E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej rastit Idrizi

Po bëhen tashmë disa muaj që nëpër kafene e nëpër studio televizive diskutohet shumë për rrjedhjet që do të ketë nga Partia Socialiste. Debati përgjithësisht zhvillohet me tone që të kujtojnë më shumë merkaton e futbollit. As nuk vihet në diskutim fakti që do të ketë rrjedhje, por thjesht diskutohen çmimet, arsyet – në pjesën më të madhe fare meskine – dhe numrat: Sa deputetë do të kalojnë tek LSI? Sa do t’i bashkohen mazhorancës? A do të arrijë mazhoranca të kapë numrin e 84 deputetëve në Kuvend?
Por në fakt është diçka shumë shqetësuese dhe indikative e shkallës në të cilën ka degraduar politika shqiptare dhe ka humbur besimi tek politikanët shqiptarë, që skenarë të tillë trajtohen si fakte normale të jetës. Pra gjëra që ndodhin, që i presim që të ndodhin, dhe që fatkeqësisht kanë filluar të ndodhin.
Për shembull, në një konferencë për shtyp pak ditë më parë deputeti Shpëtim Idrizi deklaroi me një serbesllëk të admirueshëm se ai kishte vendosur të largohej nga partia që e kishte bërë deputet në këto zgjedhje, për të krijuar një parti tjetër. Siç tha ai, ishte ky një vendim që e kishte bluar në mendje për ca kohë, në fakt që përpara zgjedhjeve, por pa arritur të merrte një vendim. Pastaj, Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe fare papritur zoti Idrizi pati një moment epifanie, iu qartësuan idetë dhe e kuptoi se roli i tij në këtë botë ishte mbrojtja e interesit kombëtar e sidomos të atij të komunitetit çam. Jo vetëm kaq, por duket se në emër të këtij interesi ai është gati të bëjë dhe sakrificën sublime të kalimit nga opozita në mazhorancë.
Duhet thënë se formalisht zoti Idrizi nuk ka shkelur asnjë ligj të këtij vendi duke ndërmarrë një hap të tillë. Dhe formalisht çdo deputet ka të drejtën të ndërrojë parti sa herë që t’i teket ose sa herë që t’i bëhet një ofertë për të cilën ia vlen barra qiranë që të ndërmarrësh një hap të tillë. Por kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një situatë të pranueshme.
Problemi i parë me veprime të tilla lidhet me faktin se ato cenojnë rëndë të tërë procesin elektoral. Sepse nuk është e ekzagjeruar të thuhet se deri diku këto kapërcime vetëm sa prodhojnë efekte të ngjashme me ato të Dushkut. A nuk ishte edhe Dushku formalisht në rregull me ligjin? Por ama nuk mund të thotë kush që rezultatet që ai prodhonte reflektonin vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. E njëjta gjë vlen dhe në rastin kur deputetë të caktuar, në rastin konkret zoti Idrizi, papritur e papandyer vendosin me lehtësinë më të madhe të ndërrojnë parti. Në fund të fundit, nëse deputetët i njohin vetes liri të tilla, atëherë na rrofshin zgjedhjet.
Problemi tjetër është se veprime të tilla shtrembërojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Për shembull, zoti Idrizi e shpjegoi vendimin e tij duke përdorur një argument shumë të çuditshëm: çamët e votuan atë pikërisht që ai t’i përfaqësonte në Kuvend! Por sa qëndron një arsyetim i tillë? Natyrisht që si argument është kodra mbas bregut. Në radhë të parë zoti Idrizi ishte vetëm një emër në një listë me 12 kandidatura. Dhe kjo e bën praktikisht të pamundur identifikimin e numrave që kanë votuar për njërin apo tjetrin. Dhe në fakt kjo vënie e theksit tek partia dhe jo tek kandidaturat individuale ishte një ndër risitë themelore të kodit të ri elektoral. Pra është e pamundur të thuhet nëse e vërteta është se votuesit votuan PS dhe zoti Idrizi thjesht sa përfitoi nga kjo duke u bërë deputet, apo anasjelltas. Dhe në fund të fundit ata zgjedhës që kishin si prioritet të tyre çështjen çame nuk kishin pse votonin Partinë Socialiste kur në garë ndodhej edhe në parti mirëfilli çame si PDI, që për më tepër pikërisht në Vlorë ku kandidonte dhe z.Idrizi, fitoi mandatin e saj të vetëm.
Në fakt, sa herë që ndonjë deputet apo ndonjë politikan shqiptar vendos të ndërmarrë hapa të tilla që shkelin në mos ligjin, më së paku çdo rregull të etikës politike, ata nuk e kanë pasur të vështirë të sajojnë aty për aty nja dy arsye madhore për ta paraqitur këtë veprim si një lëvizje altruiste, në emër të së mirës së kombit, etj, etj. Por, duhet një dozë e lartë naiviteti për të besuar në dokrra të tilla. Arsyet në pjesën më të madhe të rasteve janë fare banale dhe aspak parimore. Dhe në fakt këtë e shprehu fare mirë dhe zoti Idrizi kur shpjegoi trajektoren e çuditshme të karrierës së tij politike në një intervistë dhënë të përditshmes Panorama. Unë, tha ai, u ktheva në një familje politike ku hyra për herë të parë ndërsa u përfshiva në lëvizjen e dhjetorit dhe nga ku dola për t’u rikthyer përsëri. Gjë që në terma politikë i ngjan si dy pika uji asaj që thoshte Balzaku për martesën: Një burrë nuk duhet të martohet kurrë nëse nuk ka njohur më parë të paktën tre gra.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›