Itali, kapet i kërkuari për vrasjen në Shkodër
Policia italiane arrestoi dje shqiptarin e kërkuar për një vrasje në Shkodër, i cili qëndronte në Itali me dokumente të falsifikuara si shtetas bullgar. "Astrit Barsaku u arrestua mbrëmjen e së premtes në Forli, Emilia Romanja të Italisë", thuhej dje në agjencitë e lajmeve të vendit fqinj. Sipas këtyre burimeve, 21-vjeçari ishte ndaluar nga uniformat e policisë për një kontroll rutinë të dokumentacionit. Por shoqërimi i tij deri në komisariatin e policisë, nxori në pah dokumentet e falsifikuara të identitetit. Ndërkohë që, sjellja nervoze e shqiptarit çoi deri në zbardhjen e identitetit të tij të vërtetë dhe faktit që ai akuzohej për një vrasje të ndodhur gushtin e vitit të kaluar në qytetin e Shkodrës. Të dhënat e para të policisë treguan se shqiptari kishte hyrë ilegalisht në Itali si klandestin.
"Gjithçka ka nisur kur ekstrakomunitari është ndaluar nga agjentët e policisë për një kontroll në parkun 'Giovanoli' në rrugën 'Montessori", citonte dje një nga agjencitë elektronike italiane të lajmeve në Itali. Pasi i ka ndaluar patrullës mësohet se i riu ka u ka pohuar atyre se ishte shtetas bullgar dhe se nuk kishte mjet identifikimi me vete. Në të tilla kushte punonjësit e policisë e kanë shoqëruar në komisariat. Atje 21-vjeçari ka treguar një dokument bullgar, i cili pas verifikimeve rezultoi i falsifikuar. I vënë me "shpatulla pas murit" i riu ka treguar identitetin e tij të vërtetë Astrit Basraku dhe shtetësinë shqiptare. Sipas burimeve, shenja të forta nervozizmi në sjelljen e të riut kishin bërë përshtypje tek uniformat e policisë. Në vijim autoritetet italiane kanë komunikuar me përfaqësinë e tyre diplomatike në Tiranë, si edhe me zyrën e Interpol Tirana. Pas kontaktit është marrë vesh se 21-vjeçari akuzohej nga drejtësia shqiptare për një vrasje. Sipas burimeve, Basraku kishte vrarë me thikë pas një grindjeje për motive të dobëta, shtetasin B.L. Ngjarja kishte ndodhur në gusht të vitit të kaluar në qytetin e Shkodrës, ndërsa 21-vjeçari ishte larguar pas ngjarjes në Greqi e më pas në Itali duke i shpëtuar policisë. Bëhet e ditur se kanë autoritetet shqiptare kanë nisur proceduarat ligjore për ekstradimin e të riut nga Italia në Shqipëri. ar.ba.