Përse po na rrëshqet toka
Që prej fillimit të këtij viti, raportimet për rrëshqitje toke janë bërë thuajse të përditshme. Shtëpi, ura e rrugë që shemben, shkolla që rrezikojnë jetë fëmijësh, biznese që shkatërrohen... Njerëzit drejtojnë sytë nga shteti për ndihmë, kërkojnë dëmshpërblime dhe marrje masash për parandalimin e fenomenit. Por cila është përgjegjësia e strukturave shtetërore për çka po ndodh dhe cilat janë mundësitë reale për të ndërhyrë? Specialistët e gjeologjisë kanë një përgjigje të qartë: Janë fenomene natyrore. Por shteti nuk është dorëjashtë në gjithë këtë: Nëse është e pamundur të parandalosh rrëshqitjet, është krejtësisht e mundur t’i evidentosh ato dhe të parandalosh dëmet ekonomike, duke disiplinuar ndërtimet.
çerçis Durmishi, Shkëlqim Daja dhe Shaqir Nazaj, pedagogë në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, na japin një ide të qartë për çka po ndodh, pse po ndodh dhe si mund të shmangen në të ardhmen dëmet prej rrëshqitjeve të tokës.
Gjeologjia urbane dhe planifikimi i territoritEkosistemet e sotme natyrore të çdo vendi janë produkt i evolucionit në kohë dhe hapësirë të ndërtimit të tyre gjeologo-tektonik. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë marrin ekosistemet e territoreve ku njeriu dhe komunitetet zhvillojnë aktivitetet social-ekonomike dhe infrastrukturore në nivel rajonal dhe kombëtar.
Rreziku gjeologjik, ku një vend të rëndësishëm zënë dhe dukuritë e rrëshqitjeve të shpateve, tokave dhe masave shkëmbore e dherore, janë aktualisht një shqetësim evident dhe i përvitshëm, sidomos në stinët me reshje të shumta.
Shqetësimi është edhe më i madh, sidomos kur dukuritë e rrëshqitjeve dëmtojnë objekte social-ekonomike në zonat rurale dhe urbane, segmente të infrastrukturës kombëtare rrugore, duke shkaktuar dëme ekonomike me efekte të konsiderueshme financiare.
Shkëputjet e masave shkëmbore janë fenomene natyrore fiziko-gjeologjike që ndodhin nën influencën e forcës së gravitetit dhe që lidhen ngushtë me ndryshimin e vetive fiziko-mekanike të shkëmbinjve, litologjinë, përbërjen mineralogo-petrografike, ose me ndryshimin e gjeometrisë së shpatit. Ato ndodhin si rezultat i veprimit të një bashkësie faktorësh, të cilët veprojnë ndoshta për një kohë të gjatë në një zonë, apo rajon të dhënë.
Nga bashkësia e faktorëve që ndikojnë në qëndrueshmërinë e shpateve (territorit) dallojmë faktorët që favorizojnë lëvizjen, siç janë ndërtimi gjeologjik i një territori të dhënë, relievi, përbërja dhe tjetërsimi i shkëmbinjve, si edhe faktorët që ndikojnë drejtpërsëdrejti në lëvizjen e masave shkëmbore. Në këta të fundit përmendim veprimtarinë e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore, veprimtarinë e faktorëve hidrometeorologjikë, sizmicitetin, ndryshimin e gjendjes së sforcuar në shkëmbinjtë argjilorë, ndryshimin e mbulesës vegjetale dhe veprimtarinë inxhinierike të njeriut. Vërehet qartë se faktorët janë kryesisht natyrorë dhe masat mbrojtëse kundër tyre janë kryesisht zbutëse - i vetmi faktor mbi të cilin mund të ndikojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë është aktiviteti i njeriut. Kjo realizohet duke vendosur rregulla të qarta për planifikimin dhe administrimin e territorit.
Studimi i fenomenit të qëndrueshmërisë natyrore dhe asaj të modifikuar nga veprimtaria e njeriut në gjeologjinë inxhinierike është një problem me rëndësi të madhe praktike dhe teorike.
Duhet kuptuar nga të gjithë, se çdo shkëputje e masave shkëmbore është një dukuri gjeodinamike, që nuk krijohet në momentin e shfaqjes së efektit negativ mbi objektet infrastrukturore, apo social-ekonomike, por si çdo fenomen apo dukuri gjeodinamike, kalon fazat e lindjes, zhvillimit në kohë dhe hapësirë, deri në finalizimin, “shuarjen” përfundimtare të procesit.
