“Përtej të majtës e së djathtës synohet maksimizimi i fitores”
Aristir Lumezi
Sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, në intervistën e tij shpjegon thelbin e sloganit të kryetarit socialist “Aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”. Sipas tij, përmes saj synohet maksimalizimi i marrjes së votave për Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Ky slogan, i cili është vizion i lidershipit të PS-së, synon të përfaqësojë në qeverisjen e ardhshme edhe atë elektorat, i cili nuk ndodhet i pozicionuar në grupimet tradicionale djathtas dhe majtas.
Z.Islami, para dy ditësh Kryeministri Berisha prezantoi analizën 7-mujore të qeverisë me sloganin: 7 muajt që ndryshuan Shqipërinë. Z.Berisha bëri një bilanc arritjesh, duke futur këtu edhe pavarësinë e Kosovës dhe marrjen e ftesës për në NATO. Si i shihni ju këto pretendime të kreut të Qeverisë në nisje të këtij viti elektoral?
Berisha ka tre vjet që fillon dhe rifillon turin/monologun e gënjeshtrave e të mashtrimeve. Përfundimisht kjo qeverisje e “gënjeshtrave dhe e paaftësisë” mund të karakterizohet shkurtimisht “qeverisje gërdeciane”. Të gjithë karakteristikat e qeverisjes aktuale koncidojnë me karakteristikat e ngjarjes së Gërdecit, që përbën edhe filozofinë e kësaj qeverisjeje, sepse kjo ngjarje nuk ishte as e rastësishme, as aksident dhe as incident. Ajo përbën në të gjithë aspektet thelbin e qeverisjes aktuale. Pas shfaqjes në sytë e publikut vendas e ndërkombëtar të kësaj ngjarje që mori 26 jetë njerëzish, që prishi jetën e disa dhjetëra familjeve, që la pa strehim e punë disa qindra familje dhe terrorizoi mijëra banorë të zonës e mbarë vendit, mundet përfundimisht të thuhet se kjo është qeveria më e pasigurt përsa i përket sigurisë kombëtare e njerëzore. Nga opozita, nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, por edhe nga vetë përfaqësues të maxhorancës qeverisëse, konkludohet se kjo është qeveria, i) e trafikut të armëve dhe municioneve, ii) e korrupsionit të organizuar nga shteti dhe e kapjes së shtetit nga qeveritarët e korruptuar, iii) e lidhur me personazhet e krimit e të trafiqeve rajonale e më gjerë; iv) qeveria më antisociale për shkak të abandonimit të banorëve të Gërdecit të mostrajtimit korrekt të humbjeve të tyre; v) e invazionit fiskal që mbron dhe bashkëpunon me bosët e fshehjes së taksave dhe gjobit bizneset e ndershme; vi) e realizimit të korrupsionit përmes lidhjeve familjare, nepotike e kamaradeske; vii) e paaftësisë për të menaxhuar situatën pas tragjedisë së Gërdecit që deklaron se edhe sot Gërdeci mund të rishpërthejë. Por ngjarja tragjiko-korruptive nuk ndodhi vetëm në Gërdec, ajo mund të kishte ndodhur kudo, ajo ndodh çdo ditë kudo dhe mund të shpërthejë përsëri kudo. Mungesa e energjisë elektrike dhe korrupsioni në KESH janë po ashtu gërdeciane. Korrupsioni në sektorin e naftës dhe privatizimi i dyshimtë e korruptiv i ARMO-s janë gërdecianë. Korrupsioni në sistemin e sigurimeve dhe falimentimi i INSIG-ut janë gërdeciane. Trajtimi korruptiv e nepotik i pronave dhe i tokave në zonën bregdetare janë gërdeciane. Korrupsionet me fondet buxhetore janë gërdeciane. Korrupsioni në sistemin e ndërtimit të rrugëve është gërdecian. Korrupsioni dhe dështimi në sistemin arsimor janë gërdeciane. Vjedhjet banale masive dhe dështimet në sistemin e shëndetësisë janë gërdeciane, spitalet janë terrene gërdeciane, vjedhjet me ilaçet janë gërdeciane. Korrupsioni dhe paaftësia në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm janë gërdeciane, radhët për ujë janë gërdeciane. Korrupsioni dhe paaftësia në sistemin social e të pensioneve janë gërdeciane. Dhe babëzia korruptive ishte kolosale në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, që mund të quhet Ministria e filozofisë dhe konceptimit të Gërdecit dhe natyrisht do të përmbyllej me tragjedinë-korruptive të Gërdecit dhe mund të rrezikojë me pasojat e saj anëtarësimin e vendit në NATO. Dhe kjo listë është pambarim...
