Përshëndes, me këte rast, gjithë banorët e Malesisë së Madhe. Ju falenderoj për diskutimet që betë dhe që natyrshëm i shërbejnë demokracisë në parti, shëndoshjes së gjën
Përshëndes, me këte rast, gjithë banorët e Malesisë së Madhe.
Ju falenderoj për diskutimet që betë dhe që natyrshëm i shërbejnë demokracisë në parti, shëndoshjes së gjëndjes, qeverisjes me të mirë dhe, mbi të gjitha, forcimit të solidaritetit të radhëve tona dhe të komunikimit me zgjedhësit, me shtetasit, jo vetëm në Bashkinë e Koplikut, por edhe në 5 komunat e këtij rrethi, Gruemirë, Kastrat, Kelmend, Qënder dhe Shkrel.
Diskutimet tuaja provojnë se thelbi i politikës sonë progresiste, i filozofisë që na bashkon dhe që gëzon mbështetjen e njerëzve në shumicë në mbarë Shqipërinë, eshtë kjo demokraci e brendshme, mbrojtja e saj, zhvillimi i saj dhe konkurimi mbi bazën e saj. Kjo ka qenë filozofia jonë fituese në 12 vjet të partisë tonë. Dhe natyrshëm, sinqerisht më vjen mirë, që edhe debati juaj sot, si të gjithë të tjerët, ka si synim angazhimin për zhvillimin dhe integrimin e vendit në boten moderne.
Ju jeni afer kufirit, Shqipëria eshtë shumë përpara Malit të Zi në rrugen e integrimit. Pa integrim nuk ka nxjerrje të prodhimit nga shtepia, me izolim prodhimi kalbet në shtepi.
Me diskutimin e sotëm përsëritni deshiren për zhvillim, në të njëjten kohë bëni edhe presion për qeverisje më të mirë gjithashtu. Qeverisja fillon me administrimin politik të përgjegjësisë, të mandatit, të marrdhënieve midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve, si dhe të potencialeve e programeve lokale të zhvillimit. Të jeni të sigurtë se buxheti i shtetit këte vit, megjithëse më i madh se vitin e kaluar, eshtë administruar drejtë dhe eshtë shpërndarë, natyrisht jo në mënyrë uniforme, se nuk mund të ketë shpërndarje të buxhetit me copa përderisa ka prioritete të zhvillimit e, kjo s'do të thotë që njerëzit të diskriminohen në malesorë e fusharakë, ne veriorë dhe jugorë, më pranë detit afer mbretit dhe e kundërta. Mbi të gjitha, financimi buxhetor në një vit që Shqipëria, siç e ndieni edhe ju qeverisësit vendore, po hedh një etapë të re cilesore në decentralizim edhe të pronave publike, edhe të taksave publike, eshtë konkurim, konkurim me projekte, konkurim me aftësi projektuese dhe realizuese.
Sfidat që po përballojmë nuk janë të ndryshme edhe në shkallë vendi, nga këto që ngritet sot ju këtu. Nuk janë të lehta dhe nuk lejojnë që të kënaqen brenda të njëjtit vit apo të një periudhe të shkurtër kohe, të gjitha nevojat dhe grupet sociale.
Ne socialistët në vitin e gjashtë të qeverisjes, në mandatin e dytë, kur na ka besuar shumica e shqiptarëve në shkallë vendi, kemi marrë përgjegjësinë për të qeverisur me kulturë të kohes, me standarte përendimore, me transparencë. Dhe të qeverisësh mirë sot, do të thotë që të luftosh edhe krimin, edhe korrupsionin, edhe paratë e pista, dhe të nxisësh sipërmarrjen e ndershme dhe përdorimin në dobi të komunitetit të fondeve dhe taksave publike. Këte detyrë, në terësi e kemi berë mirë dhe po vazhdojmë ta përmirësojmë akoma më tej. Por dua të rimarr mesazhet që dhanë disa nga diskutantët këtu, për të mos neglizhuar dhe harruar që në 5 vitet e fundit sidomos, gjatë jetës 12 vjeçare, kur kemi reformuar vetveten – të majten, që tashmë formalizohet si anëtare e Internacionales Socialiste brenda vitit, ne na eshtë dashur të reformojmë gjithçka: ekonominë, pronat dhe tregun, drejtësinë, autoritenin e ligjit dhe pavarësinë e drejtësisë, marrdhëniet sociale, administrimin e pushtetit e sidomos vetë politiken. Deri vonë kemi qenë të suksesshëm edhe këtu në Malësi të Madhe.
Jo gjithmonë janë administruar drejt problemet themelore të reformave dhe të administrimit të kostove e pasojave që ato sjellin në grupe të ndryshme shoqërore. Kështu përshembull, besoj se edhe te ju eshtë shqetësim që ënde nuk eshtë përfunduar proçesi i kthimit e kompensimit të pronave. Për pasojë, stabilizimi i tregut të tokës dhe i prodhimeve të sipërmarrjes eshtë ende relativ, prandaj edhe këtu kemi ende shumë punë për të berë, që ekonomia të zhvillohet në dritën e diellit e jo në skuta, që paratë të levizin nepër banka dhe jo nepër duar, që sipërmarrja të gëzojë mbështetjen dhe lehtësinë fiskale dhe stimuluese të shtetit dhe të qeverisë, të kontribuojë dhe të harmonizojë më mirë edhe sipërmarrësit private, edhe qeveritarët qendrore dhe vendore, në dobi të prioriteteve të zhvillimit. Këto probleme trajtohen me programe.
Nuk mund t'i ndaj detyrat politike nga detyrat qeverisëse, mandatet partiake nga mandatet shtetërore. Por një nga karakteristikat dhe epërsitë e partisë sonë eshtë që, krahas demokracisë së brendshme, ka disiplinuar edhe programimin e zhvillimit. Edhe në parti konkurohet me projekte dhe programe për zhvillim në dobi të komunitetit. Kjo eshtë një detyrë e disiplinuar 4 vitet e fundit. Prandaj, çështjet e zhvillimit lokal duhet të bëhen sa më mirë pjesë e programeve të zhvillimit lokal dhe rajonal.
Shoqëria jonë eshtë në tranzicion, politika eshtë në tranzicion, institucionet janë në tranzicion, ekonomia eshtë në tranzicion dhe në këte tranzicion ne kurojmë dobësitë e sistemit, dobësitë e administrimit, dobësitë e mbledhjes e përdorimit te taksave e fondeve publike, gjithashtu. Ka ende dobësi në funksionimin e institucioneve dhe të shoqërisë. Ka ënde tradita negative që duhen kuruar. Të gjitha fillojnë nga njeriu, nga mentaliteti. Ky ishte edhe mesazhi që më dha edhe Frati i Dioqezës së Dukagjinit në meshën nga sapo dolëm, andaj dhe partitë politike, ashtu si komunitetet e tjera shpirtërore, siç janë ato fetare, kanë të bejnë me njeriun. Ju duhet të vazhdoni të kuroni marredhëniet njerëzore midis jush.
Në Shkrel vazhdojnë të shkojnë para dhe financime, sepse ka kapacitete administruese. Paratë nuk mund të lëshohen në duar të pasigurta dhe as në duar të papërgjegjëshme. Ka edhe një formulë ekuilibrimi – ballancimi për komunat me pak subjekte taksapagues. Pavarësisht nga dobësitë e njerit dikaster apo të tjetrit, të jeni të sigurtë se pjestarët e Qeverisë që unë drejtoj, përfshi edhe Ministrin e Pushtetit Lokal, për të administruar në bazë te ligjit dhe reformave që mbikqyren nga BE, me të cilët po zhvillojmë negociatat për asocim dhe integrim, nuk bejnë padrejtësira në veprimtarinë e tyre, ashtu siç eshtë në të mirë të vëndit, që fondet më të mëdha të përqëndrohen në infrastrukturën publike. Ne po aktivizojmë më shumë vlerë, më shumë para, që vijnë edhe nga sipërmarrja private aty ku kalon infrastruktura.
Ne socialistët nuk kemi debat tjetër përveç debatit në favor të zhvillimit. Ne socialistët dimë të debojmë edhe abuzimin edhe korrupsionin, politikisht dhe në marredhënie me shtetin ligjor. Kur them ne socialistët kam parasysh edhe ju socialisët e Malësisë së Madhe me 73 organizata dhe me 6 këshilla zonalë.
Këtu të bëhet zemra mal, (edhe ambasadorit Amerikan sot ju bë zemra mal ashtu si z. Kolin Pauell kur zbriti në Tiranë) që ka shumë ndertim, shumë zhvillim, që ka shumë sipërmarje, ka shumë gjëra të reja. Keto kryesisht jane sipermarrje private. Unë isha sot me kryetarin demokrat të komunës së Shkrelit. Këto ndertime flasin për një mirëqenie që po rritet me djersë, pra nuk e turpërojnë të zotin e shtëpisë. Por ka nje kontradikte me infrastrukturën publike, rrugët, ujin, energjinë sidomos. Kontradikta eshtë me projektet nacionale dhe rajonale të zhvillimit, që administrojnë resurset lokale. Ju falenderoj që nuk jeni xheloz, që rruga po shkon edhe në Razem për të lidhur Razmën me Velipojen, sepse turizmi eshtë prioritet zhvillimi dhe pa turizmin e infrastrukturën në shërbim të turizmit nuk del prodhimi nga shtëpia, po kalbet. Këtu duhet kuptuar më mirë se deri sot, detyra politike. Do t'ju nxisja që ta vazhdoni debatin që ju bashkon me veprime politike-qeverisëse të përgjegjshme në favor të zhvillimit, në solidaritet me njeri- tjetrin.
Këte vit kemi dy palë zgjedhje: njera për qeverisjen vendore dhe tjetra eshtë në shtëpinë tonë, Kongresi i Partisë. Në 12 vjet kemi krijuar përvojen e konkurimit pa shkatërruar solidaritetin. Në 12 vjet kemi ndertuar institucionet e dhënies llogari të drejtuesve përballë zgjedhësve. Në 12 vjet kemi krijuar përvojen e përteritjes së mandatit apo te revokimit të mandatit në raport me respektin që buron nga kryerja e detyrës, me besimin që meritohet ose humbet gjatë ushtrimit të detyrës. Kjo punë ka kosto. Kostot më të mëdha politike dhe sociale, gjithashtu, i kanë drejtuesit. Ne socialistët kemi treguar se dimë t'i përballojmë dhe të menaxhojmë kostot edhe kur shkaterrimet i bejnë të tjerët. Pra, jam i bindur se baza socialiste i pranon kostot e zhvillimin në mënyrë qytetare dhe me përgjegjshmëri në dobi të përparimit edhe pse me shpejtësi të ndryshme të zonave të ndryshme të vendit drejt integrimit në botën moderne.
Nuk eshtë pa domethenie edhe ardhja e ambasadorit të SHBA sot këtu. Jemi në rrugë te mbarë të gjithë së bashku, sepse nuk mund të abuzohet politikisht apo të ndahet në një parti me aleatin më të madh të vendit dhe të kombit SHBA për Shqipërinë dhe për Shqiptarët. Por kur përfaqësuesit e nderuar të aleatëve tanë të mëdhenj strategjikë vijnë ju shohin dhe prekin me dorë edhe progresin, edhe problemet, edhe zhvillimin krahas Qeverisë suaj, që nuk i shërben vetëm një partie. Edhe ju duhet të shihni më mirë njerëzit, hallet, potencialet dhe problemet. Mos u ndryni nepër zyrat tuaja politike, komunikoni me anëtarësinë dhe me drejtuesit e partisë. Ju drejtuesit e pushtetit, komunikoni drejtpërdrejt me njerëzit dhe jo nepërmjet gazetave. Komunikimi me njerëzit lejon edhe korigjimin e shenjestres buxhetore, edhe korigjimin e shenjëstres politike për shkak të demokracisë që lejon të zgjidhen, të rizgjidhen ose të mos rizgjidhen më drejtues politik apo shteterorë.
Unë nuk kam si të arsyetoj ndryshe përballë rrudhjes elektorale të zgjedhjeve të fundit në Malësi të Madhe me 16 përqind në krahasim me vitin 1992. Atëherë dihet se ka qenë e veshtirë të konkuroje e të fitoje, sepse mungonte demokracia.
Duhet të përgatitni platformat për veprime politike mbi bazë zone. Këto ju mungojnë. Ndaj kritikohet ndonjë deputet sikur ka berë krim se eshtë interesuar për zonën e tij. Pra, e keni ju në dorë që të punoni për ndryshime më të shpejta, pasi nuk degjova këtu te flisni për zbatimin e kalendarit politik, platformat lokale e rajonale, thithjen e kompetencave etj. Të marrësh më shumë pushtet e para do të thotë që të dish ta administrosh.
Korrupsioni shoqëron zhvillimin dhe nëse demokracia zvenitet e humbet kontakti kontrollues i zgjedhësve, atëherë korrupsioni eshtë i pranishëm. Prandaj, ne si qeveri, po vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin me njerëzit në Shqipëri dhe me partnerët nderkombëtarë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, trafiqet dhe andaj po marrim më shumë kritika e detyra përsipër, sepse po tregojmë aftësi për t'i shëruar këto sëmundje që shoqërojnë tranzicionin dhe vinë nga e kaluara, gjithashtu.
Këto janë çeshtje te ditës si prioritet politik, krahas menaxhimit të fondeve e zgjidhjes së problemeve të komunitetit, që jeton në këte zonë. Sigurisht, pushteti qëndror do të vazhdoje të financoje objekte të infrastrukturës kombëtare. Kështu zbuten edhe pasojat që burojnë nga reformat mbarëkombëtare. Ritmet e të ardhurave buxhetore po rriten nga viti në vit.