Studimet gjeologjike të mëparshme dhe aktuale, të kryera në territorin e Shqipërisë, kanë evidentuar edhe rrëshqitje me “moshë” mbi 100-vjeçare dhe që vazhdojnë të rrëshqasin edhe në ditët e sotme.
Mediatizimi vetëm në rastin e efekteve negative të rrëshqitjeve të truallit apo tokës, në sektorë dhe segmente të ndryshme të territorit të vendit tonë, si dhe marrja e masave emergjente nga pushteti lokal dhe qendror, është një zgjidhje momentale por jo përfundimtare, e cila në shumë raste përsëritet çdo vit, duke rënduar fondet financiare të emergjencave të buxhetit.
Aktualisht, në territorin e vendit tonë janë krijuar disa zona apo segmente me rrëshqitje problematike, të cilat çdo vit harxhojnë burime financiare shtesë, ndërkohë që masat mbrojtëse të përdorura nuk janë efektive. Kështu mund të përmendim segmentin e rrugës nacionale në Dukat të Vlorës, segmentin e rrugës nacionale tek Ujë i Ftohtë në Tepelenë, segmentin e rrugës nacionale në Greshicë të Mallakastrës e deri në atë të vitit të sivjetshëm, në segmentin e rrugës nacionale në Qafë-Plloçë të Pogradecit.
Rreziku gjeologjik, në rastin konkret rrëshqitjet e masave shkëmbore dhe dherave të tokës, është i pranishëm edhe në territore dhe zona natyrore “të virgjëra”, të cilat në të ardhmen mund të jenë objekt i investitorëve për qëllime dhe aktivitete të ndryshme.
Zhvillimet demografike dhe ekonomike, në këto 20 vitet e fundit të vendit tonë janë shoqëruar edhe me ekspansionet e fuqishme të ndërtimeve, si dhe me ndryshimin e peizazheve të territoreve, të cilat kanë shkaktuar ndryshime në ekuilibrin natyror të mjedisit gjeologjik, ose janë vendosur në territore ku fenomenet gjeodinamike janë të pranishme.
Kjo është më shumë evidente në zonat rurale dhe urbane, ku aktiviteti inxhinierik i njeriut zhvillohet, në shumë raste, pa njohur qëndrueshmërinë dhe fenomenet gjeodinamike të truallit. Në këto raste, kur personat apo komunitetet e zonave rurale e urbane, pas ndërtimeve të objekteve social-ekonomiko-kulturore (të cilët investojnë shuma të konsiderueshme financiare) preken nga fenomenet dhe dukuritë gjeologjike, kërkojnë nga pushteti lokal, rajonal dhe ai qendror, dëmshpërblimin financiar të fatkeqësisë “natyrore” të prodhuar me duart e tyre.
Në raste të tilla është urgjente që pushteti lokal dhe ai qendror të kenë në dispozicion studime të menaxhimit të integruar të planifikimit territorial dhe të planifikohen programe apo projekte për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e komuniteteve për miradministrimin e tij. Zhvillimi i qëndrueshëm i një territori lëshon rrënjë kur hapësirat shfrytëzohen, mbrohen me kujdes dhe rigjenerohen, çka është jetësore për balancimin ekologjik të binomit: Natyrë-Njeri.
Degradimi i sipërfaqeve të territoreve nga fenomenet e rrëshqitjeve është një dukuri që progresivisht ka ardhur duke u bërë edhe më serioze. Nga vrojtimet e kohëve të fundit për territorin del qartë se gjendja e disa sipërfaqeve të territorit është veçanërisht alarmante. Disa probleme të rëndësishme, si rrëshqitja e shpateve, erozioni, shpyllëzimet, mungesa e rinovimit të resurseve, humbja e diversitetit biologjik, humbja e tokave, dëmtimi i peizazhit, janë studiuar, por situatat e tanishme kërkojnë rritje të mëtejshme të vetëdijes, si dhe informacione më të plota për Menaxhimin e Integruar dhe Planifikimin e Territorit.
Le të përmendim këtu disa nga territoret që për një periudhë të gjatë janë seriozisht të prekura dhe me efekte negative gjithmonë e në rritje: segmentet e zonave bregdetare dhe kodrave Currila - Porto Romano - Kepi i Palit, struktura antiklinale e Kryevidhit dhe zona bregdetare Reth Greth - Kepi Lagjit -Karpen, struktura monoklinale e Rodonit dhe zona bregdetare Shën Pjetër - Kepi i Rodonit.
