Meksi: Koalicion me PD, por pa Berishën kryeministër
Poli i Lirisë pranon të bashkëqeverisë me PD-në pas 28 qershorit, por pa Berishën kryeministër. Deklarata u bë mbrëmë nga kryetari i këtij grupimi të djathtë, ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, në një intervistë në “Top Story” në Top Channel. “Mund të ketë edhe mënyra të tilla që qeveritarë mund të mos jenë krerët e partive, ka shumë formula që bëhen në këto raste”, deklaroi Meksi. Ish-kryeministri i Partisë Demokratike foli gjithashtu edhe për firmat piramidale, ku tha se në ato vite krize i është dashur të ruante qetësinë. “Unë i kam thënë popullit që të vendosë paratë nëpër banka”, deklaroi Meksi. Megjithatë, kreu i Polit shton se shkak për krizën e vitit 1997 kanë qenë zgjedhjet e përgjithshme të majit 1996.
Cilat janë tre pikat kryesore që njerëzit duhet t’u votojnë ju?
Ka një elektorat i cili nuk ka votuar në shumicën e kohës, ku kam bërë pjesë dhe unë sepse kam thënë, që nuk më pëlqen të zbatohet principi i Stalinit ‘populli të votojë, ne të numërojmë’. Shpresojmë që këtë herë të ketë një numërim më të sigurtë. Ka një elektorat që nuk ka votuar për të djathtën, sepse nuk ka qenë dakord, por s’ka votuar as për të majtën. Unë mendoj se ky elektorat na takon ne, duke u ofruar programe të djathta. Brenda vitit 2009 do zgjidhim në aspektin ligjor përfundimisht procesin e pronave. Këto ditë po shohim që po dalin me nxitim listat e të përndjekurve për vota, është fyerje për atë kategori njerëzish. Ne themi që këto punë mund të zgjidhen. Ne nuk kemi thënë që u kemi zgjidhur punë se u kemi futur në NATO.
Ju thoni që poli mbështet institutin për krimet e komunizmit. Kjo është parashikuar në ligjin që është kaluar...
Po është parashikuar që qeveria të emërojë shkencëtarët që do punojnë në institut, kurse ne themi që kushdo mund t’i studiojë ato krime dhe të jenë të hapura arkivat në qoftë se nuk janë çështje shtetërore, apo çështje privatësie dhe që komprometojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë me vendet e tjera.
Ju angazhoheni për një ligj për krimet e komunizmit, edhe kjo është bërë...
Jo nuk është bërë. Ligji u pezullua. U bë një ligj sipas jo sipas modelit, por për të hequr disa njerëz që krijonin probleme. Ata njerëz që ligji do t’i ndalonte të ishin në parlament, shumë prej tyre janë në ato lista dhe madje në vende të sigurta. Jo në një parti, por për shumë parti.
Si parashikoni ta zgjidhni mish-mashin e pronave?
Ligi 7501 do përfshihet në një ligj të ri. Ka prona të lira dhe nuk i merr dot njeri. 800 vetë kanë marrë pronat në 4 vjet.
Ju jeni kundër shortit?
Shorti është aspak i moralshëm për mendimin tim. Duhet të krijohet një fond kombëtar i kompensimit ku secili nga ata që kanë prona është aksioner me një koeficient. Ne bëmë propozimin që kompensimi të bëhet me bono thesari. Ligji i ri “Për tokën” ndalon shitjen e tokës, faljen me 1 euro. As nuk ia vlen ta marrësh atë hekur. Shqipëria 1 euro mund të kishte vlerë në 1991- ‘92, kur nuk kishe bukë, do prisheshin duke ndenjur dhe ata që do vinin ta fusnin në punë. Por jo sot dhe jo tokën. Toka është pasuria më e madhe kombëtare që ka Shqipëria.
Ju kritikuat ligjin zgjedhor, por të marrim rezultatet e vitit 2005, nëse i ruani, Poli mund të merrte disa mandate, pra ju favorizon...
Vërejtja ishte që ligji ish i parregullt. Ligji për mënyrën si u sajua që dolën 4 ekipe, doli në të kundërtën e asaj që e bënë dy të parët.
Çfarë kushtesh do i vini ju koalicionit të PD për të qenë pjesë e qeverisë?
Kushtet do të jenë kushte programore. Kushti është i tillë që deri në fund të vitit në fund të 2009 të jenë hartuar ligjet e reja dhe afatet e reja për pronat që njerëzit ta dinë që brenda 4-8 vjet paratë do të jenë të tyre. Ky është kusht i panegociueshëm, ndryshe s’ka kuptim që u drejtohemi pronarëve.