Para disa ditësh një diplomat i lartë i SHBA-ve në Tiranë paralajmëroi rrezikun e shtyrjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për shkak të përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar Prokurorinë, KLD-në dhe shërbimet sekrete. Kryeministri Berisha nga ana e tij përmend raporte pozitive me Presidentin Bush. Si ju rezultojnë ju marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të në këtë moment dhe a ka vërtet rrezik të shtyhet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO për shkak të këtyre konstatimeve diplomatike dhe që lidhen kryesisht me përpjekjet për të mos zbardhur ngjarjen e Gërdecit?
Kryeministri është tërësisht i izoluar dhe kujton se me përpjekjet e tij tanimë qesharake mund të mashtrojë shqiptarët. Ai kujton fatkeqësisht gjithashtu se mund t’ju hedhë hi syve ndërkombëtarëve. Ai kujton se shqiptarët nuk e kuptojnë që marrëdhëniet e shkëlqyera janë midis vendeve e popujve dhe ai vetëm i ka dëmtuar dhe mund t’i dëmtojë. Ai kujton se shqiptarët nuk e kuptojnë se pavarësimi i Kosovës apo vendimi i Bukureshtit për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nuk i përkasin aspak atij. Ai kujton se shqiptarët janë naivë dhe nuk e kuptojnë se ai mashtron e gënjen. Ai kujton se shqiptarët nuk e kuptojnë që ai është i paaftë për të qeverisur. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e njohin mirë situatën dhe atë dhe nuk kuptojnë se ai mashtron. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë se përgjegjës për konfliktin institucional me presidentët është ai. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë se presionin mbi Prokurorinë dhe sistemin gjyqësor e drejton ai dhe vetëm ai. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë se ai kërkon të zaptojë Prokurorinë, KLD-në dhe shërbimin sekret. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë se ai kërkon të vonojë kartat e identitetit për të manipuluar zgjedhjet. Ai kujton së ndërkombëtarët nuk e kuptojnë së çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe cilët persona janë implikuar atje dhe se ai po tenton të vonojë e pengojë hetimet. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë përse ai e quan “letër higjienike” gazetën “Nju Jork Tajms”. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë përse ai shpërthen dhe kërcënon kur një deputet i përmend dikë nga familja e tij për implikim në korrupsione trafiqe armësh. Ai kujton se ndërkombëtarët nuk i dinë fijet e korrupsionit të tij. Ai mesa duket, nuk e di se çfarë thuhet kudo, me vendas e ndërkombëtarë, deri në detaje për atë, për pasuritë e tij e të familjarëve të tij, të ministrave të tij dhe të familjarëve të tyre, në zonat bregdetare, në qendrat e biznesit më luksoze në vend, në apartamente e vila brenda dhe jashtë vendit, në aksionerë biznesesh, në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit, legale dhe në off shore, etj., etj. Ky është realiteti që dinë shumica e shqiptarëve, së paku ky është perceptimi i tyre. Që ishte autoritar, kjo dihej me kohë. Që ishte i paaftë për të drejtuar ekzekutivin, edhe kjo pranohej me kohë. Por tani besohet plotësisht se ai është edhe një ndër politikanët më të pasur në Ballkan dhe përfundimisht “autoritari më i pasur në rajon”. Vetëm po të lexosh ish-gazetën e tij më militante, i gjen të gjitha këto në trajtë eksplicite. Të kthehem tek pyetja juaj. Marrëdhëniet mes Shqipërisë e SHBA-ve kanë qenë dhe do të mbeten të shkëlqyera dhe nuk mund të perturbohen nga individë sado të rëndësishëm qofshin. Ngjarja e Gërdecit ka nxjerrë në shesh lidhjet e kësaj qeverie me korrupsionin e trafiqet. Ndërhyrja në sistemin e drejtësisë e të shërbimeve inteligjente, edhe në funksion të pengimit të hetimeve për ngjarjen e Gërdecit, tregon sjelljen autoritare dhe jodemokratike të qeverisjes aktuale. Të gjitha këto janë të shenjta për SHBA-të. Paralajmërimi i rrezikut të shtyrjes së anëtarësimit në NATO mesa duket lidhet kryesisht me zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ndërhyrjen e qeverisë me veprimtarinë e Prokurorisë dhe pa dyshim për rezervat në lidhje me përgatitjet e zgjedhjeve të 2009-ës në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare demokratike. Përmbledhtas mund të thosha se tanimë për Berishën mbetet vetëm testi i kalimit të butë e të qetë të pushtetit...