Ky proces i vazhdueshëm dhe konstant i përkeqësimit të mjedisit të territoreve të veçantë është gjithashtu një tregues i qartë i pamjaftueshmërisë të përfshirjes dhe marrjes parasysh të studimeve gjeologo-inxhinierike dhe gjeomjedisore, si dhe mungesës së kushteve teknike të përditësuar të projektimit gjeologo-inxhinierik në planifikimet, projektet urbane, si dhe të politikave për planifikimet territoriale.
Legjislacioni aktual shqiptar kërkon kryerjen e studimit gjeologo-inxhinierik, por nuk jep asnjë detaj se çfarë duhet të përmbajë dhe si duhet të realizohet studimi për vepra të caktuara. Kjo ka bërë që në komunitetet e investitorëve të ndërtimit studimi gjeologo-inxhinierik, i kërkuar për kompletimin e dokumentacioneve për marrjen e lejes së ndërtimit të trajtohet në të njëjtin nivel me një dokument administrativ.
Nga pikëpamja shkencore, këto probleme janë të njohura dhe mjaft të avancuara, ndërkohë që në vendin tonë aktualisht janë në fuqi kushtet teknike (KTP) të vitit 1989.
Në kuadrin e programit “INTERREG III A”, Itali-Shqipëri, projekti “TEKNIKA EUROPIANE” ka pasur si objektiv hartimin e një kushti teknik në fushën e studimeve dhe projektimeve gjeologo-inxhinierike.
Pra lind nevoja e hartimit ose adoptimit të kushteve teknike bashkëkohore, të cilat duhet të përcaktojnë teknikat, metodologjitë dhe faktorët që duhen studiuar në funksion të veprës që do të ndërtohet. Kushti teknik duhet të ketë për objektiv krijimin e një klasifikimi të truallit, përkufizimin e karakteristikave kryesore fiziko-mekanike të tij, si dhe kërkesat për kryerjen, interpretimin dhe përdorimin e analizave gjeoteknike në terren dhe në laborator. Qëllimi kryesor i kushtit është mbështetja e projektimit gjeologo-inxhinierik dhe në të njëjtën kohë vendosja e një raporti të drejtë midis investitorëve, specialistëve dhe shtetit.
Pavarësisht kësaj, studimet gjeologjike duhet të sqarojnë proceset dhe dukuritë gjeologjike që lindin gjatë projektimit të ndërtimit dhe shfrytëzimit të objektit inxhinierik dhe të rekomandojnë masat mbrojtëse për ruajtjen e mjedisit përreth.
Për studimin e rrëshqitjeve nevojiten procedura të mirëpërcaktuara, të cilat lidhen me natyrën e rrëshqitjes, përmasat e saj, faktorët në përgjithësi dhe faktorin kryesor në veçanti, që kanë çuar në daljen e shpatit nga ekuilibri.
Në projektimin paraprak, në veçanti për vepra të rëndësishme infrastrukturore, studimet gjeologo-inxhinierike marrin një rëndësi të dorës së parë. Këto studime duhet të sqarojnë problemet që lidhen me paqëndrueshmërinë e shpateve dhe të përcaktojnë faktorin që e shkakton atë, si dhe të vendosin për zgjedhjen e një vendi më të përshtatshëm për vendosjen e veprës.
Në rast se problemet shfaqen pas ndërtimit të veprës, duhet të kemi parasysh se ndërhyrjet stabilizuese kërkojnë shpenzime financiare jashtëzakonisht të mëdha. Ato janë të shumëllojshme dhe varen nga karakteristikat e rrëshqitjes, pra është e vështirë të vendosesh për zgjedhjen e njërës apo tjetrës metodë në qoftë se nuk kryhet një studim i detajuar gjeologo-inxhinierik. Siç shihet, kemi të bëjmë me një rreth vicioz, i cili në të gjitha rastet të çon te nevoja e studimit të detajuar gjeologo-inxhinierik.
Palët e dëmtuara nga rrëshqitjet në shumicën e rasteve kërkojnë t’u jepet direkt masa mbrojtëse. Por a mund të bëhet kjo pa një studim të detajuar?
Studimet e kryera për një periudhë të gjatë në vendin tonë, nga ana e institucioneve të gjeoshkencave dhe rekomandimet e dala prej tyre, kanë evidentuar në shkallë të ndryshme dukuritë dhe fenomenet gjeologjike në territorin e vendit. Në një sërë studimesh kapitale dhe hartografimesh të realizuara nga specialistët e disiplinave të gjeoshkencave, tregohet qartë njohja, evidentimi, studimi dhe dinamika e lindjes, zhvillimit dhe ndikimit negativ të këtyre fenomeneve në territorin e Shqipërisë.
