E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej tunelit vërtet të mrekullueshëm Berisha

(Meditim dhe pak humor)
Nga Flamur BËRDËLLIMA
Në vitin 2013 kur të vihet në efiçencë të plotë Rruga Durrës Kukës Morinë, do të marr edhe unë fëmijët me makinë të bëj një xhiro sa patriotike aq edhe ekzotike për në Kosovë. Do më kujtohen vitet, kur si shumë shokë të tjerë, që punonin në Pukë apo Kukës, na zinte gjumi në sediljet e autobusëve Skoda, kur ata kalonin tek kthesat e panumërta të Gziqes. Po or po! Tuneli është një vepër inxhinierike e mahnitshme. Mallkuar qoftë ai që e mohon këtë fakt. Ajo që më zë fytin është nominimi personalizues: Tuneli Berisha. U bë modë në Shqipëri të thuhet si nga e majta dhe nga e djathta:
Qeveria ime, Do ta bie qeverinë time në fshatin më të humbur. Nuk do as mend as kalem, se në fushatë do përdoren si ato gjërat më mbresëlënëse. Ashtu siç do përdoret, si kritikuese mospjesëmarrja e opozitës në përurimin e tunelit. Por, tuneli nuk është i gjithë programi i maxhorancës së sotme. Aq më tepër që ato 600 milionë euro nuk i dha Berisha apo familja e tij nga xhepi. Një pjesë janë nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, një pjesë janë marrë borxh me interesa të çmendura që do ti paguajë po populli shqiptar.
Gjithsesi, për tu kthyer tek programi që paraqiti Berisha në 2005: Vërtet është bërë një luftë jo e vogël kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Por në të vërtetë, ky korrupsion nga poshtë u ngrit në nivelet më të larta, duke përfshirë edhe familjen e kryeministrit në afera të llahtarshme. Berisha vjen në këto zgjedhje me këtë tunel të mrekullueshëm, por me gjysmën e ministrave të shkarkuar kryesisht për korrupsion.
Ore po tuneli rroftë, po ku janë ato 4000 km rrugë rurale të premtuara apo punë e madhe kemi tunelin ne.  O po tuneli rroftë e qoftë, or ku janë ato shkollat që do pajiseshin të gjitha me internet kur vetëm 25% rezultojnë të tilla. Ku janë dëmshpërblimet për të përndjekurit? Pensionet e të oficerëve në lirim? Ku është premtimi për uljen e TVSH-së dhe akcizës së naftës për fermerët dhe peshkatarët. Pse Shqipëria rezulton me pikëpyetje të mëdha për standardin e ardhëm të zgjedhjeve. Dhe problemi i problemeve: Ku është kthimi i tokave tek pronarët e ligjshëm. Ata duan tokën që e kanë blerë me gjak të parët e tyre, dhe jo rimbursim pjesor financiar që do mbarojë pas 50 apo 500 vjetësh. Megjithatë, ne kemi tunelin Berisha. Në pikëpamje psikologjike, ky personalizim i ëndrrës së një populli të tërë rreth një emri të vetëm, me dhimbje e them, tregon shkallën e ulët të qytetarisë që ka populli ynë. Natyrisht, fenomeni nuk është vetëm shqiptar:
Edhe Napoloeoni në kohën e Burbonëve imagjinohej si një farë filantropi idilik dhe liberal, mik i të vuajturve, kujtimi për të cilin sipas fjalëve të poetëve do të jetonte gjatë nën çatinë e kasolleve. Ai që e njeh sado pak psikologjinë, e di se historia përjetëson vetëm mitet, dhe Saliu do që të bëhet i tillë. Do të thotë që sa të jetojë tuneli do jetojë edhe emri Sali. Mjerisht, jo vetëm në Shqipëri, kjo ndjenjë e zmadhimit dhe e mitizimit përhapet shumë shpejt me anë të sugjestionit që tek ne e shkakton kryesisht media e shitur dhe infektimi të fjalimbajtësve. Kështu që tuneli e ka edhe këtë përmasë. Aq më tepër që Saliu zotëron artin e arteve: Artin për tju drejtuar turmës. Aferim, si të gjithë diktatorët e tjerë të botës. Mirëpo ... Historia ka edhe kapriçiot e saj, të cilat vijnë o shpejt o me vonesë. Por vijnë. Për të krijuar balancat.

Last Updated on Tuesday, 02 June 2009 10:42

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›