Kohët e fundit janë shtuar zërat me peshë në elektoratin e majtë dhe kryesisht në PS, si Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani dhe Dritëro Agolli....
Zhvillimi i debatit të brendshëm dhe pranimi i mendimit alternativ mbetet tipari themelor i PSSH, e cila mbetet një parti e bashkëjetesës së “opinioneve alternative”. Ky debat bëhet shpesh pjesë e debatit publik e mediatik, duke e shndërruar PSSH në partinë më emancipuese për politikën shqiptare. Emrat që ju përmendi i kanë dhënë këtij debati, përveç opinioneve alternative, edhe etikë e civilizim. Më vjen mirë të deklaroj se në PS jo vetëm personazhet politikë me eksperiencë, por edhe mjaft të rinj, janë të orientuar të reagojnë profesionalisht, duke respektuar maksimalisht mendimin e kundërt e duke tentuar të gjejnë atë që është racionale e pozitive tek mendimi alternativ, duke u larguar nga debati banal i personalizuar.
... dhe këto sidomos në lidhje me sloganin e kryetarit socialist, Edi Rama për “Aleancë përtej të majtës dhe të djathtës”. Si i konsideroni këto shqetësime?
Gjykoj se përmbajtja e sloganit nuk është aspak përjashtuese e selektive, por tërësisht përfshirëse e integrale. Një slogan modern, që synon të orientojë votuesit “pro një alternative të re” dhe jo thjesht “kundër alternativës së vjetër”. Një slogan motivues që kërkon të rrisë pjesëmarrjen në votime. Një slogan mobilizues që synon të rrisë mbështetjen dhe pjesëmarrjen në qeverisje. Në realitet, nuk bëhet fjalë aspak për zvogëlim apo ulje të vëmendjes e të përkujdesjes ndaj elektoratit të majtë, militant, të qëndrueshëm, përderisa synohet zgjerim e shtrirje e kësaj përkujdesje e vëmendje, edhe për pjesë të tjera të elektoratit. Edhe të atij që është në zonën midis dy grupimeve militante. Edhe të atij që është “i lëvizshëm e fluid”. Edhe të atij që merr vendime jo thjesht për militantizëm. Edhe të atij që nuk ka gjithnjë të njëjtin qëndrim e vendimmarrje ndaj një force politike. Edhe të atij që është i mërzitur nga qeverisja e një force politike dhe kërkon një alternativë të re qeverisëse. Edhe të atij që abstenon lehtësisht... Por përsëris duke rritur vëmendjen dhe duke kërkuar njëkohësisht motivimin e solidaritetin e elektoratit të majtë...
Po ju vetë si e kuptoni këtë slogan, kur dihet që elektorati në Shqipëri është i ndarë në dy kampe. Cili do të jetë elektorati që do përmbushë këtë vizion të kryetarit socialist?
