Kroaci, Tadiç lë inaugurimin e Presidentit, shkak Sejdiu
Ivo Josipoviç u betua dje si Presidenti i ri i Kroacisë, në një ceremoni ku morën pjesë të gjithë liderët e rajonit me përjashtim të Presidentit serb, Tadiç i cili u revoltua për shkak të ftesës së Presidentit Sejdiu. Përveç 80 delegacioneve të huaja, ishte i pranishëm edhe zv/Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhekob Lju, ndërsa BE-ja përfaqësohej nga Komisioneri i ri i Zgjerimit, Stefan Fuele. Josipoviç është Presidenti i tretë i Kroacisë, që prej pavarësisë së saj nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. 52-vjeçari është anëtar i Partisë Socialdemokrate opozitare. Presidenti i deritashëm i Kroacisë, Stipe Mesiç, e mbajti presidencën për dy mandate pesë vjeçare. Sejdiu ka marrë pjesë në një takim joformal, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i deritashëm kroat, Stipe Mesiç, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe Presidenti i Bosnjë Hercegovinës, Zhelko Komshiç. Ceremonia e inaugurimit u mbajt në sheshin mes zyrave qeveritare dhe parlamentit kroat në Zagreb, që në mënyrë simbolike tregon pozicionin e Presidentit mes fuqisë legjislative dhe ekzekutive. Në këtë shesh mund të qëndrojnë rreth 600 vetë, që më parë duhej të kalonin në pikat e kontrollit. Inaugurimi nisi në mesditë. Sipas B92, numri i saktë i forcave të sigurisë në këtë eveniment ishte mbajtur sekret, por ishte shumë lartë. Trafiku në disa rrugë ishte bllokuar gjatë ceremonisë. Por edhe disa orë përpara ishte shumë i rënduar, për shkak të mbërritjes së delegacioneve të huaja nga aeroporti për në shesh.