Përse portreti i Gentit dhe jo i Pirros në kartëmonedhat e reja?
Portreti i Gentit në prerjen 2000 lekëshe ?!! E pse nuk vunë portretin e Pirros ? Është e natyrshme që në monedhat tona të vendosim figura të shquara të historisë sonë, por padyshim mbreti Gent ka qenë shumë më poshtë se Pirroja.
Mehdi Frashëri, për shembull, në librin e tij " Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve", shkruan midis të tjerave, jo pa ironi, citoj në faqen 302, “Genti, gjithë këtë turp e fatkeqësi e hoqi për 10 tallane, që i kish paguar mbreti i Maqedonisë”, e më tutje, midis të tjerave thuhet se ky mbret kishte arrestuar dhe dy ambasadorët e Romës.
Ndërsa duke lexuar faqet që zotëria i mësipërm, bashkë me librat që shumë të tjerë kanë shkruar për Pirron e Epirit, ndien krenari dhe dashuri për personalitetin dhe veprën e Pirros. Pirroja ishte një figurë shumë e rëndësishme që nxori toka ilire dhe më i madhi pas Lekës së madh në trojet ballkanike.
Është pikërisht kjo arsyeja që edhe grekët, me ngulm përpiqen që Pirron, po ashtu si Aleksandrin e Madh, ta paraqesin si grek. Historia jonë, me fakte e ka treguar përkatësinë ilire të Pirros dhe theksimi i kësaj përkatësie, qoftë edhe me paraqitjen e portretit të tij në një kartëmonedhë, mendoj se i shërben shqiptarizmës.