Përurohet portali online i gjykatave, Berisha: Arritje drejt transparencës
Tiranë- Që nga dita e sotme gjykatat në vend do të kenë portalin e tyre online, një projekt ky që pritet të rrisë transparencën dhe mbikqyrjen e drejtësisë.
Kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e përurimit të portalit online të gjykatave, e ka konsideruar këtë si një hap të madh drejt transparencës, sidomos për një vend që vjen nga një psikologji bunker, ndërkohë që ka shtuar se heqja e imunitetit do të shtojë besimin e publikut.
Portali online është një hap shumë i madh përpara në drejtim të trasparencës por vendime të rëndësishme na presin dhe kjo është heqja e imunitetit. Ne duhet të ndihemi krenar me kërkesën tonë për heqjen e imunitetit pasi kjo do të na bëjë më të barabartë. Në mënyrë të padiskutuar që funksioni i çdo zyrtari do të mbrohet por jo kur pushteti përdoret për pasurim të paligjshëm. Heqja e imunitetit do të bëjë të mundur një zhvillim të rëndësishëm dhe pozitiv për çdo gjykatës dhe do të rrisë përgjegjshmërinë e tij dhe respektin e qytetarëve ndaj tij,- deklaroi Berisha.
Ndërkohë ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi e cilësoi këtë një histori të re moninotorimi e inspektimin online për gjyqtarët. “Identifikimi dhe adresimi i një ankese për devijim të drejtësisë do të përfundojë si kurrë më parë në kohë rekord, duke i dhënë mundësi Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë të reagojë sa më shpejt ndaj ankesave për padrejtësi, abuzim dhe korrupsion në gjyqësor”,- deklaroi ai
“Sistemi i ri digital për gjykatat na sjell sot edhe një modul te ri: Matjen e performancës së trupës gjyqësore. Sistemi do të gjenerojë të dhëna automatike për çdo gjyqtar, sa vendime i janë prishur apo ndryshuar, sa shpejt ka gjykuar, sa efektiv ka qënë puna e tij, të dhëna këto absolutisht të rëndësishmepër të bërë vlerësimin e gjyqtarëve për efekt promovimi”,- vijoi më tej Halimi
Të dy zyrtarët e kanë konsideruar këtë portal online si ndërmarrjen e tretë më të madhe në kuadër të Shqipërisë dixhitale.
/IDEA/