E Diel, 1 Nëntor 2026

Personazhe armiq, protesta me të njëjtin qëllim në Himarë

Qyteti i Himarës ka zhvilluar ditën e djeshme dy protesta për të njëjtin qëllim, problemet me pronësinë. Pavarësisht kërkesave, të cila në thelb ishin të njëjta, ato u organizuan nga personazhe politike të kundërta. Protesta e parë u organizua nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ndërsa protesta e dytë u organizua nga deputetët Nikollaq Neranxi dhe Spartak Ngjela. Në mitingun e organizuar dje, deputetët kanë kërkuar kthimin e pronave te qytetarët himarjotë dhe kanë akuzuar kryebashkiakun e Himarës për abuzime. Ndërkohë në mitingun tjetër kryebashkiaku Vasil Bollano premtoi hartën e plotë të pronave në Himarë. Deputeti Neranxi tha se do te krijohej një lob parlamentar për të frenuar abuzimet me trojet. Sipas tij, përgjegjësi kryesor për grabitjen e tokës në plazhet më të bukura është kryetari i bashkisë, Vasil Bollano. Bollano nga ana e tij ka kërkuar që qeveria të ndërhyje për zgjidhjen e çështjes së pronave. Gjatë diskutimeve në sallën e kinemasë, protestuesit kanë kërkuar të flitet greqisht, ndërsa më pas kanë dalë në rrugët e qytetit me thirrjet "Larg duart nga Himara", "Duam shkolla në greqisht”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›