E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritja

Edmond Tupja 

“Përsëritja është nëna e dijes – thoshim një herë e një kohë, kur ishim gjimnazistë, këtu e dyzet e kusur vjet më parë, sa herë jepnim provime; pastaj shtonim me humor thumbues: – ...dhe babai i mërzisë”. Sigurisht që e tepronim ca dhe unë nuk e di çfarë thonë gjimnazistët e sotëm për përsëritjen si teknikë të mësuari, sepse tani metodat e mësimdhënies kanë ndryshuar e theksi vihet jo aq te kujtesa e te stërvitja e saj sesa tek arsyetimi e te forcimi i tij. Di se edhe në Francë, kur isha student atje, thuhej, nganjëherë me shpoti, që “Përsëritja është shpirti i mësimdhënies”, por aktualisht edhe atje gjërat kanë ndryshuar shumë. Gjithsesi, sot, në rubrikën time, nuk do të merrem me këtë lloj përsëritjeje, por me një tjetër. Po shpjegohem:
Gjatë fushatës së tanishme zgjedhore, më rastis shpesh të shoh, gjatë emisioneve të lajmeve në këtë apo atë kanal televiziv, këtë apo atë lider partie të mbajë fjalime apo ligjërata, që i përcillen teleshikuesit në mënyrë të pjesshme. Natyrisht, secili shprehet sipas mënyrës së vet, me argumentet dhe në stilin e vet, duke prekur temat e ditës, duke analizuar të tashmen e duke premtuar për të ardhmen. Këto kohët e fundit, kam hequr përgjithësisht dorë nga zbërthimi logjik i brendisë së fjalimeve apo ligjëratave në fjalë, për t’u marrë më shumë me një tipar të përbashkët të mënyrës së tyre të të shprehurit të oratorëve, pavarësisht se cilës parti i përkasin. Ky tipar është pikërisht përsëritja, sigurisht me qëllime aspak pedagogjike, por retorike në shërbim të strategjisë e të taktikave të tyre politike, ku demagogjia e populizmi janë jo rrallëherë të pranishëm.
Kështu, vërej se politikanët e niveleve të larta, si majtas ashtu edhe djathtas (por, herë pas here, pak më shumë majtas sesa djathtas), e përdorin sistematikisht përsëritjen në disa drejtime me dominante le të themi aktoriale: së pari, në gjeste – ky apo ai lider partie më kujton Leninin në tetor 1917, me lëvizjet e duarve në gjysmëlartësi, me vështrimin e përqendruar përpara, por në një pikë të papërcaktuar, pa përpëlitje qepallash e pa dridhje qerpikësh, tek flet nga tribuna e lartë para turmave entuziaste, të magnetizuara; ky apo ai lider tjetër partie, më sjell deri diku ndër mend Musolinin me lëvizjet gjysmë të ngrira të kokës e me çerekrrotullimet e trungut; dikush tjetër akoma – gjithmonë nga soji i liderëve politikë – më kthen shumë prapa në kohë, me palëvizshmërinë e tij, tek aksh perandor romak të përjetësuar në mermer; së dyti, në mimikë – ky apo ai lider partie më kujton, me lëvizjet e buzëve, me ngritjen e vetullave, hapjen e gojës e deri te lëmimi i flokëve me dorë, aksh anëtar të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së; madje, edhe mes politikanëve të rinj, ka nga ata që shkërbejnë (me “b” e jo me “dh”) idhujt e tyre karizmatikë, të dikurshëm a të sotëm, të brendshëm a të jashtëm, të gjatë a të shkurtër, zeshkanë a leshverdhë, hetero a homoseksualë, ç’rëndësi ka. E shihni, pra, se sa rrënjëthellë na qenka mekanizmi i përsëritjes te politikanët e sotëm shqiptarë?
Së treti, ky tip përsëritjeje del në pah me tërë forcën e vet në çastin kur nis e shpështillet zinxhiri zanor i fjalimeve apo i ligjëratave të liderëve të partive shqiptare. Po t’i dëgjoni më me kujdes, duke u përqendruar jo te përmbajtja, por te mënyra e të shprehurit, do të vëreni se ata përdorin pa pikë kursimi anaforën, pra, rimarrin të njëjtën fjalë apo të njëjtin togfjalësh, të njëjtën strukturë morfosintaksore – ose sinonime të tyre, për t’u dhënë fjalimeve apo ligjëratave më shumë patetizëm në mënyrë që dëgjuesit të mallëngjehen, të entuziazmohen, mundësisht të marrin zjarr duke e lënë veten t’i rrëmbejë rryma e lavës së vullkanit ditirambik që shpërthen nga goja e numrit NJË, DY apo TRE të partisë, çka i largon dëgjuesit, tashmë të tjetërsuar, nga analiza e ftohtë e brendisë, nga arsyetimi i paanshëm e nga gjykimi i pavarur.
Sipas mendimit tim, përdorimi i shpeshtë i mekanizmit të përsëritjes me qëllim retorik nga liderët e tipeve të lartpërmendur, i  zbraz, për ata që dëgjojnë jo vetëm me veshë, por sidomos me tru, fjalimet e ligjëratat e tyre nga lënda kuptimore, duke krijuar përshtypjen e bezdisshme të asaj që në frëngjishte quhet “déjà vu” (d.m.th. diçka që tashmë e kemi parë ose, në rastin tonë, dëgjuar një, dhjetë, një mijë herë), dhe kjo deri në mbingopje, deri në velje dhe ndoshta më tej.
Në këtë kuadër, sikur sot të kisha qenë gjimnazist, pa diskutim që do të kisha thënë, duke vërejtur bombardimin që na bëjnë mediat me fjalime apo ligjërata liderësh partiakë: “Përsëritja qenka nëna e trullosjes dhe babai i neverisë!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›