E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alket Rizai, përsëri i “lë targën” policisë helene

23/02/2009  E ulin helikopterin në autostradë dhe largohen më pas me dy motorë të fuqishëm

Shqiptari së bashku me shokun Vasilis Paleokostas kanë përsëritur skemën e arratisjes

ATHINE – Alket Rizai ose siç njihet nga të gjithë mediat greke me nofkën “Mafiozi shqiptar i rrezikshëm”, ka sfiduar për të dytën herë masat e sigurisë në një nga burgjet e sigurisë së lartë që ndodhet në Greqi. Mund të duket e pabesueshme, por realisht është e vërtete. Ripërsëritja e arratisjes spektakolare ka ndodhur pikërisht në një burg të sigurisë së lartë, në ambientet e të cilit mësohet se është ulur një helikopter dhe në një kohë rekord, ai pasi ka marrë në bordin e tij shqiptarin e njohur Alket Rizain dhe shtetasin grek Vasilis Paleokostas, është ngritur përsëri duke sfiduar për të dytën herë dhe lënë pa mend rojet e burgut dhe gjithë policinë greke.

Arratisja

Gjithçka është përsëritur. Kështu raportonin mediat helene lajmin e arratisjes hollivudiane të shqiptarit Alket Rizai dhe shokut të tij grek Paleokostas. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 sipas orës lokale, kur një helikopter u ul në oborrin e burgut ku vuante dënimin shqiptari nga qyteti i Ballshit. Fillimisht gardianët nuk i kushtuan rëndësinë e duhur, duke menduar se ishte helikopter i policisë, por pasi kanë vërejtur se në të kanë hipur dy të burgosur, atëherë forcat e sigurisë kanë qëlluar në drejtim të helikopterit, po nuk kanë mundur ta ndalojnë arratisjen e shqiptarit, që për të dytën herë i “la targën” policisë helene. Mësohet se pas arratisjes helikopteri është ulur në një autostradë në veri të Athinës, nga e cila Alket Rizai dhe shtetasi grek Vasilis Paleokostas së bashku me bashkëpunëtorët e tyre janë larguar në drejtim të paditur. Dy motorë me fuqi të madhe ishin mjetet që ndihmuan të arratisurit dhe bashkëpunëtorët e tyre, të zhduken në drejtim të paditur. Aktualisht policia helene ka pohuar se ka mundur të gjejë helikopterin, ndërsa për sa i përket gjurmëve të motorëve dhe të Alket Rizait apo shokut të tij grek, policia deklaroi se nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tyre.

Hetimet

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila ka tronditur policinë helene, kjo e fundit ka filluar hetimet intensive për të zbardhur skemën e plotë të arratisjes për të dytën herë të shtetasit shqiptar Alket Rizai dhe Vasilis Paleokostas. Autoritetet greke thanë se të burgosurit janë larguar nga burgu, duke përsëritur të njëjtën skemë që përdorën së bashku, kur ata u larguan nga burgu i Koridalosit në qershor të vitit 2006. Nga hetimet e para del se arratisjen e kanë organizuar disa persona jashtë burgut, të cilët pasi kanë marrë një helikopter me qira e kanë detyruar pilotin të ulet në ambientet e burgut, ku ndodhej shtetasi shqiptar. Sipas raportimit të medias helene, bashkëpunëtorët e shqiptarit ende nuk janë identifikuar nga policia greke, por ekspertët dyshojnë se ata janë anëtarë të një organizate kriminale greko-shqiptaro. Nisur nga kjo situatë autoritetet greke shprehen se banda ka shpenzuar shumë kohë, për të nxjerrë jashtë qelive dy shokët e tyre të rënë në burg. Mësohet se Vasilis Paleokostas është vëllai i personit më të shumëkërkuar më Greqi që quhet Nikos Paleokostas. Në fakt që të dy vëllezërit Paloekosta konsiderohen si personat më të rrezikshëm në Greqi. Policia helene tha se helikopteri privat është marrë me qira në Shën Kozma. Piloti kishte leje vetëm për fluturim lokal përgjatë hapësirës qiellore të Athinës. Kur u ngrit në fluturim, dy rrëmbyesit e kërcënuan pilotin me armë dhe granata dore, duke e detyruar ti nënshtrohej planit të tyre. Policia greke tha se nuk mund të kapte në radar helikopterin që kreu arratinë, pasi është i një sistemi ??-?F-?? për shkak të ultësisë së kryerjes së fluturimit në ajër. Ndërkohë u mësua se në kohën e arratisë, në ajër ndodheshin edhe helikopterë, pjesa më e madhe e të cilëve të sistemit të sigurisë “Rali Akropolis”. Nga hetimet është provuar se javën e kaluar bashkëpunëtorët e dy të arratisurve kanë kryer një udhëtim “provë” me helikopter në qiellin e Athinës.

