E Diel, 1 Nëntor 2026

“Përvjetori i parë pa viza, tregoi se shqiptarët e meritonin dhe e meritojë këtë arritje”

16-12-2011 / Gazeta 55

Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, kreu i LSI-së Ilir Meta

Ish zëvendëskryeministri, Ilir Meta përshëndeti dje 1 vjetorin e hyrjes në fuqi të vendimit të Bashkimit Evropian, për lëvizjen pa viza të qytetarëve shqiptarë, në hapësirën “Schengen”.
Në daljen e tij për mediat, Meta vlerësoi këtë arritje të qytetarëve shqiptarë, ndërsa theksoi maturinë e treguar, përkundrejt paragjykimeve dhe skepticizmit të shprehur nga një pjesë e caktuar e forcave politike.
“Sot është përvjetori i parë që nga momenti kur të gjithë qytetarët shqiptarë fituan të drejtën për të lëvizur si qytetarë të barabartë evropianë në të gjithë hapësirën ‘Schengen’. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë, të popullit tonë dhe të gjithë qytetarëve tanë, në veçanti gjatë gjithë këtyre 20 viteve, pasi vetëm në një vit rreth 800 mijë qytetarë shqiptarë e kanë prekur këtë arritje, këtë fitore dhe këtë sukses. Jemi krenarë sot, një vit pas kësaj arritjeje, për arsye sepse përkundër edhe skepticizmit për fat të keq të forcave të caktuara politike edhe brenda vendit apo edhe qarqe të caktuara jashtë vendit, të cila paragjykonin se kjo lëvizje e lirë do të sillte probleme në vendet e hapësirës ‘Schengen’, pra përkundër të gjithë këtyre paragjykimeve, përkundër të gjithë këtij skepticizmi qytetarët shqiptarë u sollën në mënyrën më shembullore, në mënyrën më evropiane, në mënyrën më korrekte, në mënyrën më të përgjegjshme duke treguar se ata vërtet e meritonin dhe e meritojnë këtë arritje duke mos sjellë asnjë shqetësim, përkundrazi”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së theksoi se me liberalizimin e vizave, për shqiptarët mori fund makthi i qëndrimit me javë të tëra përpara ambasadave të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Kjo është arsyeja që edhe vetë Komisionerja Malstrom ka bërë vlerësimet e saj për këtë mënyrë tepër të përgjegjshëm se si iu përgjigjën të qytetarët shqiptarë, përgjatë këtij viti, kësaj drite jeshile që dha Bashkimi Evropian dhe vendet e zonës ‘Schengen’. Jemi krenarë njëkohësisht po të kemi parasysh se gjatë këtij viti, sa kohë e jashtëzakonshme, e çmuar është kursyer për qindra e mijëra qytetarë shqiptarë të cilët në të kaluarën do t’i duhej të mbanin radhë të gjata dhe të pafundme për javë, muaj të tërë pranë ambasadave të huaja me qëllim për të lëvizur në vendet e hapësirës ‘Schengen’”, tha ai.
Gjithashtu, Meta vlerësoi përgjegjshmërinë e treguar nga qytetarët shqiptarë në respektimin e rregullave të udhëtimit pa viza në “Schengen”.
Sipas tij, qytetarët tanë janë sjellë në mënyrë shembullore.
“Njëkohësisht jemi krenarë sepse gjatë këtij viti i është dhënë dinjiteti i merituat pasaportës tonë, të qytetarëve shqiptarë, e cila po fiton një dinjitet gjithnjë edhe më të madh. Njëkohësisht jemi të lumtur sepse kjo arritje nuk kufizohet vetëm me atë që u fitua një vit më parë, përkundrazi. Edhe gjatë ditës së djeshme u nënshkruan 2 marrëveshje tepër domethënëse me Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku për herë të parë qytetarët tanë do të lëvizin në vendet fqinje vetëm me karta identiteti. Ndërkohë që shumë marrëveshje janë arritur, po negociohen, po diskutohen me shumë vende të tjera të rëndësishme, në të gjithë botën, me të cilat shqiptarët dëshirojnë të komunikojnë dhe të zhvillojnë marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat, të cilat do të synojnë përsëri heqjen e vizave me këto vende dhe fitimin e lehtësive të tjera.  Prandaj është një përvjetor tepër domethënës, është një përvjetor tepër i suksesshëm dhe jam i sigurt që kështu do të vijojë edhe në të ardhmen. Me këtë rast, mendoj se falënderimi më i mirë u takon qytetarëve tanë të cilët janë sjellë në mënyrën më shembullore përgjatë gjithë këtij viti”, deklaroi më tej, ish kryediplomati shqiptar, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›