E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buttiglione: Zgjedhjet e rregullta, partitë të pranojnë rezultatin

 

“Zgjedhjet në Shqipëri ishin të monitoruara nga shumë organizma ndërkombëtare dhe vlerësimi unanim i Parlamentit Evropian dhe organizmave të tjera që ndoqën këtë çështje ishte se zgjedhjet ishin të rregullta. Unë mendoj se është koha që opozita dhe qeveria të tregohen bujare për të ecur normalisht në proceset demokratike të vendit”. Kështu deklaroi zëvendës presidenti i Parlamentit italian, Roço Buttiglione, pas takimit të zhvilluar në Tiranë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në këtë takim, Buttiglione tha se sheh me kënaqësi se Shqipëria ka bërë një progres të madh, si politik, ashtu edhe në ekonomi e në demokraci. Pas takimit, zyrtari i lartë italian deklaroi se “Shqipëria ka bërë progres të madh edhe në fushën e demokracisë”. “Demokracia ka shpesh konflikte, ndonjëherë edhe të ndezura. Unë do doja t’i drejtoj një apel të gjitha forcave politike shqiptare; të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme, si të qeverisësh, ashtu edhe të bësh opozitë”, theksoi Buttiglione. Për çështjet e vizave, zëvendës presidenti i Parlamentit italian tha se shpreson që Shqipëria të përfitojë nga liberalizimi. “Jam i bindur se Shqipëria do të marrë atë që kërkon për sa i përket hyrjes në shenjen, si dhe në njohjen e statusit të vendit kandidat. Nuk duhet nënvlerësuar domethënia e madhe simbolike e këtyre dy rezultateve. Pak vite më parë shqiptarët vinin në mënyrë klandestine, kishte shumë paragjykime për ta. Sot komuniteti shqiptar është i respektuar dhe i dashur në Itali e po ashtu edhe në vendet të tjera dhe nesër shqiptarët do të mund të lëvizin në të gjithë Evropën pa viza”, theksoi zyrtari i lartë italian. Kryeparlamentarja Topalli theksoi se “e falënderova për mbështetjen e Italisë në vendimin e marrë më 16 nëntor, kur 27 qeveri evropiane i thanë po Shqipërisë në kërkesën e saj në rrugën e integrimit dhe gjeta mbështetje nga presidenti Buttiglione, në mënyrë të veçantë për atë që e kemi më të rëndësishme, në qëllimin tonë më të veçantë; në heqjen e vizave në vitin e ardhshëm, mbështetje që na është dhënë  edhe nga qeveria italiane dhe Ministri i Jashtëm gjatë gjithë kësaj periudhe”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›