E Diel, 1 Nëntor 2026

Posselt: Pavarësia e Kosovës një histori suksesi

Strasburg, 6 gusht - Raportuesi për Kosovën i fraksionit më të madh në Parlamentin Evropian EVP (Kristiandemokrat), Bernd Posselt, i tha Radio Kosovës se ky grup parlamentar pas opinionit të GJND-së ka shtuar trusninë masive ndaj pesë vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. “Jemi duke punuar intensivisht dhe jemi në bisedime intensive që të bindim këto vende që ta njohin sa më shpejtë pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Sipas tij,  Parlamenti Evropian “me kërkesën time ekskluzive” me shumicë absolute u ka kërkuar këtyre pesë vendeve që ta njohin më në fund pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ne jemi duke vazhduar të ushtrojmë një trusni masive ndaj tyre që ta bëjnë këtë. ç’është e vërteta ato nuk janë të detyruara juridikisht ta bëjnë këtë, sepse kjo është një vendim i lirë i çdo vendi, por veprimi i tyre po dëmton unitetin e Bashkimit Evropian, punën praktike të EULEKS- it në Kosovë, për më tepër ky veprim po dëmton autoritetin e Bashkimit Evropian në botë. Më duhet të ju them se jemi duke punuar intensivisht dhe jemi në bisedime intensive që të bindim këto vende që ta njohin sa më shpejtë pavarësinë e Kosovës. Sa i përket pyetjes për Rusinë, më duhet të ju them se ajo po vazhdon politikën e luftës së ftohtë. Rusia dëshiron të shohë përçarje në Evropën Juglindore, dhe më duhet të them se politika ruse ndaj Kosovës është politikë e shekullit 19, e cila nuk ka vend në shekullin 21.
Bernd Posselt  i tha Radio Kosovës se Parlamenti Evropian në rezolutën e vet ka përjashtuar çdo opsion të ndarjes së Kosovës. Parlamenti Evropian përmes rezolutës për Kosovën e ka thënë qartë si kristali se nuk do të ketë më kurrë farë bisedimesh për statusin e Kosovës. Ato kanë përfunduar përgjithmonë. Ajo që Prishtina dhe Beogradi mund të bëjnë janë bisedime për çështjen e zgjidhjes së problemeve që kanë të bëjnë me çështje praktike dhe mirëqenien e qytetarëve të të dyja vendeve, si është qarkullimi i lirë i qytetarëve në kufij, bashkëpunimi ekonomik, mbrojtja e ambientit , lufta kundër krimit të organizuar etj. Por këto bisedime duhet të zhvillohen në nivel të barabartë midis dy shteteve, sepse pavarësia e Kosovës e shpallur para dy vitesh e gjysmë është tani një realitet i kryer. Kemi një pavarësi shumë të suksesshme të shtetit të Kosovës. Për mua pavarësia është një histori suksesi për të cilën s’ka çfarë diskutohet më sepse është një punë që nuk mund të niset më nga fillimi.

Ai për çështjen e Mitrovicës përkujtoi se ka një plan të Ahtisarit, i cili tashmë është bërë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Në sytë e mi kjo Kushtetutë është ndër kushtetutat më të mira jo vetëm në Evropë por edhe në botë sa i takon të drejtave që ofron për pakicat. E tëra që duhet bërë është zbatimi në praktikë i këtyre të drejtave, mirëpo minoriteti serb duhet të jetë kooperues me institucionet e Kosovës për ti shfrytëzuar këto të drejta. Më gëzon fakti që çdo ditë e më tepër minoriteti serb po kupton nevojën për të njohur realitetin e ri në Kosovë dhe për tu bërë pjesë e institucioneve të Kosovës. Zoti Feith para Parlamenti Evropian, por edhe në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian ka dëshmuar se pjesa më e madhe e minoriteti serb në Kosovë tani ka filluar një bashkëpunimin konstruktiv me institucionet e Kosovës. Ky është një veprim që përkrahet fuqishëm nga ne. është shumë keq që një shtet si Serbia të instrumentalizojë për interesa të veta, minoritetin serb në shtetin fqinj, kjo vetëm sa dëmton bashkësinë serbe në Kosovë dhe nuk e ndihmon atë. Minoriteti serb do të forcohet vetëm kur ta kuptojë se ai është pjesë e shteti demokratik të Republikës së Kosovës, ku kanë më shumë të drejta sesa minoritetet tjera në shumë vende evropiane. Nevojitet vetëm bashkëpunimi për ti realizuar ato.

Parlamentari evropian i tha Radio Kosovës, po ashtu, se vendet e Bashkimit Evropian duhet të kujdesën së pari që Kosova shtet sovran dhe i pavarur, të forcohet dhe jo të dobësohet, ndërsa duhet të kontribuojnë që edhe shtete të tjera të njohin pavarësinë e Kosovës, të punojnë për këtë. Shihni, pjesa më e madhe e shteteve të botës do ta kishte njohur kah mot pavarësinë e Kosovës sikur mos të kishte një diplomaci shumë aktive ruse, e cila përpiqet ti pengojë këto shtet ta njohin Kosovën. Tani ajo që SHBA-ja dhe vendet e BE-së që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të bëjnë, është të veprojnë të kundërtën që po bën Rusia, të punojnë dhe të bindin miqtë dhe aleatët e tyre brenda Asamblesë së Kombeve të Bashkuara që ta njohin Kosovën duke u thënë se është në interes të Evropës që Kosova të forcohet si shtet i pavarur dhe sovran, me kufij të pandryshueshëm, tu thuhet atyre se kjo është një çështje ekzistenciale për Evropën, sepse Kosova nuk ndodhet në Australi apo Azi, por në mes të Evropës, tha ai në një intervistë për Radio Kosovën.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›