E Diel, 1 Nëntor 2026

LRI: Nuk po ndahen ende librat shkollorë

Lëvizja Rinore për Integrim ngriti ditën e djeshme shqetësimin se nxënësit ende nuk po tërheqin librat e tyre. Në një deklaratë për shtyp, të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, i kërkuan Ministrisë së Arsimit që të marrë masat përkatëse. “Sot është data 10 gusht dhe ne me keqardhje konstatojmë se të gjithë nxënësit dhe prindërit e tyre, të cilët në përgjigje të ftesës së ministrit të Arsimit, nxituan drejt librarive për të tërhequr tekstet shkollore, janë kthyer prej tyre duarbosh, pasi tekste shkollore nëpër librari nuk ka. Lëvizja Rinore për Integrim i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që të ndërhyjë menjëherë për të zgjidhur situatën e krijuar, në mënyrë të tillë që të mos kemi përsëritjen e kaosit të vitit të kaluar, ku nxënës dhe familjarë të tyre shtypeshin në radhët e stërzgjatura, të shkaktuara nga paaftësia e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, duke përfunduar pajisjen me tekste shkollore disa javë pasi mësimi kishte filluar. Ju kujtojmë edhe një herë që vitin e kaluar nxënësit dhe familjarët e tyre nuk u pajisën me faturat e blerjes së librave, dhe si rrjedhim nuk u rimbursuan, në kundërshtim me përcaktimet ligjore dhe me premtimet e bujshme të qeverisë”, - thuhet në deklaratën e LRI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›