E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përvjetori i tragjedisë së studentëve kinezë

Sheshi i Tien An Menit u mbush nga uniformat e policisë të enjten, ndërsa shteti komunist tregoi vendosmëri të skajshme për të parandaluar çdo mundësi përkujtimi të përvjetorit të njëzetë të shtypjes me gjak të protestës për demokraci, ku gjetën vdekjen qindra vetë. Vizitorët që kërkonin të shkonin në sheshin në qendër të Pekinit, u ndalën nëpër postblloqet e policisë, ku dhe u kontrolluan imtësisht, ndërkohë që gazetarët dhe reporterët e huaj u detyruan të qëndronin larg.

Disa aktivistë, të vendosur për të përkujtuar shtypjen e përgjakshme të protestës së drejtuar nga studentët, sugjeruan në forume të ndryshme në internet që të rinjtë të shkonin në shesh të veshur me të bardha. Por nuk u pa asnjë veshje e bardhë mëngjesin e së enjtes, ashtu si dhe asnjë shenjë që të tregonte se aty do të zhvillohej ndonjë protestë.

Numri i agjentëve të veshur me rroba civile, që rrethonin oficerët me uniformë, qe më i madh se i turistëve. Një numër i madh furgonësh të bardhë qe parkuar në vijë të drejtë përpara mauzoleumit të Mao Ce Dunit.

Nga Uashingtoni, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, i bëri thirrje Pekinit të publikonte emrat e të vrarëve, apo të zhdukurve gjatë asaj tragjedie, duke nënvizuar se kjo do ta ndihmonte Kinën "të shërohej". "Një Kinë që ka bërë progrese gjigande në rrafshin ekonomik dhe po kërkon të zërë vendin e duhur në lidershipin global, duhet t‘i ekzaminojë nën dritën e diellit ngjarjet më të errëta të së shkuarës", tha Klinton në një deklaratë për shtyp.

Sekretarja e Shtetit u kërkoi autoriteteve kineze lirimin e të gjithë të burgosurve që vuajnë ende dënime për shkak të pjesëmarrjes në ngjarjet e 4 qershorit, duke shtuar se "Kina mund të nderojë kujtimin e asaj dite, duke bërë përpara në ligjin e së drejtës, në mbrojtjen e të drejtave dhe në zhvillimin e demokracisë me të njëjtin prioritet që u ka dhënë reformave ekonomike".

Presidenti i Tajvanit, Ma Jing Xheo, përdori tone të ashpra lidhur me refuzimin e Pekinit për të ekzaminuar episodin e dhimbshëm të vitit 1989. Ai bëri thirrje për angazhim të plotë nga ana e qeverisë kineze, duke nënvizuar se "kjo periudhë e dhimbshme e historisë duhet përballuar me kurajë dhe se nuk mund të lihet qëllimisht në harresë".

Diskutimi publik i ngjarjeve të Tien An Menit është bllokuar sistematikisht. Asnjë prej gazetave nuk e përmendte tragjedinë në numrat e ditës së djeshme. Faqet e para i zinte rritja ekonomike në vend dhe blerja e makinave të markës "Hummer" nga kompania amerikane "General Motors", prej një firme kineze.

Gjatë ditëve të para të javës, disa site sociale në internet u bllokuan, ndërkohë që disa disidentë të njohur u mbajtën nën masa sigurie nga forcat policore, u kufizuan brenda banesave të veta, apo u shoqëruan jashtë qytetit nga policia.

Xhang Kisheng, i cili u dënua me katër vite burgim në 1999-ën, pas publikimit të një letre të hapur ku i kërkonte Partisë Komuniste të ekzaminonte me përgjegjësi ngjarjet e 4 qershorit, tha se qe urdhëruar nga autoritetet e rendit të mos largohej prej apartamentit, përveçse për ndonjë shëtitje të shkurtër.

"Nisën ta mbanin nën vëzhgim apartamentin tim që më 15 maj", tha gjatë një interviste telefonike të dhënë për amerikanen "The New York Times". "Deri dje më lejohej të shkoja në pishinë apo për të psonisur, por sigurisht vetëm me makinë. Por që dje më është ndaluar çdo lloj lëvizje. Nuk e kemi harruar 4 qershorin, shtoi disidenti, dhe besoj se pjesa më e madhe e kinezëve të brezit tim nuk kanë ndër mend ta harrojnë. Thjesht sot janë të përfshirë nga rutina e jetës së përditshme".

Në aeroportin e Makaos, në Kinën Jugore, autoritetet e emigracionit ndaluan një ish-student me rol kyç në protestat e sheshit Tien An Men. Ndërsa udhëtonte nga Tajvani, 41-vjeçari Vu Er Kaiçi, tashmë bankier, tha se donte t‘u dorëzohej autoriteteve kineze dhe të përballej me gjykimin pas 20 vjetësh arrati. Tregoi se kishte vendosur të kthehej në shtëpi, pasi që prej dy dekadash nuk i shihte prindërit. "Dua gjithashtu të jem në një sallë gjyqi ku të mund të flas. Arrita në përfundimin se nuk duroja dot më", tha në një intervistë të dhënë nga një dhomë e aeroportit, ku mbahej në gjendje arresti. "Në fakt, ne disidentët në arrati bëjmë pikërisht këtë. Kërkojmë me çdo kusht të kthehemi në shtëpi, por dera është gjithnjë e mbyllur".

Në vitin 1989, Kaiçi ishte një student 21-vjeçar i Universitetit Normal të Pekinit, si dhe një prej liderëve kryesorë të lëvizjes për demokraci, që u shua me gjak në forcat e armatosura. Me qindra - në mos më shumë - gjetën vdekjen në çastin kur qeveria dërgoi trupat dhe tanket në shesh. Kaiçi, i cili ishte i dyti në listën e më të kërkuarve nga qeveria, arriti të largohej nga vendi. Të mërkurën kishte rrëfyer në një intervistë se, po ta dinte që do të derdhej aq shumë gjak, nuk do të kishte dashur që ajo të zhvillohej. "Kur di se do humbasin jetë njerëzore, si mund ta marrësh atë vendim", rrëfeu disidenti.

Agjencia "Associated Press" raportoi dje se Xhiang Xhiaojit, një tjetër disidenti që mori pjesë aktive në demonstrimet e vitit 1989, iu ndalua të mërkurën hyrja në aeroportin e Hong-Kongut. Përvjetori i 4 qershorit në këtë vend kujtohet çdo vit. Në këtë kuadër, një prej zëdhënësve të Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në Hong-Kong tha për "Associated Press" se "vendimi për ta ndalur disidentin Xhiang Xhiaoji, tashmë qytetar amerikan, ishte një veprim shumë i dënueshëm për një shoqëri si ajo e Hong-Kongut, e njohur si e hapur".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›