Kleves Muja në gjendje kome, gjykata rrëzon kërkesën për ekstradim
Shkodër- Gjykata e Shkodrës ka rrëzuar kërkesën për ekstradim të ish-kryekomunarit të Rrethinës Kleves Muja i cili akuzohet nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge.
Muja më 4 Qershor, vetëm tre ditë pas arrestimit, u plagos me sende të forta në burgun e ‘Shën Kollit’ në Lezhë ku mbahej nga autoritet shqiptare.
Klevis Muja është qëlluar me mjete të forta, kaçavidë, në pjesën e fytit nga një i burgosur gjatë së kohës së ajrosjes dhe aktualisht vijon të jetë në gjendje kome.
Sipas të dhënave Muja dhe autori i plagosjes Xheladin Kruja, i cili vuan dënimin më 12 vjet burg për vrasje, kanë pasur një konflikt të hershëm mes tyre.
Dy ditë para plagosjes gjykata vendosi se ish-kryekomunari Muja do të qëndrojë në arrest për 40 ditë. Gjykata e Shkallës se Parë Shkodër e konsideroi të ligjshëm arrestimin e kryetarit të Komunës Rrethina, nën akuzën Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike.
Asokohe ministria e Drejtësisë shkarkoi nga detyra kreun e Burgut së Shënkollit Valentin Mirin së bashku me stafin e sigurisë.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në burgun e Lezhës ku një i dënuar u sulmua nga një tjetër, Ministri i Drejtësisë z.Eduard Halimi ka urdhëruar menjëherë hetimin e ngjarjes së rëndë nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve. Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar sot pezullimin nga detyra të Drejtorit të Burgut të Lezhës,Valentin Miri si dhe pezullimin nga detyra të gjithë ekipit të sigurisë së burgut duke filluar nga shefi i policisë Besim Rama si dhe punonjësit e shërbimit Pjerin Marku, Artur Mera, Bujar Kasmi, deri në përfundim të hetimit nga strukturat përkatëse- thuhet në njoftimin e MD-së.
Muja u arrestua nga policia shqiptare më 1 Qershor të këtij viti nga policia e Shkodrës. Kryekomunari është shpallur në kërkim ndërkombëtar për drogë në Itali dhe arrestimi është bërë për llogari të drejtësisë së shtetit fqinj. Muja ishte kryetar i kësaj komune që prej datës 8 Maj të vitit 2011 ku kandidoi për Partinë Socialiste. Ai gjithashtu ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare në këtë parti. Po ashtu 38- vjeçari kishte 1 vit në këtë detyrë.
/IDEA/