E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarët shqiptarë të Amerikës bashkohen nga libri

Panairet e librit shqip nuk çelen vetëm në Tiranë e Prishtinë. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka arritur të organizojë të parin panair me libra të autorëve shqiptarë që jetojnë në SHBA. Rreth 130 krijues dhe botues u paraqitën në këtë panair, i hapur në mjediset e Kolegjit Monro-Nju Jork, që për disa orë u shndërrua në qendrën e njohjes dhe lidhjeve mes artistëve dhe krijuesve të vjetër e të rinj. Veprat e prezantuara përfaqësonin një gjeografi të shkrimit shqip me përkatësi shqiptarët nga Ballkani, por që prej shumë vitesh janë "ngulur" në SHBA. Autorët bashkëkohës erdhën në panair si pasardhëse të penave të ndritura, Konica, Noli, Pipa, Frashëri, Floqi, Xhaferri e shumë e shumë të tjerë që lidhën zhvillimet e qytetërimit perëndimor me vendin e tyre, Shqipërinë. Krijimet letrare, botimet dhe përkthimet kanë mbetur i vetmi dokument i shkruar i historisë për më se një shekull dhe njëkohësisht ura e lidhjes shpirtërore me brezin e ri të emigrantëve poetë, shkrimtarë e studiues. Adnan Mehmeti, president i shoqatës dhe Albana Mëlyshi, një nga organizatoret e aktivitetit, theksuan punën që duhet të bëhet në tregun e botimeve dhe përkthimit të autorëve. Në panair u dorëzuan çmime dhe stimuj për disa autorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›