Pesë akuza vrasësit të policëve, Hasani
Prokuroria mbylli hetimin për autorin e vrasjes së dy policëve në Shënmëri të Kukësit, krim i ndodhur një muaj më parë
Efektivët Dobrusha dhe Hila u vranë pas denoncimit të dhënë për Afrim Hasanin në prokurori një javë para krimit
TIRANË- Mbyllet hetimi ndaj Afrim Hasanit të akuzuar për vrasjen e dy policëve në Kukës, ndërsa prokuroria ka ngritur ndaj tij pesë akuza të cilat duhet të provohen me 19 dëshmitarë dhe dy deklarime të viktimave, pa llogaritur provat shkencore të administruara nga hetuesit në vendin e ngjarjes dhe gjatë arrestimit të autorit.
Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën 35 ditë kohë për të mbyllur fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me të pandehurin Afrim Hasani në gjykatë. Ndaj Hasanit rëndojnë pesë vepra penale, mes tyre vrasja e dyfishtë e policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.
Sipas burimeve zyrtare, konfirmohet se prokurori Ardian Nezha, pas analizës së fakteve dhe provave të mbledhura për këtë çështje, ka vendosur mbylljen e hetimit dhe dorëzimin e dosjes pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim të hartuar nga akuza, mësohet se për të provuar pesë akuzat e ngritura ndaj Hasanit, prokuroria përveç provave të mbledhura do të kërkojë pyetjen në gjykatë edhe të 19 dëshmitarëve të akuzës.
Po ashtu pritet të kërkojë leximin edhe të dy deklarimeve të viktimave Dobrushi e Hila të dhëna një javë para vrasjes së tyre në Prokurorinë e Kukësit.
Këta të fundit kishin denoncuar Afrim Hasanin për veprën penale të "kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë". "Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Afrim Hasani, ishte me precedentë penal që nga kthimi i tij në fund të vitit 2007 nga Finlanda ku kishte emigruar për disa vite dhe pas kthimit jetonte me gruan dhe dy vajzat e mitura në fshatin Petkaj të Kukësit.
Me t'u kthyer në vend, ai është akuzuar dhe më pas dënuar me 4 muaj burg për "falsifikim të akteve të gjëndjes civile". Pas daljes nga burgu, ai është njohur si konsumator i alkoolit,- thuhet në kërkesën për gjykim.
Konflitki
"Nga provat e grumbulluara është provuar se me datë 16 mars 2009 në qendër të fshatit Shëmri të Kukësit, në lokalin e shtetases me inicialet A.B. ka hyrë me forcë i pandehuri Afrim Hasani me një shokun e tij. Me të hyrë në lokal, i pandehuri Hasani ka thyer pa asnjë motiv një pasqyrë, dy karrike dhe gota e pjata që ndodheshin mbi tavolinë.
Pas kësaj rrëmuje, pronarja e lokalit ka kërkuar ndihmë nga dy punonjësit e policisë Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila që kryenin detyrën e inspektorëve të Policisë në Sektorin e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Kukësit, në patrullim në aksin rrugor kombëtar Kukës-Tiranë.
Pas këtij informacioni për dëmtimin e lokalit, efektivët e policisë, Hila e Dobrushi, bashkë me një koleg të tyre kanë dalë në një rrugë për të bllokuar automjetin ku lëvizte i pandehuri Hasani.
Rreth orës 15:15 minuta të datës 16 mars 2009, policët kanë ndaluar makinën e tipit "Benz Mercedes" D 240 me targa KR 3778 A, në vendin e parë si pasagjer ndodhej i pandehuri Hasani ndërsa në makinë ndodheshin edhe tre persona të tjerë. Me të ndaluar makinën, policët kanë kërkuar të zbresin nga makina të gjithë pasagjerët dhe t'i jepeshin dokumentet e mjetit.
Në këtë moment i pandehuri Hasani është konfliktuar me punonjësit e policisë veçanërisht me policin Dobrusha, që ka filluar me fjalë dhe më pas është shoqëruar deri në përdorimin e dhunës fizike në mënyre të ndërsjelltë mes policëve dhe të pandehurit Hasani.
Pas këtij konflikti, i pandehuri me shokët është larguar ndërsa efektivët e policisë Dobrusha e Hila e kanë kallëzuar në prokurori të pandehurin Hasani për "kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë".
Pas kallëzimit, efektivët e Kukësit kanë kryer kontrollin e banesës së të pandehurit Hasani në fshatin Petkaj, ku në mungesë të tij e kanë shpallur në kërkim atë pas kallëzimit të policëve, që u bë shkaku që ai të hakmerret ndaj tyre.
