriminal komunist në Shqipëri, datë kur Shqipëria u vendos nën një diktaturë shumë të egër, që i shkaktoi këtij populli mijëra tragjedi njerëzore.
Kjo do të ishte data më e përshtatshme për t'u vendosur si dita e kujtesës së kombit shqiptar. Kjo datë ka mbi 65 vite që e mban këtë shoqëri të ndarë dhe konfliktuale. Parlamenti dhe Qeveria duhet të marrin mendimin e të përndjekurve politikë, të shoqërisë civile; të bëjnë një debat transparent që dita e kujtesës të jetë një ditë që të respektojë dhe të memorizojë qëndresën, vuajtjen e mijëra shqiptarëve që u sakrifikuan për të drejta dhe liri njerëzore.
Ata nuk duhet të përdorin aksione politike për të kaluar radhën e për të thënë: ja, ne e caktuam dhe ditën e kujtesës. E vërteta është se deri më sot nuk janë plotësuar detyrimet e përcaktuara nga normat ndërkombëtare ligjore dhe morale, as nga shteti e as nga shoqëria. Edhe sot, ish të persekutuarit politikë, ashtu si në atë kohë jetojnë në kushte të vështira. Ndërsa fajtorët dhe ata që nuk duhet të kenë ndërgjegjen të qetë, komunistët e thjeshtë, mbështetësit e regjimit, shkrimtarë e artistë, publicistë, historianë e pedagogë etj. etj., jo vetëm nuk lejojnë asgjë për të lehtësuar vuajtjet e sotme të mbijetuarve, vuajtjet e fëmijëve dhe vuajtjet e gjithë të afërmeve të demokratëve të parë, ata të paktën duke zbardhur të vërtetën, të heqin baltosjen, por në të kundërtën nuk u mjafton as heshtja. Duan të zhysin në errësirë krimet, imoralitetin, çnjerëzoren, servilizmin, dyfytyrësinë, mungesën e personalitetit dhe dinjitetit të tyre, gjithçka që ishte aq e shëmtuar, aq e neveritshme, aq çnjerëzore për njeriun e arsimuar ose jo, për qytetarin evropian të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të. Por duan të ruajnë historinë, siç e kanë shkruar, duan të ruajnë mitet e krijuara prej tyre, duan ta mbajnë shoqërinë shqiptare të indoktrinuar; megjithëse ishin "skllevër" dhe bujkrobër, ata mendonin se ishin më të lirët dhe më të lumturit në botë! Dita e kujtesës duhet të jetë ditë e reflektimit, e respektit dhe e dashurisë njerëzore. Të përndjekurit politikë shqiptarë kanë shumë ngjarje dhe ditë që mund t'i caktosh si " DITë KUJTESE" qysh nga viti 1944, kur u vranë intelektualët në Tiranë, kryengritjet e para antikomuniste, të Postribës e Malësisë së Madhe, dënimi i deputetëve dhe grupeve kundërshtare të viteve '46, masakra e bombës sovjetike në vitin '51, e thyerjes të burgut të Burrelit në vitin '67, revoltat e Spaçit në vitin '73 dhe të Qafëbarit në vitin '84, e vrasjes së poetëve të Librazhdit në vitin '77, varjes së poetit Havzi Nela në vitin '88 dhe deri tek vrasjet makabre në kufi në '90. Pra nuk mungojnë ngjarjet, por duhet vullnet dhe ndërgjegjësim qytetar për ta përcaktuar të vërtetën siç është, se ajo na qetëson, lartëson dhe fisnikëron si shoqëri dhe komb.
*Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare dhe Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›