E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier:Vrau për hakmarrje, dënohet 16 vjet burg Konda

Gjykata e Fierit dënoi me 16 vjet burg të pandehurin Kostandin Konda, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me dashje për motive të dobëta”, të parashikuar nga neni 84/a të Kodit Penal. I pandehuri nuk e ka pranuar për asnjë moment këtë akuzë, duke pretenduar pafajësi dhe duke sjellë provat e tij se nuk është autor i kësaj vepre penale. Sipas burimeve nga akuza, ngjarja ka ndodhur më 16.08.1993 në lagjen “15 tetori” të qytetit Fier, në orët e vona të mbrëmjes, ku është qëlluar me armë gjahu shtetasi Bashkim Hamitaj. Menjëherë pas plagosjes, ky shtetas është shoqëruar për në spitalin rajonal të qytetit Fier nga forcat e policisë, ku në datën 18.08.1993 ka vdekur si pasojë e goditjeve të marra. Në datë 13.11.1993, organi i prokurorisë bazuar në nenin 97/2 të Kodit të Procedurës Penale në fuqi ka vendosur pezullimin e hetimeve të këtij procedimi penal, pasi nuk u arrit të zbulohej autori. Ky procedim ka mbetur i pezulluar deri në datën 28.02.2008, kur me vendim të Prokurorit të Rrethit është shfuqizuar vendimi i pezullimit të kësaj çështjeje, duke u urdhëruar rifillimi i hetimeve të regjistruara si procedim penal nr. 192 i vitit 2008. Për këtë vepër penale u dyshua shtetasi Kostandin Konda, i cili u arrestua në shtetin grek dhe u ekstradua për llogari të drejtësisë shqiptare. Rezulton se motivi i ngjarjes ka qenë një konflikt i rreth dy muajve para krimit, mes nipit të viktimës, shtetasit Altin Bode, dhe shtetasit Kostandin Konda, ku ky i fundit e ka qëlluar dhe i ka dëmtuar nipin e viktimës, Altin Bode, fakt ky që ka irrituar viktimën dhe familjaret e tij, pasi nipi ishte jetim dhe ishte rritur në familjen e tyre. Për këtë arsye ai është shprehur se do të merrte hak dhe, siç rezulton nga dëshmitë e dhëna para gjykatës, është konfliktuar dhe madje e ka qëlluar të pandehurin me kaçavidë në trup, rreth dy muaj përpara ngjarjes. Si pasojë e këtij konflikti, i pandehuri i ka zënë pritë dhe ka qëlluar viktimën, Bashkim Hamitaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›