E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI udhëheq fushatën

Edmond Haxhinasto* 

 Jemi tri javë larg nga zgjedhjet dhe, në një situatë normale zgjedhore, duhet të ishte piku i debatit politik mbi alternativat qeverisëse të forcave që konkurrojnë. Kryesisht në drejtim të analizës së realizimeve të premtimeve të 2005-ës të maxhorancës aktuale, por veçanërisht, në drejtim të analizës së hollësishme të çdo premtimi zgjedhor që bëjnë palët kundërshtare dhe prezantimit të programeve respektive. Në vend të kësaj shohim se debatin politik e ka monopolizuar “beteja” e vonuar për kartat e identitetit, (është ngritur si problem nga LSI tre vite më parë) debat i cili tashmë po trajton edhe vetë opsionin e pjesëmarrjes ose jo të një pjese të opozitës në zgjedhje më 28 qershor. Ndërkohë disa media kanë paragjykuar, ndoshta edhe shitur, formatin e debateve televizive ku duhet të jenë dy partitë e vetëquajtura të mëdha për të bërë “duelet” e tyre programore. Partitë e tjera nuk pranohen. Ato duhet të dalin në një “ring” tjetër më të vogël, me frikën se racionaliteti dhe përgjegjshmëria e propozimeve të tyre mund të sfidojnë hapur ato të “të mëdhenjve”. Nuk ka asnjë dyshim se debati mediatik i kësaj fushate është seria e fundit e telenovelës me filozofinë dypolariste të Kodit Zgjedhor për të amplifikuar artificialisht dyshen PD-PS. Shqetësuese duhet të jetë për partitë në përbërje të koalicioneve të PD e PS, pasi identiteti i tyre politik dhe mbijetesa e këtyre partive tashmë është sakrifikuar në këmbim të një mandati parlamentar për kryetarët e tyre. Nuk thuhet asnjë fjalë për propozimet e tyre programore. Rroftë mandati i deputetit për kryetarin! Ndërkohë LSI që në muajin prill ka filluar paraqitjen publike të programit të saj. Zhvilloi një sërë turesh në qytete e fshatra të ndryshme të vendit për Planin e saj për Veprim në sektorët e bujqësisë, arsimit, shëndetësisë etj. Në muajin maj paraqiti prioritetin e saj kryesor, Punësimin. Për ta nënvizuar si prioritet absolut tha se «3 prioritetet kryesore të saj ishin punësim – punësim - punësim”, dhe shpalli se objektivi i saj i realizueshëm ishte të hapte 100 mijë vende të reja e të qëndrueshme pune. Ndërkohë e djathta e Berishës tregoi edhe një herë se vazhdon me të njëjtën filozofi të qeverisjes 4-vjeçare, sipas të cilës vetëm prioritete nuk ka. Asortimentet e ofruara prej saj variojnë nga përsëritja dhe amplifikimi i premtimeve të pambajtura të 2005-ës, si “24 orë ujë për çdo familje”, në rekrutimin e kompanive të huaja për reformën në shëndetësi, apo në identifikime sektorësh prioritarë në mëngjes, si turizmi, ujërat apo çdo gjë tjetër, që mund të ndryshohen deri në darkë. Dhe një nga këto gjëra që i vjen në mendje kryeministrit ishte -siç deklaroi në muajin maj pasi dëgjoi për 100 mijë vendet e LSI – krijimi i 300 mijë vendeve të reja të punës. Një tjetër parti e majtë që çështjen e procesit 3-vjeçar të hartimit të programit, konsultimet për të, por edhe numrin e faqeve e ka bërë pjesë të rëndësishme të diskursit të saj politik, paraqiti edhe ajo tre prioritetet e saj programore, bujqësi, arsim, shëndetësi. Shpejt pas përcaktimit të këtyre prioriteteve, por shumë vonë pas LSI, nuk foli më për to, por iu kthye punësimit, si prioritet kryesor, duke deklaruar se do të hapte 197 mijë vende pune, veçse nuk u dha asnjë shpjegim se në ç’mënyrë do t’i realizonte. Mesa duket, duke ndjerë se shifrat e punësimit nuk mund të trajtoheshin si shifrat në lojën e kungulleshave, Berisha e përgjysmoi premtimin e tij të parë, duke propozuar tashmë 160 mijë vende të reja pune, shifër që për hir të së vërtetës nuk e ka ndryshuar më. Ndërkohë, dy ditë më parë, nënkryetarja e Partisë së Berishës dhe Kryetarja e Kuvendit, u shpreh në një miting elektoral se tre prioritetet kryesore të PD-së janë punësim, punësim, punësim! Po të mos e kisha dëgjuar në sinkron zonjën në fjalë, do mendoja se gazetarët kishin ngatërruar kronikën e LSI me atë të PD. Nuk është qëllimi im në këtë shkrim të analizoj prioritetet apo shifrat e premtimeve zgjedhore të partive konkurruese. Por të konstatoj një fenomen shqetësues të kësaj fushate. Ka të bëjë me papërgjegjshmërinë për përgatitjen e ofertës zgjedhore që partitë u paraqesin zgjedhësve, por dhe me paturpësinë për kopjimin e kësaj oferte nga partitë e tjera. Në fakt në çdo vend demokratik normal, ndryshimet radikale të prioriteteve dhe propozimeve elektorale, si ato që përmenda më lart, do të copëtonin besueshmërinë e liderëve apo partive që i bëjnë ato. Më e rëndësishmja, ato do të tregonin paaftësinë me të cilën janë përcaktuar ato prioritete apo llogaritur ato shifra, paaftësi që është premisi kryesor për mosrealizimin e tyre. Në Shqipërinë tonë këto zgjedhje duhet të ndryshojnë steriotipin se qytetarët mund të «gëlltisin» gjithçka çka i ofrohet, dhe se kredibiliteti i forcës politike nuk është përcaktues për fatin elektoral të saj. Ndryshimi i këtij steriotipi do të bëjë që pesha zgjedhore e një partie të varet nga kredibiliteti i ofertës zgjedhore të saj nga serioziteti, përmbajtja dhe përgjegjshmëria e çdo premtimi. Pavarësisht nga rezultati elektoral që do të arrihet në 28 qershor, LSI në këtë fushatë arriti një fitore të madhe politike. Ajo e udhëhoqi axhendën e premtimeve elektorale drejt punësimit, që në fund të fundit, është problemi më i madh që kanë shqiptarët. Kjo do të përcaktojë edhe se kë do besojnë ata për ta zgjidhur këtë problem.
 
* Kryetar i KDK, LSI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›