Ky slogan nuk është thjesht shpikje shqiptare. Mesa duket perceptimi jo adekuat ka nevojë për një shpjegim më të thelluar, jo për personazhet e nderuar që ngrenë shqetësimin, por më tepër për militantët dhe mbështetësit socialistë e të majtë. Është e vërtetë se ka dy kampe kryesore në spektrin politik e elektoral shqiptar, por kjo nuk do të thotë se nuk ka asgjë tjetër midis tyre e përtej tyre. Bile me daljen e forcave të reja politike e rritjen e tyre, si dhe me maturimin e elektoratit, spektri politik shfaqet gjithnjë e më i larmishëm. Nga analiza e rezultateve zgjedhore mund të arrihet në përfundimin se fati i zgjedhjeve nuk përcaktohet më vetëm nga elektorati militant, por varet fuqimisht nga sjellja e elektoratit që ndodhet midis dy blloqeve. Në vendet me demokraci të stabilizuar, ky elektorat arrin deri në 30 për qind e ndoshta më shumë. Për shembull në Spanjë, elektorati midis qendrës së majtë e qendrës së djathtë është rreth 50 për qind. Po ashtu madhësia e grupimit të “votuesve të pavendosur” dhe/apo “abstenues” arrin jo rrallë deri në 50 për qind. Po ashtu përgjithësisht sjellja e elektoratit ka ndryshuar duke marrë karakter transversal e konsumator, në kuptimin që lidhjet e zgjedhësve me partitë politike nuk janë thjesht ideologjike e njëherazi të vendosura. Ato kanë filluar të jenë të lëvizshme e kontraktuale, të përkohshme dhe pragmatiste. Një numër gjithnjë në rritje votuesish mbështesin atë parti politike, që përmes programit dhe ekipit garanton kontratën më të mirë për kërkesat e tij “konsumatore”. Bazuar në këtë aspekt konsumator, votuesit e prishin një kontratë të vjetër jo funksionale dhe janë të gatshëm të lidhin një kontratë të re me atë parti që garanton më mirë realizimin e interesave të tij. Në spektrin e votuesve, krahas “votuesve fanatikë”, numri i të cilëve me maturimin e demokracisë ka ardhur duke u zvogëluar, ekziston edhe “elektorati kryesisht konsumator e tejet pragmatist”, që është rritur pothuajse në të gjithë vendet demokratike me maturimin e demokracisë. Ky është një elektorat i “vështirë”, në kuptimin që nuk vendos lehtësisht dhe me sy mbyllur. Ai është shumë kritik e skeptik dhe merr vendime me shumë vështirësi. Përgjithësisht abstenon. Por është ai që vendos se cila forcë fiton zgjedhjet, aq më tepër që me reduktimin e dallimeve midis të majtës e së djathtës klasike, votuesit janë bërë përgjithësisht hezitues dhe mospjesëmarrës. Betejat elektorale zhvillohen pikërisht për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje dhe “tërhequr” me vete këta votues.
... Mos do të thotë kjo që tani PS-ja do të orientojë veprimin politik vetëm për këta votues...?
Veprimi i PS-së do të mbetet gjithëpërfshirës, duke respektuar maksimalisht “votuesit e përhershëm”. Nga ana tjetër, përqendrimi i vëmendjes dhe i veprimit politik tek zgjedhësit midis “së majtës e së djathtës”, apo “përtej së majtës e së djathtës”, gjë që përbën detyrën më të vështirë. Dhe jo thjesht për motive elektorale, por me synimin për të forcuar mbështetjen dhe rritur pjesëmarrjen e publikut në përcaktimin e qeverisjes së tij. Kjo pjesë e elektoratit është e orientuar kryesisht nga forca politike që garanton stabilitet, qetësi dhe racionalitet. Suksesi në tërheqjen e kësaj pjese të elektoratit varet nga dallimi që PS-ja do të arrijë të krijojë ndaj PD-së për çështjet që ky elektorat interesohet. Karakteristikat e tezës/veprimit politik të PS-së për tërheqjen e kësaj pjese të elektoratit janë: i) konsultimi, ii)qetësia, iii) gjenerimi i stabilitetit, iv) racionaliteti i propozimeve; v) koherenca e sjelljes/veprimeve, vi) thirrja e tyre në zgjidhjen e çështjeve konkrete për të cilat ata interesohen, dhe së fundi vii) dallimi maksimal që do të sjellë PS-ja në qeverisje nga PD-ja aktualisht...
