Rama: Hetim kutive, e lejon Kushtetuta
Aristir Lumezi
Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi dje si një tjetër progres pozitiv të betejës së opozitës deklaratën e djeshme të Presidentit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Joae Soares, për hetim kuvendor të zgjedhjeve në respekt të Kushtetutës. "Hetimi i plotë i zgjedhjeve, do të thotë hetim i pakushtëzuar sigurisht bazuar mbi Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka interpretuar dhe i ka dhënë formë të qartë çështjes së hetimit parlamentar në tërësi", tha Rama dje gjatë një takimi me gazetarët në përmbledhjen politike të javës. I pyetur nga gazetarët për fatin e mandateve të deputetëve socialistë, Rama tha se 6 marsi është një ditë e zakonshme dhe nuk shënon asnjë përfundim të afatit të mandateve për deputetët socialistë.
"Për sa i takon datës 6 mars, nuk është një datë e shënuar. Për mua është një datë e shënuar si gjithë të tjerat, si 6 prilli apo 6 dhjetori", u shpreh Rama. Më pas, kreu socialist ka paraqitur argumentet që sjell vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me hetimin e zgjedhjeve nga komisioni hetimor parlamentar. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama tha se në vendim është shprehur forma më kuptimplotë e përgjigjes për atë që ai e cilësoi "dilemë të ngritur enkas nga ana e pushtetit, thjesht për të shmangur hetimin parlamentar të plotë dhe të tërësishëm." Rama tha se e drejta për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve është e legjitimuar. "Hetimi ynë parlamentar synon dy drejtimet kryesore; nxjerrja e përgjegjësive për deformimet në procesin e administrimit të votës dhe nxjerrja e konkluzioneve për përmirësimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor", tha Rama, teksa lexoi para gazetarëve vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Rama cilësoi si alibi pretendimin e Partisë Demokratike në pushtet se opozita po kërkon të hetojë vendimin e gjykatës. "Nuk po hetojmë vendimin e gjykatës, ky është karrem që ka hedhur qeveria. Ne nuk kemi paraqitur asnjëherë dhe në asnjë rast pretendimin për të hetuar një vendim gjykate. Qysh në krye të herës kemi njohur rezultatin e zgjedhjeve. Në rast se nuk do njihnim rezultatin e zgjedhjeve nuk do të njihnim as Qeverinë as Parlamentin, por do ishim në kushtet e një lëvizjeje antipushtet. Referimi i vazhdueshëm ndaj vendimit të gjykatës është truk i Qeverisë, për të shmangur hetimin e zgjedhjeve", u shpreh Rama. Kryesocialisti tha dje se opozita nuk është tërhequr nga opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. "Pa as më të voglin dyshim që ne nuk jemi tërhequr, përkundrazi, po punojmë përditë për të afruar zgjedhjet në Shqipëri", tha Rama.