I pandehuri Hasani ka mundur të sigurojë një armë "Kallashnikov" dhe pasditen e datës 23 mars, në qendër të fshatit Shëmri, pasi nuk i ka gjetur efektivët e policisë ka qëlluar ndaj makinës së shokut të tij, makinë e cila ishte bllokuar anash rrugës nga policia.
Më pas aty rreth orës 21:00 të darkës, i pandehuri Hasani duke ditur lëvizjet e policëve Dobrushi dhe Hilaj, me të cilët ishte konfliktuar një javë me parë ka hyrë në lokalin ku dy policët po prisnin të merrnin turnin e punës dhe ka hapur zjarr ndaj tyre, duke i lënë të vdekur në vend",-thuhet në kërkesën për gjykim që tashmë ndodhet në duart e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Prokuroria
Hasani shkatërroi pronat në vlerën 35 mijë lekë
TIRANË- Përveç akuzave të vrasjes së dy policëve, kundërshtimit me dhunë të policisë dhe armbajtës pa leje të kryera nga i pandehuri Afrim Hasani, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur edhe akuzën e "shkatërrimit të pronës". Ku me përfundimin e hetimeve, prokurorisë i janë dorëzuar edhe akt-ekspertimet e vlerësimit të dëmeve, të shkaktuara nga i pandehuri Hasani.
Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se i pandehuri Hasani ka thyer me dhunë dhe pa ndonjë motiv një pasqyrë, dy karrike dhe gota e pjata që ndodheshin mbi tavolinë.
Nga ekspertimi vlerësues i dëmeve të shkaktuara nga i pandehuri Hasani mesditën e 16 marsit 2009 ka rezultuar se në lokalin e shtetases me inicialet A.B. është shkaktuar një dëm i cili kap vlerën 6240 lekë të reja.
Ndërkohë, pasditen e datës 23 mars 2009, vetëm pak orë para vrasjes së dy policive, i pandehuri Hasani ka qëlluar me armën që vrau më pas dy policët mbi makinën e shokut të tij, e tipit "Benz Mercedes" seria 240 D me targa KR 3778 A, në shenjë inati të bllokimit të saj nga policia.
Si pasojë e shkrepjes së armës mbi makinën e shtetasit M.H., ka rezultuar se plumbat kanë qëlluar kofano, parafango dhe në pjesët anësorë të xhamave. Nga akti i ekspertimit Tekniko Vlerësues të dëmit të makinës së kryer nga inxhinierët mekanikë ka rezultuar se makinës i është shkaktuar një dëm që kap vlerën 29.000 lekë të reja. Për këto dy dëmtime të pronës, ndaj të pandehurit është ngritur akuza e "shkatërrimit të pronës".
---------------------------------------------------------------------
I pandehuri, frikë për fëmijët nga hakmarrja
TIRANË- Sipas kërkesës për gjykim që tashmë është dorëzuar pranë togave të zeza, mësohet se i pandehuri Afrim Hasani, menjëherë pas vrasjes së dy policëve Shkëlzen Dobrusha e Ramadan Hila i ka telefonuar vjehrrit dhe bashkëshortes së tij. "Menjëherë pasi ka kryer krimin e vrasjes së dy policëve, i pandehuri Hasani është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka telefonuar të afërmit e tij për t'ju treguar ngjarjen.
Kështu nga telefoni i tij celular ai ka lajmëruar motrën e tij dhe më pas vjehrrin. Në bisedat telefonike të zbardhura me vjehrrin e tij, i pandehuri Hasani, i është shprehur se "kam vrarë dy policë, ik e merr vajzën dhe amanet dy vajzat e mija pasi do të vras veten".
Ndërsa, në bisedën me motrën e tij, i pandehuri Hasani i ka kërkuar t'i njoftonte vëllezërit që të ruheshin nga gjakmarrja dhe duke ia lënë amanet rritjen dhe për kujdesin ndaj vajzave të tij të vogla.
Pasi ka komunikuar edhe me bashkëshorten e tij, të cilës i ka treguar për ngjarjen i pandehuri Hasani ka fikur telefonin dhe së bashku me armën e krimit është larguar në drejtim të fundit të fshatit të tij ku ka shkuar dhe është strehuar në një banesë të pa banuar për tu arrestuar mesditën e datës 24 mars 2009",-thuhet në kërkesën për gjykim
"Certifikata"
Afrim HASANAJ, i dt 8 nëntor 1975 lindur e banues në fshatin Petkaj-Shëmri, Komuna Mal-Zi të rrethit Kukës, me arsim tetë klasë, i dënuar më parë, me gjendje civile i martuar me dy fëmijë, akuzohet se ka kryer veprat penale të: "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, ndaj punonjësve të policisë dhe ndaj kallëzuesit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila; "Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"; "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë" Shkëlzen Dobrusha dhe Ramadan Hila si dhe "Shkatërrimin e pronës".
