E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të largohet nga reparti ushtarak, e shtyp makina

BUNAVI/ 21-vjeçari Izmir Gjoka, nga Kukësi, është shtruar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore


VLORË - Kishte vetëm gjashtë ditë që ishte marrë nga familja dhe ishte çuar në repartin e Bunavisë për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Por nuk ka duruar dhe menjëherë ka tentuar të largohet, duke hartuar një plan për përdorimin e mjeteve të ushtrisë. Fatkeqësisht është trembur e si pasojë është shtypur nga një automjet, duke rrezikuar jetën e tij. 21-vjeçari Izmir Gjoka është shtruar në spitalin ushtarak dhe ndodhet në reanimacion, në gjendje të rëndë për jetën.


Tentativa


Burime nga reparti i Bunavisë, i ngritur posaçërisht për stërvitjen bazë të ushtarëve bënë të ditur se të premten, një nga të rinjtë e çuar në këtë vend për të kryer shërbimin ushtarak, është shtypur nga një mjet i ushtrisë. Izmir Gjoka kishte vetëm gjashtë ditë që ndodhej në brigadën e stërvitjes bazë si rekrut i ri.

Por ndërkohë ai ka planifikuar të arratiset. Kështu, sipas burimeve, 21-vjeçari është fshehur në pjesën e poshtme të një mjeti të rëndë ushtarak dhe ka pritur nisjen e tij. Por teksa mjeti ka lëvizur dhe është zhvendosur disa metra, duket se ushtari i ri është trembur, ose ndoshta ka rrëshqitur, dhe si rrjedhojë është shtypur. Si pasojë ai ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, duke u transportuar menjëherë në repartin e reanimacionit në spitalin e Vlorës


Bluzat e bardha


Shefi i reanimacionit të spitalit të Vlorës, Edmond Breshani, shprehet se ushtari 21-vjeçar mbërriti mëngjesin e së premtes me dëmtime të rënda në pjesën e kokës, si dhe goditje të tjera në trup. Një ditë më pas ai u dërgua në Tiranë.

Mjekë të Spitalit ushtarak shprehen se Gjoka ka pësuar dëmtime të shumta në kokë nga goditjet dhe ka fraktura në krahun e djathtë. Bluzat e bardha nuk japin ende siguri të plotë për jetën e të riut për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pësuar në kokë.

Sipas tyre, edhe pse Izmir Gjoka është në gjendje të flasë, nuk mund të thuhet nëse e ka kaluar plotësisht rrezikun për jetën dhe kjo mund të shihet në ditët në vazhdim kur të ketë një ndërhyrje kirurgjikale. Familjarët e ushtarit, të cilët janë nga Kukësi dhe prej 3 muajsh banojnë në Tiranë, nuk kanë preferuar që të flasin për ngjarjen.

Marrja me forcë e të rinjve


Mbledhja e personave të moshës së re, të cilët nuk e kanë kryer shërbimin ushtarak, tashmë është një nga nismat e Policisë Ushtarake. Vetëm përgjatë javës së kaluar, rreth 350 të rinj nga të gjitha qytetet e vendit janë marrë me forcë dhe janë dërguar në repartin e Bunavisë për të nisur përgatitjen ushtarake.

Por, ndërkohë, familjet e këtyre të rinjve nuk njoftuan se fëmija i dalë nga shtëpia dhe që nuk është kthyer në mbrëmje, tashmë po kryen detyrën e tij si ushtar.

Megjithëse krerë të repartit të Bunavisë nuk pranojnë të prononcohen për këtë problem (aksidenti i ndodhur është mbajtur i fshehtë për tri ditë), i riu Izmir Gjoka mësohet të jetë një nga personat e marrë me forcë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›