E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet rruga Dobrushë-Banjë e Istogut

Istog, 6 gusht - Ministri i MTTK-së, Fatmir Limaj, kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, dhe kryetari i SDA-së, Numan Baliq, të premten në Dobrushë, në një ceremoni rasti kanë prerë shiritin e përurimit të rrugës së asfaltuar Dobrushë-Banjë, me gjatësi prej 4 kilometrash, rrugë kjo që lidhë banorët e disa fshatrave me popullatë të përzier.
Sipas ministrit Limaj, për asfaltimin e kësaj rruge janë investuar 600 mijë euro, ndërsa brenda 2 vjetëve, në komunën e Istogut kjo ministri ka investuar afër 5 milionë euro për  asfaltimin e rrugëve të ndryshme. Limaj gjithashtu ka premtuar investime të reja në rrugë të kësaj komune, dhe, siç ka thënë, këtë do ta bëjë këtë falë bashkëpunimit të mirë që ka me strukturat komunale dhe me njerëzit e Istogut, por edhe me njerëzit e Istogut që punojnë në Qeverinë e Kosovës, të cilët po e ndihmuakan edhe në përzgjedhjen e projekteve, duke u bazuar në prioritetet që kanë.
"I uroj qytetaret e kësaj pjese që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë, ky vend është shembull i mirë i bashkëjetesës, prandaj edhe qeveria është e kënaqur qe po lehtëson jetën e banorëve të kësaj ane. Mirëqenia e qytetarëve po ndryshon për të mirë dhe ne jemi të përkushtuar për të vazhduar me projekte të përbashkëta me komunën", ka theksuar Limaj.
Ndërkaq, kryetari i Istogut, Haki Rugova ka falënderuar investitorin për ndihmën e dhënë në asfaltimin e kësaj rruge dhe njëherësh ka përgëzuar banorët e këtyre fshatrave për rrugën e re.
"Ne do të vazhdojmë me punën tonë, në realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore dhe do të vazhdojmë me bashkëpunim të mëtutjeshëm me qeverinë e
Kosovës, me ministri të ndryshme, në mënyrë që të përfitojmë sa më shumë projekte, të
cilat do të ndikonin në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë", është
shprehur Rugova, duke u zotuar për angazhim të mëtejshëm për të mirën e qytetarëve të
Istogut.
Për rrugën e re ka folur edhe Numan Baliq, kryetar i SDA-së, ndërsa ka falënderuar edhe investitorin për investimin e bërë në ndërtimin e kësaj rruge, e cila do të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve që jetojnë në këtë zonë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›