Aktualisht këto institucione zotërojnë një arkiv të bollshëm, i cili mund të shërbejë për një stad të ri studimi dhe përgjithësimi në shkallë më të detajuar në rang kombëtar, rajonal dhe lokal, në bashkërendimin me institucionet e tjera shtetërore dhe private.
Institucionet shkencore të vendit tonë në fushën e gjeoshkencave (Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar) përfaqësojnë një potencial studiuesish dhe ekspertize bashkëkohore për të ndërmarrë studime të thelluara në drejtim të parandalimit të efekteve negative të këtyre fenomeneve.
Pra, ka ardhur momenti që të përpilohet një strategji kombëtare, si edhe ndërmarrja e projekteve të cilët duhet të synojnë zbatimin e metodave dhe instrumenteve bashkëkohorë në studimet e këtij fenomeni.
Qëllimi kryesor i projekteve duhet të jetë transferimi, implementimi dhe optimizmi i metodologjive të studimit dhe klasifikimit të proceseve të rrëshqitjeve në vendin tonë duke u mbështetur edhe në eksperiencën bashkëkohore të vendeve të Komunitetit Europian.
Duke iu referuar eksperiencave bashkëkohore, sipas “Thematic Strategy for Soil Protection”, rrëshqitjet e territoreve përfaqësojnë një nga tetë kërcënimet kryesore për të cilat të gjitha vendet janë të interesuara.
Studimi i detajuar i faktorëve dhe shpërndarja e informacioneve mbi rrëshqitjet ekzistuese në një zonë të caktuar përfaqësojnë një aktivitet shumë të rëndësishëm të parandalimit të rrezikut natyror. Në Itali, këto tema kanë pasur një impuls të fortë që nga viti 1989, kur Departamenti i Mbrojtjes Civile i ngarkoi Grupit Kombëtar për Mbrojtjen nga Katastrofat Hidrogjeologjike të Qendrës Kombëtare të Kërkimeve (CNR) të kryejë regjistrimin e zonave të vendit të prekura nga rrëshqitje dhe përmbytje për periudhën 1918-1990.
Përveç ekzistencës së institucioneve qendrore në fushën e gjeoshkencave, bazuar në përvojën dhe eksperiencën e vendeve europiane është domosdoshmëri ngritja dhe strukturimi i degëve rajonale të gjeologjisë urbane në rang qarku, prefekture dhe bashkie, të cilat do të japin kontributin në menaxhimin e potencialeve të pasurive natyrore dhe miradministrimit të territorit, sipas specifikave dhe kushteve fiziko-gjeografike e gjeologjike përkatëse. Në këtë kuadër theksojmë se ekzistojnë mangësi institucionale dhe ligjore.
Ekspertiza e gjeoshkencave duhet të bëhet një institucion i domosdoshëm për të gjithë përdoruesit e mësipërm, gjë që do t’ua presë rrugën abuzimeve të mundshme. Për të realizuar vendimmarrje efektive për menaxhimin e integruar të planifikimeve territoriale, ku ndërthurja e shkencës me politikat duhet të jetë edhe më e ngushtë. Kjo kërkon një komunikim më intensiv ndërmjet vendimmarrësve dhe ekspertëve shkencorë të disiplinave të ndryshme. Shprehja “integrim-shkencë-menaxhim” do të thotë se njohuritë shkencore duhet të jenë të menaxhueshme nga vendimmarrësit.
Bota shkencore në asnjë mënyrë nuk duhet të ndahet nga bota e politikave. Roli kryesor i shkencëtarëve është që t’u japin hartuesve të politikave njohuri objektive e të sakta, pa hyrë në debate për to. Në këtë aspekt, shkenca mund të zhvillojë, verifikojë, vlerësojë dhe të kalibrojë studimet.
Aplikimi i vizionit të botës moderne në raport me gjeoshkencat është: studimet dhe projektet në fushën e gjeoshkencave janë të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të një vendi. Instancat e ndryshme shtetërore dhe shoqëria duhet të jenë plotësisht të ndërgjegjshëm në njohjen dhe shfrytëzimin e këtij informacioni.
Prof. dr. çerçis DURMISHI
Dr. Shkëlqim DAJA
Prof. dr. Shaqir NAZAJ
Universiteti Politeknik i Tiranës,
Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave