Sejdiu: “Viti 2008, në histori si Viti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës”
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një mesazh urimi drejtuar qytetarëve të Kosovës vlerësoi se viti 2008 hyri në histori si Viti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Kjo ëndërr e ky përcaktim yni i hershëm u realizua më 17 shkurt 2008, ditë që do të mbetet përherë shenjë reference dhe identiteti e shtetit të Kosovës”, - ka nënvizuar Presidenti Sejdiu në mesazhin e tij të urimit me rastin e Vitit të Ri 2009. “Ndonëse të gjithë e dinë se pavarësia është çështje e ekzistencës sonë, asnjëherë nuk kemi pohuar se me shpalljen e saj përnjëherësh do të marrin fund vështirësitë tona politike, ekonomike e sociale”, - tha Presidenti Sejdiu. Megjithatë, ai shtoi se autoritetet kosovare janë të vendosura që retorikës së ashpër të Beogardit t'i përgjigjen me ofertën e sinqertë për një frymë të re bashkëpunmi e fqinjësie të mirë në mes dy vendeve sovrane, në mënyrë që rajoni më në fund të shmanget nga politika e konfrontimit me njëri-tjetrin dhe ta përmbyllë me sukses procesin e pakthyeshëm të integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO.
30 Dhjetor 2008