U kap bashkë me katër persona të tjerë me 4 kile heroinë dhe 1 kile përzierës
Lirohet nga burgu "pronari" i drogës
TIRANË- Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë elbasanlliut Mikel Dima, i dyshuar si organizator i trafikut të drogës nga Maqedonia në Shqipëri, duke e liruar nga qelia dhe pa i caktuar ndonjë masë sigurie.
Ky vendim i togave të zeza është dhënë vetëm pak ditë më parë, duke e lënë të lirë shtetasin Mikel Dima, për ta hetuar në gjendje të lirë. Mësohet se argumentimi i ndryshimit të masës së sigurisë nga "arrest me burg" në gjendje të lirë, është bërë vlerësimi i gjendjes së tij gjyqësore si i padënuar më parë dhe që nuk paraqet rrezikshmëri për organin e akuzës, pasi ka edhe fëmijët e vegjël.
Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e kishte vlerësuar masën e sigurisë si të ligjshme dhe të arsyeshme me "arrest me burg", pasi rezultonte se organi i akuzës kishte sjellë prova të mjaftueshme, që implikonin Dimën në dyshimin e trafikut të drogës.
Gjithashtu, në momentin e arrestimit të tij dhe tre shokëve të tij, Gjergji Gjika, Thanas Bebi e Bexhet Hidri, u sekuestruan edhe 4 kg heroinë dhe 1 kg përzierës.
"Në momentin e arrestimit të datës 11 janar 2009, në pronën e marrë me qera po nga i liruari i Gjykatës së Lartë, Mikel Dima, u gjetën dhe sekuestruan u sekuestruan disa sende që mendohet se shërbenin për përpunimin e drogës në formë laboratori"-thuhet nga prokuroria.
Përveç këtyre të dhënave, sipas akuzës, nga hetimet e kryera ka rezultuar se pronari i drogës së sekuestruar në Elbasan prej 4 kg heroinë dhe 1 kg përzierës ishte shtetasi i liruar Mikel Dima, ndërkohë, në rolin e transportuesit përdorej i arrestuari Bexhet Hidri ndërsa, Gjergji Gjika e Thanas Bebi ishin "profilizuar" në përzierjen e heroinës me lëndë të tjera kimike për të rritur peshën e sasisë së heroinës që do shisnin tek trafikantet që e dërgonin drogën në Greqi e Itali.
Mësohet se për të vërtetuar këto akuza, prokuroria ka siguruar një sërë përgjimesh, pamje filmike të kryera nga vëzhgimi i lëvizjeve të të dyshuarve të arrestuar mesditën e 11 janarit 2009.
TIRANE
Memorandum për mjekësinë ligjore kosovare
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, takoi dje homologen e tij të Kosovës, Nekibe Kelmendi ku diskutuan për rritjen bashkëpunimit në fushën e administrimit dhe të funksionimit të mjekësisë ligjore, burgjeve dhe noterisë.
"Ne jemi një shtet i ri, Ministria e Drejtësisë së Kosovës synon të funksionojë në frymën e standardeve evropiane dhe si të tillë kemi nevojë të shohim se si funksionojnë institucionet tuaja të varësisë, të njihemi me to"- tha ministrja kosovare në fjalën e saj gjatë vizitës në Tiranë, qëllimi i së cilës ashtu edhe siç deklaroi ajo ishte njohës profesional.
Delegacioni kosovar paraqiti interes për njohjen e punës në Institutin e Mjekësisë Ligjore si dhe kërkoi firmosen sa më të shpejtë të një Memorandumi Bashkëpunim mes dy instituteve homologe me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe ofrimin e shërbimeve të ndërsjella. Një tjetër interes dy ministritë paraqiten në fushën e noterisë publike si dhe atë të administrimit të burgjeve.
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe institucionet e saj të varësisë me eksperiencën shqiptare si dhe theksoi rëndësinë që ka ky shkëmbim për të ardhmen e Kosovës dhe marrëdhënieve dy palësh.
Shqipëri- Çeki, bashkë për krimin e organizuar
TIRANE- Zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri, nënshkroi dje në Çeki, një marrëveshje me ministrin vendas të Brendshëm, për Krimin e Organizuar dhe për një bashkëpunim mes Policisë Shqiptare dhe asaj Çeke në këtë fushë..
Në këtë vizitë të nisur në Çeki, që prej së dielës, Strazimiri është shoqëruar edhe nga një grup sepcialistësh të Policisë së Shtetit. Nënshkrimi i marrëveshjes, u bë i ditur për gazetën "Shekulli", nga zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, i cili pohoi se marrëveshja e nënshkruar ka karakter teknik dhe operativ.
Kjo është vizita e parë e një drejtuesi të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, në Çeki me nivel teknik që prej më tepër se 4 vitesh.