E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë gjen me shkelje 20 prokurorë

23/02/2009  Në organin e akuzës kryeqytetase priten ndëshkime në radhët e prokurorëve

TIRANË – Ministria e Drejtësisë përfundon kontrollin në Prokurorinë e Tiranës. Burime pranë kësaj ministrie bëjnë të ditur se raporti ka vetëm pak ditë që ka përfunduar dhe ende nuk është koncentruar. Po të njëjtat burime theksojnë se inspektorët që kanë kryer kontrollin janë duke përpiluar fazën e fundit me qëllim daljen në një raport të vetëm. Raport Kontrolli do të dalë shumë shpejt nga zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, edhe pse përfaqësues të këtij dikasteri shprehen se puna ka qenë voluminoze dhe duhet kohë për t’u përpiluar në një të vetëm. Burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë sqarojnë se inspektorët kanë kryer kontrolle të imtësishëm për një numër të madh dosjesh, të cilat janë në hetim dhe për ato dosje që kanë përfunduar hetimi paraprak dhe ai gjyqësor. Bëhet e ditur se nga kontrolli i ushtruar janë gjetur me shkelje rreth 20 prokurorë. Mirëpo burimet theksojnë se nuk janë në gjendje në këto momente të përcaktojnë shkallën e vërtetë të shkeljeve pa përfunduar raporti i gjithë. U interesuam për këtë problem arritëm të mësojmë vetëm faktin se kontrolli ka përfunduar dhe se shkeljet e konstatuara nga prokurorët kanë qenë të rënda. Raporti përfundimtar do të shkojë fillimisht në duart e ministrit të Drejtësisë, i cili pati të drejtën për ta urdhëruar kontrollin edhe pse mes shumë diskutimesh. Sipas burimeve të sigurta në ministri, bëhet e ditur se shkeljet kanë qenë më të rënda për sa i përket respektimit të procedurave hetimore, afateve të hetimit, dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Janë gjetur shkelje të rënda në respektimin e afateve të hetimit. Kështu prokurorët, sipas një pjese të raportit, ende të papërpiluar janë treguar neglizhent në hetimin e disa çështjeve duke bërë të tejkalohen afatet procedurale dhe të mosrespektohet ligji. Një kontroll i imtësishëm është bërë edhe për dosjet e quajtura të pezulluara dhe ato të mbyllura për shkaqe nga më të ndryshmet. Inspektorët kanë vënë re se një pjesë e dosjeve të mbyllura nuk mund të ishin të tilla, në rast se do të hetohej me kujdes. Megjithatë, pjesë të raportit nuk bëhen plotësisht të ditura deri në momentin kur vet ministri Enkelejd Alibeaj të dalë në konferencë dhe të deklaroi shkeljet e vëna re gjatë inspektimit. Inspektimi në Prokurorinë e Tiranës ka filluar që në muajin tetor të vitit 2008.

Përfundon kontrolli i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës. Burime pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se janë gjetur me shkelje rreth 20 prokurorë, të cilët shumë shpejt do të japin llogari për to. Kontrolli i detajuar ende nuk është përpiluar në një raport përfundimtar.

Që në momentin kur numri një i Ministrisë së Drejtësisë dha urdhër për kontroll, kundërshtimet kanë qenë të shumta. Kontrolli, sipas burimeve, nisi menjëherë pas plasjes së skandalit të quajtur “Fazlliç”. Por Ministria e Drejtësisë e rrëzoi këtë alibi të nxjerrë nga organi i akuzës.

Sipas ministrit, urdhri për të kontrolluar Prokurorinë është dhënë shumë kohë para se ky organ të fillonte hetimet për Damir Fazlliçin. Shumë jurist e kundërshtuan nismën e ministrit për të kontrolluar Prokurorinë, megjithatë ai u shpreh se i është përmbajtur ligjit të dalë në vitin 2001 që i jep të drejtën për të kontrolluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›