Deri tani dy partitë kryesore të majta, PS dhe LSI janë vendosur në pozicione kritike ndaj njëra-tjetrës, gjë që tregon se paqja mes tyre është e largët. Mendoni se ende ka hapësira për bashkëpunim mes tyre?
Sistemi i ri zgjedhor favorizon më shumë koalicionin paszgjedhor, duke mos përjashtuar format e tjera të bashkëpunimit parazgjedhor e paszgjedhor. Me siguri pas përfundimit të të gjithë ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor, rregullat do të jenë më të qarta dhe mundësitë më të dukshme për të realizuar një bashkëveprim politik e pragmatik shumë më të gjerë sesa midis dy forcave politike. Synimi i PS-së do të jetë pa dyshim maksimalizimi i suksesit në zgjedhjet e 2009, maksimalizim që do të funksionojë në dy përmasa, përmasën socialiste dhe përmasën e majtë. Por ky maksimalizim kalon kryesisht përmes bashkëveprimit me shtetasit e votuesit, pra është një maksimalizim me të gjithë votuesit shqiptarë dhe në funksion të qeverisjes për të gjithë shqiptarët. Objektivi ynë është që çdo votë socialiste të përkthehet në mandat përfaqësimi dhe që votat socialiste të maksimalizohen brenda së majtës. Nga ana tjetër, ne mbetemi shumë të interesuar dhe të angazhuar që çdo votë e majtë të transformohet po ashtu në mandat përfaqësimi. Bile synojmë të shkojmë akoma më larg, në funksion të ndërtimit të qeverisjes së mirë për shtetasit, që votat nga zona e elektoratit të lëvizshëm, të përkthehen me mandate përfaqësimi për forcën tonë politike. Sistemi i ri zgjedhor dhe elementët e tjerë të reformës zgjedhore krijojnë kushtet për më shumë realizëm në bashkëveprimin midis forcave politike. Të gjithë forcat politike kanë shanset e barabarta të bëhen pjesë e suksesit dhe e qeverisjes mbi bazën e vlerave, kontributeve, peshave relative dhe të mandateve të përfaqësimit. PS-ja nuk ka qenë dhe nuk është indiferente me aleatët tradicionalë, por edhe ata të rinj që mund të shfaqen në skenën politike. PS-ja mbetet serioze e luajale për çështjen e bashkëpunimit me të gjithë forcat e majta e padyshim edhe përtej kësaj pjese të spektrit. Bashkëpunim që mund të jetë përgjithësisht politik e afatgjatë, por pa përjashtuar bashkëpunimin pragmatik e në funksion të suksesit në zgjedhjet e vitit 2009. Por gjithmonë do të orientohet drejt një bashkëpunimi realist, të përcaktuar nga vullneti i zgjedhësve dhe në funksion të ndërtimit të qeverisjes për shtetasit.
Ju jeni marrë për një kohë të gjatë me reformën zgjedhore. Kodi Zgjedhor, i cili tashmë është gati për t’u diskutuar në komisionin e posaçëm, krijon hapësira që të arrihet një bashkëpunim mes të majtëve?
Nisur nga përkufizimi kushtetues, në Kodin Zgjedhor do të përshkruhen saktësisht mënyrat e realizimit të koalicioneve zgjedhore. Pra, juridikisht do të ekzistojë e gjithë hapësira për realizimin e koalicioneve zgjedhore. Por marrëveshjet zgjedhore nuk janë dhe nuk mund të jenë thjesht ligjore, ato mbeten në thelb e kryesisht politike. Çështja e realizimit të koalicioneve parazgjedhore midis forcave të majta është çështje e vullnetit dhe analizës politiko-elektorale.
Mendoni se koalicionet duhet të jenë para zgjedhore apo pas zgjedhore?