Po për të përndjekurit politikë, çfarë kushti do t’i vini?
Kushti është fare i qartë që brenda 2009 duhet të dalë shifra e plotë dhe çdo vit do caktohet sa do hedhë shteti para, sepse kur thamë bono thesari që këto afate që përmenda, duhet ti derdhen bankave në mënyrë automatike që të marrësh paratë me bonot që ke. Kjo duhet bërë me afate të caktuara. Këto janë kushte të panegociueshme.
Po kushte politike do ketë? P.sh., kush do jetë kryeministër?
Kushte politike do ketë. Vota proporcionale që këto negociata bëhen në momentin që shikon se sa i fortë je që të mund të ndikosh te tjetri, por kushte ka, që nga drejtimi i qeverisë, që nga mënyra e drejtimit të qeverisë. Nuk po them që është antikushtetuese, që është kthyer mbledhja e qeverisë në shfaqje për publikun, se e ka kushtetuta që e ndalon, por s’ka asnjë qeveri në botë që e bën këtë gjë.
Do ketë kushte që Poli të ketë pjesëtarë në qeveri, do jetë kusht i panegociueshëm?
Nëse ne biem dakord për programin, për mënyrën e drejtimit, normalisht është që të ketë. Por ka edhe raste që për shkak të mospërputhjes thuhet që ne kemi këtë program, kur të biesh ligj për këto pika të programit të votojmë, po solle për të tjerat të rrëzojmë. Kjo është një nga format. Por jemi kundër parcelizimit të qeverisë. Nëse njëri është ministër i Polit te Ministria e Bujqësisë dhe ky tani i ka të gjitha drejtoritë të partisë së tij, të gjithë nëpunësit të partisë së tij dhe mundësisht nga rrethi i tij.
Ndoka dhe Shehi në nivel lokal janë treguar pragmatistë në qëndrimet e tyre. Ju me qëndrimin tuaj të prerë për koalicion me PD...
Kemi rënë dakord pothuajse të gjithë bashkë për këtë çështje.
Çfarë ndodh në rast më pas ka qëndrime të ndryshme brenda Polit, për çështjen me kë do të bashkëpunoni pas 28 qershorit?
Unë nuk dyshoj që do të ketë për bashkëpunim me të majtën, por nëse do ketë Poli i Lirisë nuk ekziston më. Ne jemi një grupim i qendrës së djathtë dhe s’kemi përse bëjmë koalicion me të majtën.
A duhet të ketë Berisha në mendimin tuaj të drejtën e një shansi tjetër?
Shansin ia jep elektorati i tij dhe nuk ia japim ne.
Të gjitha kushtet tuaja Berisha s’i ka të vështirë t’i nënshkruajë për 10 sekonda...
Të vështira mund t’i ketë t’i bëjë. Ato do bëhen, nëse do bëhet një marrëveshje politike sepse duhet të mbarojnë zgjedhjet të dimë se cila është mbështetje dhe përkrahja që kemi ne që të mund të diktojmë që të kemi një zë të fortë. Këto kushte do të jenë fare të qarta dhe atje do të vendoset mënyra e organizimit të qeverisë. Mund të ketë edhe mënyra të tilla që qeveritarët mund të mos jenë krerët e partive, ka shumë formula që bëhen në këto raste. Janë të parakohshme për t’i thënë.
Ka një debat për kartat, ju çfarë vendimi do të merrni nëse opozita vendos të mos hyjë në zgjedhje?
Varet nga numri i qytetarëve që nuk kanë kartat. Mund të jetë një pakicë që s’ka dashur ta marrë, mund të jetë një shumicë që s’ka mundur ta marrë, për arsye financiare apo për arsye të tjera. Opozita mund të thotë se nuk hyj se nuk i kanë marrë 3 mijë veta që s’i kanë marrë, por 200 mijë është tjetër gjë.
Do ishte e drejtë që qoftë edhe 5 veta të mos i kishin marrë?
Ne nuk e dimë përse s’i kanë marrë këta 5 vetë. Nëse janë 5 nuk u ka munguar shansi për t’i marrë, nëse janë 200 mijë u ka munguar shansi dhe mundësia.
Cila është kjo masë kritike votuesish sipas jush?
Te 150 mijë, nuk ke se si voton më. Tu heqësh të drejtën 150 mijë shqiptarëve, nuk ke si voton më. Zgjidhja është me qeveri teknike dhe t’i çojë zgjedhjet në shtator ose në tetor.