E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqëria civile dhe pushteti i Pejës solidarizohen me Ramush Haradinaj

Pejë, 6 gusht - Një marshim solidarizues me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj,është mbajtur të premten në mesditë në qytetin e Pejës. Ftesës së shoqërisë civile për marshim të përbashkët edhe me pushtetin lokal iu kanë përgjigjur shumica e punonjësve të KK-së. Në kohë pauze ka qenë vetë kryetari i Pejës, Ali Berisha në ballë të qindra qytetarëve që mbanin veshur fanella me fotografinë e liderit Haradinaj.
Pas marshimit në qendër të qytetit, para të tubuarve të shumtë ka folur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi. “Jemi takuar këtu të dëshmojmë një solidaritet që përcjell me vete një porosi shumë të madhe për mbrojtjen e vlerave dhe të procesit të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se Ramush Haradinaj është një ish-luftëtar i përmasave të mëdha. Lajçi, i cili në Pejë simbolizon njeriun e protestave studentore të vitit 1981, dhe kryetarin e komunës për dy mandate, ka shtuar se Haradinaj është dëshmuar për një luftë të drejtë në mbrojtje të popullit të vet. “Ne sot duhet të mbrojmë vlerat  dhe të fuqizojmë edhe më shumë Kosovën si një shtet funksional dhe ligjor”, ka thënë ai i duartrokitur nga masa.
Marshimin e pejanëve Lajçi e ka cilësuar edhe si një rast të mirë që organeve shtetërore të Kosovës t’i dërgohet mesazh se shqiptarët janë unik për të mbrojtur vlerat dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, Veton Mujaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Syri i Vizionit”, në emër edhe të shumë OJQ-ve tjera, ka thënë se shoqëria civile është e bindur në pafajësinë e Ramush Haradinajt. “Kosova ia ka borxh solidarizimin Ramushit. Ia ka borxh përkrahjen dhe besimin”, ka thënë Mujaj. Haradinajn e ka cilësuar si shembullin më të mirë të vetëflijimit për interesat kombëtare. Ai ka rikujtuar thënien e liderit Haradinajt, një ditë para se të nisej për Hagë, se më i rëndësishëm se vendimi për të ishte vendimi që do të merrte GJND-ja për Kosovën. Në këtë prizëm Mujaj, duke artikuluar edhe bindjen e shoqatave të tjera, ka potencuar se vetëm ata të cilët mendojnë për Kosovën para se të mendojnë për veten janë ata që përherë kanë admirimin e qytetarëve të Kosovës.
Marshi i së premtes është organizuar nga  “Iniciativa Qytetare për Solidarizim me Ramush Haradinajn”.
Haradinaj është paraburgosur më 21 korrik për rigjykim të pjesshëm, bashkë me dy ish-luftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Urdhrin për rifillim të pjesshëm të gjykimit të tyre e ka lëshuar Gjykata e Apelit e Tribunalit të Hagës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›