Përgjithësisht sistemet maxhoritare e të përzier nxisin koalicionet parazgjedhore, kurse sistemet e pastërt proporcionalë, shoqërohen kryesisht nga koalicionet paszgjedhore për formimin e maxhorancave qeverisëse. Në rastin konkret shqiptar, koalicionet parazgjedhore parashikohen juridikisht, por ato as nuk detyrohen dhe as nuk përjashtohen sepse në themel të çdo koalicioni qëndron vullneti dhe analiza politike nga çdo parti/subjekt elektoral. Po ashtu, para se të shkohet në analizën politike, konkretisht për rastin e zgjedhjeve të vitit 2009 në vendin tonë, duhet pritur të konfigurohen në Kodin Zgjedhor të gjithë karakteristikat sesi do të realizohet koalicioni zgjedhor. Jam plotësisht i bindur se do të ketë pas përfundimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një analizë shumë më të thellë, racionale dhe largpamëse edhe për këtë çështje. Të gjithë aktorët dhe faktorët analitikë e vendimmarrës në PS janë të ndërgjegjshëm dhe tërësisht të angazhuar për maksimalizimin e suksesit elektoral të PS në veçanti dhe të së majtës në përgjithësi. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë as panik dhe as eufori, sepse në PS gjithçka bëhet e programuar, racionale dhe e kalkuluar, në përmbajtje e në kohë, për të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet, përfshi edhe atë të bashkëpunimit.
Çfarë bën të besosh sot se PS-ja nuk ndodhet në një situatë të ngjashme me 2005-ën kur nuk gjeti forcë të vendosë një bashkëpunim parazgjedhor me LSI-në, duke rezultuar pas atyre zgjedhjeve humbëse?
Nuk ka asgjë të përbashkët midis situatës politike e zgjedhore në vitin 2005 dhe aktualisht. PS-ja dhe e majta vinte në vitin 2005 pas tetë vjetësh qeverisjeje me një sërë arritjesh e mosarritjesh. Një qeverisje që kishte marrë vendin të “shkretuar” nga zgjedhjet e vitit 1996 dhe ngjarjet e vitit 1997. Por edhe nga një betejë e pashembullt opozitare që kishte realizuar “grushtin e shtetit në vitin 1998” dhe një përpjekje kolosale për të përballuar “krizën më të madhe humanitare në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, krizën e të ardhurve nga Kosova”. Dhe e një qeverisje që realizonte për herë të parë në tranzicion demokratik “kalimin e butë të pushtetit”. Natyrisht për shkak të, i) konsumimit nga qeverisja 8-vjeçare, ii) nga mungesa e një lufte të ashpër kundër korrupsionit, iii) nga mungesa e përvojës dhe e një niveli maturimi të mjaftueshëm politik, por edhe iv) për shkak të mosmarrëveshjeve personale e individuale që çuan në krijimin e LSI-së, PD-ja rezultoi fituese nga humbja e së majtës. Nuk ia vlen të merrem në këtë intervistë kaq të shkurtër me analizën e plotë të situatës politike e të zgjedhjeve të vitit 2005, sepse mjafton perceptimi i elektoratit të majtë për këtë ngjarje elektorale dhe pasojat që ranë mbi të nga qeverisja e Berishës. Tani, në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, jemi në një fazë kur qeverisja Berisha është krejtësisht e konsumuar në atë nivel se ajo mund të konsiderohet në çdo aspekt “qeverisje gërdeciane”. Mbështetja elektorale për PS-në rezulton e rritur, po ashtu edhe për të majtën. Sistemi i ri zgjedhor ka përcaktuar rregulla më të qarta për votuesin në funksion të përzgjedhjes së programit, ekipit dhe drejtuesit të qeverisjes së ardhshme. Duke mbetur pozitiv e optimist edhe për çështjen e bashkëpunimit, më duhet t’ju përsëris se PS-ja është e ndërgjegjshme dhe e angazhuar për maksimalizimin e suksesit elektoral të PS-së në veçanti dhe të së majtës në përgjithësi. Dhe për më tepër i gjithë veprimi politik e elektoral është i programuar saktësisht për të gjithë çështjet deri në detaje dhe sipas kalendarësh kohorë me afatet e përgjegjësit konkretë. Kjo fushatë do të jetë nga pikëpamja e organizimit, e programit dhe e profesionalizmit fushata më moderne e këtyre 17 vjetëve.