Përse nuk qetësohet fitimtari?
Kryeministri Berisha u shfaq dje në publik për të neutralizuar lajmin e keq që Bashkimi Evropian kumtoi për një shtyrje të mundshme të shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për BE, pasi të shqyrtohet raporti përfundimtar i procesit zgjedhor. Me tone të ndryshme nga herët e tjera, më i "butë" me opozitën dhe më "modest" me bilancin e zgjedhjeve, duke mos deklaruar "asnjë të humbur", kryeministri u përpoq dje të nxitonte i pari për të zhurmuar një zë që kërkon nga të gjithë ne të dëgjohet qartë.
Ajo çfarë hetohet në këtë sjellje tinëzare të kryeministrit nuk është qasja e tij ende elektorale me Brukselin, por problemi real që ai ndjen në këto raporte. Sali Berisha nuk është i detyruar të na gënjejë sërish për liberalizimin e vizave brenda vitit 2009, se as na duhet, as ia kërkojmë më. Sali Berisha nuk është i detyruar të na gënjejë me aplikimin brenda vitit 2009, se as na duhet, as bëhet. Sali Berisha nuk është i detyruar të na gënjejë me standardin e zgjedhjeve, se e pamë se diktoi politikisht rezultatin gjatë procesit të numërimit. Sali Berisha nuk është i detyruar të na shpallë koalicion suksesi aleancën e tij me Ilir Metën, pasi nuk kemi asgjë të paqartë për të dy. Sali Berisha nuk është i detyruar as të na japë shpresë se kur do të marrim ndonjë përgjigje optimiste nga Evropa, pasi nuk ka çfarë na duhet më as ne, as atij. Gjithçka nga këto sjellje hipokrite vlenin para 28 qershorit dhe ai i bëri të gjitha. Tashmë nuk ka më arsye të merret me këto gjëra, nuk ka më arsye të jetojë në alarm se ç'po thotë për të Evropa, nuk ka më nevojë të marrë me të mirë opozitën. Ç'kishte për të bërë ndaj vendit, opozitës dhe Bashkimit Evropian, e bëri. Më të keqen e mundshme që kishte në dorë. Tashmë ky alarm i tij i ri është befasues. Njeriu që ka arritur përmes gënjeshtrave, dhunës, parave të pista, miqësive me trafikantët më të mëdhenj të vendit, aleancës me "Klanin e Zemunit", koalicionin me njerëzit që i ka akuzuar si babëzi e kombit, të riqëndrojë në pushtet, nuk ka arsye të jetë kaq i alarmuar. Bilanci i luftës së tij pa principe është më në fund i suksesshëm dhe kryeministri duhet të jetë më i relaksuar.
E pashë dje në mbrëmje që ende nuk ishte i qetë për atë bilanc që e arriti me aq shumë luftë dhe pa asnjë parim. E pashë gati të hakërryer duke kërkuar paqe dhe të tmerruar duke bërtitur që kishte fituar. E pashë duke u përpjekur të na mbushë mendjen se Bashkimit Evropian nuk i ka ngelur qejfi me gjithë atë bilanc joparimor dhe antiperëndimor të zgjedhjeve të tij. E pashë dhe nuk e kuptoj, pse ky njeri nuk qetësohet dhe nuk i gëzohet dot fitores së tij. Nuk e kuptoj dot pse nuk arrin së paku të shtiret si fitimtar, edhe pse nuk është.
Nuk jam i sigurt se çfarë e mundon, por një gjë shihet qartë dhe lexohet në çdo fjalë dhe gjest të tij. Ai më mirë se opozita jonë e mbushur me axhaminj, e di ç'ka bërë me këto zgjedhje, e di se si po ri-kurorëzohet dhe nuk është i qetë. Ai më mirë se kushdo tjetër në Bashkimin Evropian, e di sa larg standardeve të shtëpisë evropiane është, dhe duhet të nxitojë të bëjë sikur s'ka asnjë keqkuptim. Ai më mirë se çdokush që shpreson të investojë dhe jetojë në këtë vend e di se nevoja për të fituar e ka shtyrë drejt krimit të shkatërrimit të buxhetit tonë dhe katastrofa është në prag. Ai s'i beson dot vetes që ka mbetur në pushtet dhe nuk di si ta rikthejë qetësinë e humbur. Dhe ky duhet marrë si lajm i mirë, pasi së paku ende kupton.