E Diel, 1 Nëntor 2026

Dragashi do lidhje infrastrukturore me Shqipërinë e Maqedoninë

Prishtinë, 6 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka vizituar sot komunën e Dragashit. Gjatë vizitës në Dragash, delegacioni i MPB-së u takua me kryetarin e kësaj komune Salim Jonuzin, me të cilin bisedoi për çështjen e vendkalimeve kufitare të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Me këtë rast, Rexhepi premtoi krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore në këtë trekëndësh kufitar.

"Janë disa çështje që kërkojnë kohë dhe mjete, mirëpo do të shikojmë të krijohen kushte më të mira infrastrukturore për vendkalimet kufitare me Maqedoninë dhe gjithashtu Shqipërinë, i cili vendkalim kalohet vetëm në këmbë. Këtu do të shikojmë të krijohen kushte më të mira infrastrukturore në mënyrë që të mund të lëvizet edhe me automjete", tha ministri i Brendshëm.

Delegacioni i MPB-së vizitoi edhe Qendrën e Regjistrimit Civil dhe Stacionin Policor në Dragash. Në takim me krerët policorë u bisedua për gjendjen e sigurisë në këtë rajon, ku nga të dy palët u vlerësua të jetë e qetë, pa ndonjë incident të shënuar.

Me këtë rast, u diskutua edhe për rritjen e numrit të stafit policor të këtij rajoni, me qëllim të shtimit të numrit të patrullimeve policore, sidomos në fshatrat kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›