Djaloshi nga Ballshi, që u bë kriminel

Kush është shqiptari i njohur Alket Rizai

Shqiptari Alket Rizai, 32 vjeç nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit, konsiderohet po kaq i rrezikshëm sa edhe dy vëllezërit helenë. Emigrant prej vitesh ne Greqi, Rizai vuante dënimin për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Për rreth një muaj e gjysmë u përpoq 35-vjeçari, Alket Rizai ti shpëtonte policisë greke në vitin 2003. Një person që sipas mediave greke ishte kryetari i një grupi mafioz që rrëmbente persona apo vriste. Dhe pikërisht akuzohet për vrasjen e një të riu grek, elektricistit Athanas Koropioti për ti marrë të dashurën këtij të fundit, një vajzë nga Rusia. Vlen të përmendim se për arrestimin e tij u mobilizuan 10 policë të forcave speciale dhe 15 të grupit të sigurimit. U rrethua pra një ditë të prillit të 2003-it në shtëpinë e një shqiptari tjetër, miku të tij i quajtur Elvis Mullishi, i cili e fshihte. Gjatë operacionit i kërcënonte policët grekë kur i kërkuan të dorëzohej se do tu hidhte bomba. Më pas u përgjigj me kallashnikov, se shtëpia ku rrinte ishte si një depo armësh. Pasi e pa se nuk mund të ikte u dorëzua. Akuzohet përveç vrasjes dhe trafikut të drogës edhe për ndihmën që i ka dhënë një të shumëkërkuari për tu arratisur nga i njëjti burg ku ndodhej edhe ai deri të dielën pasdite. Akoma nuk dihen lidhjet e tij me vëllezërit Paleokosta.

Arrestimi i Rizait në shtator të 2006-s

Në shtator të vitit 2006 arrestohet në shtetin helen shqiptari Alket Rizai. Sipas stacionit televiziv grek NET, policia greke ka arrestuar në një zonë bregdetare jashtë Athinës shtetasin shqiptar, Alket Rizai, i cili kishte ikur nga burgu i Koridhalos me një helikopter, tre muaj më parë. Sipas burimeve të policës greke, Alket Rizai është gjetur në një vilë dykatëshe dhe strehohej atje nga një kushëri i vet që prej tre muajsh. Në banesë u gjetën një granatë, një pistoletë dhe një automatik tip UZI. Në operacion u angazhuan mbi 30 forca speciale të policisë greke. Siç u shprehën burimet policore, gjatë arrestimit të Alket Rizait pati shumë kujdes se kishin frikë se mos qëllohej drejt policisë dhe se mos merrej edhe ndonjë peng prej tyre. Kur u futën në banesë, Alket Rizai menjëherë në përballje me policinë greke tentoi të merrte një granatë që e kishte atje pranë, por policia e neutralizoi menjëherë atë. Bashkë me Alket Rizain policia greke bëri edhe arrestimin e kushëririt të tij, duke e akuzuar atë si strehues të tij. Sipas policisë, mësohet se Alket Rizai për të humbur gjurmët nga policia greke, kishte ndryshuar luk, kishte lënë mjekër dhe kishte lyer flokët e tij duke i transformuar nga ngjyrë të zezë më parë në ngjyrë biond. Policia greke në konferencën e saj për shtyp tha se, ishte një sukses i madh për të që pas tre muajsh mundi të bënte arrestimin e shumë të kërkuarit Alket Rizai. Ky i fundit akuzohet për një sërë veprash penale në Greqi si dhe për arratisje nga burgu. Arratia spektakolare e tij u shënua më 2 qershor të vitit 2006. Pas dy orë kërkimesh forcat e policisë kanë mundur të gjejnë të braktisur helikopterin rreth 55 km larg Athinës, në lokalitetin Sisto. Pak më vonë janë gjetur edhe dy motorët të braktisur, për të cilët mendohet se janë përdorur prej të arratisurve nga burgu grek në Koridhalo.

Arrestimi i Paleokostas më 21 gusht 2008

Në gusht të 2008-s arrestohet në Greqi, Vasilis Paleokostas, i burgosuri i cili u arratis në mënyrë spektakolare me helikopter së bashku me shqiptarin Alket Rizai në qershor të 2006-s. Paleokostas është dënuar për rrëmbimin e një biznesmeni grek në vitin 1999. Sipas televizioneve greke, Paleokostas u arrestua në Suroti, në Greqinë veriore, së bashku me një person tjetër. Më parë policia greke kishte arrestuar dy anëtarë të tjerë të bandës si dhe një person, i cili posedonte kartëmonedha me shenjë që ishin dhënë për lirimin e biznesmenit të rrëmbyer. Mësohet se shuma e parave që është paguar për mjetin fluturues, sipas hetimeve është paguar nga një grup miqsh të shqiptarit, Alket Rizai, që mbahej në të njëjtin burg me grekun e arrestuar. Arratisja ndodhi në vitin 2006 pasi të akuzuarit kishin përgatitur planin për një periudhë kohore të paktën dy muaj. Ata arritën të largohen nga qelitë në kohën kur helikopteri ndaloi në ambientet e brendshme të burgut, pasi ishte maskuar si mjet shtetëror. Policia dhe gjykatat greke kishin lëshuar 44 urdhra arresti ndaj Vasilis Paleokostas me akuzat e vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda. Ai u përfshi në listën e të shumëkërkuarve pas arratisjes nga burgu bashkë me vëllain e tij dhe shqiptarin Alket Rizai. Organizatori i arratisjes ishte i vetmi që kishte arritur ti shpëtonte arrestimit pasi Alket Rizai dhe i dënuari tjetër ranë në pranga disa ditë pasi kishin arritur të largoheshin nga burgu. Policia greke filloi atëherë një aksion kombëtar kërkimi për të arratisurit. Burgu në të cilin mbaheshin të dënuarit klasifikohet si një nga institucionet e sigurisë së lartë megjithatë plani i përgatitur nga të dënuarit ka funksionuar sipas parashikimeve të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›