“Rama akuzon të tijët për votat”
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha rithekson qëndrimin e maxhorancës për të mos pranuar kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit. Duke folur para të rinjve evropianë të Partive Popullore të mbledhur në Tiranë, Berisha deklaroi se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më transparentet. “Zgjedhjet plotësuan standardet kryesore të OSBE-së. Ai nuk e pranon rezultatin. Ai po më kërkon të hapë kutitë për rinumërim, ka një vendim gjykate, ai shkoi në gjyq, dhe gjyqi vendosi, nuk mund të ketë rinumërim, pa kontestim. E thotë ligji që ka shkruar vetë. Për sa kohë që nuk ke asnjë kontestim, nuk mund të ketë rinumërim. Ai akuzoi komisionerët e tij për mungesë integriteti, kjo është hera e parë në jetën time, që dëgjoj një akuzë kolektive nga komisionerët, ai nuk akuzoi komisionerët e mi, akuzoi komisionerët e tij”, tha kryeministri. Sipas tij, qëndrimi i Ramës është totalisht një interes personal dhe interesa të tjera të errëta. “Unë ju siguroj se jam shumë i vendosur, shumë i angazhuar për votën e lirë, si zemrën e vërtetë të demokracisë. Unë jam shumë i vendosur të për të respektuar votën e shqiptarëve”, theksoi Berisha. Kryeministri vazhdoi replikat në distancë me liderin e PS-së, Rama, duke u shprehur se ka bërë lëshime në miratimin e Kodit Zgjedhor, me kusht që PS-ja dhe Rama të hynin në zgjedhjet parlamentare. “Në fund ai hyri në zgjedhje, ai kërkoi që çdo votë të numërohej, të fotografohej, të filmohej, të paraqitej në ekran, dhe në kohë reale të shihej edhe në Komisionin Zgjedhor. Dhe unë pranova. Ne përdorëm teknologjinë më të mirë, numërimi i votimeve u transmetua edhe në sheshet e qyteteve. Për herë të parë në histori, 20 mijë komisionerë të opozitës nënshkruan çdo dokument pa asnjë vërejtje. Dhe kjo sepse ishte procesi më transparent që ishte zhvilluar ndonjëherë. Media, e gjitha ishte shumë pozitive, ashtu si edhe monitoruesit ndërkombëtar, të cilët shkruan në raportet e tyre që nuk kishte pasur asnjë prove për manipulim të rezultatit, apo numërim i parregullt”, deklaroi kryeministri.
Duke folur para të rinjve evropianë kreu i Ekzekutivit deklaroi se “në vitin 2005 me rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet sigurisht që axhenda jonë u bë axhenda evropiane”. “Ne nisëm të luftonim me vendosmëri krimin e organizuar, i cili dominonte në shumë qytete të vendit me forcën e tij. Në një periudhë të shkurtër kohe prej 18 muaj, ne arritëm të shkatërrojmë 206 banda kriminale dhe më shumë se 1000 anëtarë dhe bosa të tyre. Ne i gjetëm ata kudo që ata ndodheshin, në hotele me 5 yje apo në metropolet e Evropës. Ne treguam dhe tregojmë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe sot kam kënaqësinë t’u njoftoj se treguesi i kriminalitetit në këtë vend është më i ulëti se në të gjitha vendet e BE së bashku. Ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe mafias”, tha Berisha. Ai bëri prezent se vendimin më të fundit të Kuvendit për miratimin e ligjit “Antimafia”. “Ligji i ri, i cili është i standardeve më të larta, një përzierje e modelit italian dhe atij anglez do të hyjë në fuqi dhe ju siguroj se në muajt që vijnë ne do ta bëjmë Shqipërinë një prej vendeve më të sigurta, në të gjithë Evropën”, theksoi kryeministri.