E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve, kapen në flagrancë 5 persona

23/02/2009  Po transportonin drejt Greqisë një grup shtetasish, në këmbim të 2 mijë eurove për secilin

VLORE- Në orët e para të mëngjesit të djeshëm policia e Vlorës në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, Tiranë ka bërë të mundur arrestimin e 5 personave, të cilët prej kohësh ishin dyshuar për trafik klandestinësh.

Trafiku dhe arrestimet

Nga hetimet e kryera grupi hetimor i ngritur për çështjen ka bërë të mundur zbardhjen e linjës së trafikut të klandestinëve në detaje dhe njëkohësisht prangosjen në kushtet e flagrancës së 5 shtetasve. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Vlorës, janë arrestuar Q. Dautaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Dukat dhe banues në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Vlorës, E. Demaj, 31 vjeç, lindur në fshatin Velçë e banues në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, A. Rako 44 vjeç, lindur e banues në fshatin Mursi të Sarandës, D. Dalipaj, 34 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Sarandë dhe Simon Kato 47 vjeç nga Vlora.

Të pestë këta persona janë kapur teksa po çonin klandestinë në afërsi të kufirit tokësor me shtetin grek, linjë që sipas bluve ndiqej nga ky grup. Nga hetimet ka rezultuar se klandestinët vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, transportoheshin me shoqërues në Sarandë, ku akomodoheshin në hotele, e më tej me autobusë i afroheshin kufirit tokësor grek. Sipas policisë, transporti drejt Greqisë i klandestinëve kryhej kundrejt pagesës prej mbi 2 mijë eurosh për person. Policia ka prangosur pesë personat, ndërsa ka shoqëruar edhe klandestinët, ndaj të cilëve janë marrë masa e gjobës dhe më tej janë lënë të lirë. Si prova material policia ka mundur të sekuestrojë tre automjete, një numër të konsiderueshëm aparatesh celularë dhe një sasi parash prej rreth 6 mijë eurosh. Të pestë personat tashmë janë në paraburgimin e Vlorës ku do të presin gjykimin për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e cila parashikohet në nenin 298/3 të Kodit Penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›