Mjeku kontrabandë ilaçesh, arrestohet
DURRES - Medikamentet e sjella kontrabandë nga Italia çojnë në pranga një kirurg nga Kavaja. Policia e Durrësit organizoi dje një operacion për arrestimin e Agron Beut, mjek në spitalin e Kavajës. Arrestimi i tij u krye në kushtet e flagrancës rreth orës 16:00, pasi kishte futur përmes portit të Vlorës ilaçe pa pullë, me vlerë totale 10 mijë euro. Mësohet se operacioni finalizoi pas një hetimi disa mujor të policisë së Durrësit. "Agron Beu, sapo kishte mbërritur në Shqipëri nga Italia, vend nga i cili e kishin origjinën ilaçet kontrabandë. Ai po udhëtonte drejt Kavajës, nga porti i Vlorës, në të cilin kishte zbarkuar së bashku me sasinë e ilaçeve", bëri të ditur policia e Durrësit. Kirurgu i Kavajës u ndalua teksa ngiste automjetin tip "Peugot" me targe DL422GV, në bagazhin e së cilës ndodheshin medikamentet. Burime të policisë bënë të ditur se Beu, për një periudhë relativisht të gjatë ishte nën vëzhgimin e shërbimeve të Seksionit të Luftës kundër Krimit Eko-nomik e Financiar të Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Ai kryente shpesh udhëtime në shtetin italian, ku bënte dhe blerjen e ilaçeve, duke përdorur si itinerar, ikjen nga porti i Durrësit për në Itali, ndërsa kthimin e kryente nga Vlora, për të mos rënë në sy. Në cilësinë e provës materiale u bë bllokimi dhe sekuestrimi i mjetit, si dhe të medikamenteve të gjetura në të. Gjithashtu, u krye edhe një kontroll në farmacinë në pronësi të tij në Spitallë, ku u sekuestruan edhe ilaçet e tjera që u gjetën aty. Sipas burimeve, shitjen e medikamenteve në farmaci e kryente bashkëshortja e tij I. Beu. Mjekut iu komunikua dje akuza për veprën penale të "Kontrabandës me mallra të licencuara".