Shkodër, uji hyn në periferi të qytetit
Uji nis të pushtojë qytetin e Shkodrës. Përmbytja e ditëve të fundit ka krijuar probleme serioze në lagjet periferike të qytetit. Situata paraqitet mjaft shqetësuese në zonën e Livadeve dhe në periferi të lagjes “Tophanë”.
Aktualisht uji ka hyrë brenda banesave, duke përmbytur zonën për të dytën herë brenda pak javësh. Banorët ndihen të frikësuar dhe kërkojnë që institucionet shtetërore të kujtohen për ta. Një prej banoreve të zonës, Zoje Mria, shprehet: “Kam frikë të jetoj brenda në shtëpi. Uji ka arritur 30 cm dhe sa vjen dhe rritet. Muret e shtëpisë kanë marrë të çara që nga përmbytja e parë dhe presim kur të shembet e gjithë shtëpia. Ende askush nuk ka ardhur të na pyesë se çfarë halli kemi, apo çfarë duhet të bëjmë. Kërkojmë ndihmën e shtetit, pasi sërish jemi në gjendje të vështirë”.
Ndërkohë, në brendësi të zonës së Nënshkodrës, uji vazhdon të jetë në nivel mjaft të lartë. Për pasojë, rruga për në Komunën e Dajçit është e pakalueshme, ndërsa në Komunën e Velipojës mjetet e vogla e kanë të pamundur të kalojnë për shkak se uji ka pushtuar rrugën.
Në zonën e Nënshkodrës gjatë ditës së djeshme ka pasur një tendencë të uljes së nivelit të ujit. Kështu, në rrugën nacionale të Shkodrës dhe në rrugën te harku i Bërdicës nuk ka prezencë uji. Një ditë më parë në këto akse, e në veçanti te harku i Bërdicës, kalimi ishte i pamundur.
Autoritetet njoftojnë se mbeten nën ujë rreth 5350 ha tokë dhe 108 shtëpi, ndërkohë që në 723 shtëpi uji është afruar pranë oborreve. Pavarësisht tendencën së uljes së nivelit të ujit, në brendësi të zonës së Nënshkodrës situata vazhdon të mbetet problematike. Fermerët e zonës ankohen se këtë radhë përmbytja erdhi shumë shpejt dhe pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të papërgatitur dhe nuk kanë pasur kohë të braktisin shtëpitë. Ndërsa shtabi i emergjencës në Shkodër pohon se pavarësisht situatës së krijuar, çdo gjë është nën kontroll. Mjetet e ushtrisë dhe policisë janë në brendësi të zonave të izoluara, duke qëndruar në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje për banorët. Ndërkaq, banorët e zonave më të rrezikuara, Obotit dhe Shirqit, kanë nisur të evakuohen.
#