Autostrada, plehrat groposen nën trase
SHKELJET/ Kryetari i bashkisë së Rubikut shprehet se firma ndërtuese e aksit Milot - Rrëshen ka shkelur ligjin
Të gjitha mbeturinat e tetë viteve janë mbuluar me dhe duke rrezikuar kështu ndotjen e lumenjve në afërsi
RUBIK - "Jashtëqitjet" urbane të qytetit të Rubikut që prej 8 viteve në vend të groposeshin në një vend të sigurt me një projekt të mirëfilltë mjedisor, u është gjetur vendi pikërisht në trupin e autostradës së re Milot-Rrëshen, pjesë e aksit Durrës-Kosovë.
Qindra ton mbeturina e plehra të këtij qyteti, por dhe lokaleve të shumta dhe zonave përreth të grumbulluara prej tetë viteve në anë të unazës së qytetit, për mungesë grope për mbeturina, tashmë jo vetëm që nuk janë hequr prej andej, pasi aty kalon traseja e rrugës së re, por janë groposur në mënyrë të papërgjegjshme nga firma që po punon në këtë segment pikërisht në anën e kësaj traseje, ngjitur me bregun e lumit.
Shkelja
Firma ndërtuese "Delia", e cila me një fond mbi 12 milionë dollarë po punon për trasenë e kësaj rruge edhe në unazën e qytetit, nuk ka hequr mbeturinat si fillim, ashtu siç e përcakton projekti dhe ligji përkatës se poshtë një traseje rrugore nuk mund të groposen mbeturina. Duket se ajo ka bërë të kundërtën: dherat e gërmuara nga skarpatat ua ka hedhur mbi shpinë pikërisht mbeturinave të sedentuara prej vitesh.
Një konglomerat plehrash tashmë priten që vit pas viti të ndotin maksimalisht ujin e lumit Fan i Vogël, i cili përshkon për së gjati dhe këtë qytet me pamje të admirueshme turistike, dhe që shërben si plazh veror i banorëve të kësaj zone.
Nga ana tjetër, pirgu i plehrave të groposura tashmë rri shëmtueshëm përballë tempullit të shenjtë françeskan, si një ogur i keq për turizmin e kësaj zone, për më tepër kur mbi to do të kalojnë mijëra udhëtarë nga anët e ndryshme të Ballkanit.
Kundërshtimi
Sipas kryetarit të bashkisë Rubik, Mark Ruci, firmës në fjalë i është thënë se as dhe një lopatë dherash nuk duhen hedhur mbi plehra dhe se puna e parë që duhej bërë, ishte evakuimi i këtyre mbeturinave në drejtim të një grope të përbashkët me bashkinë Rrëshen, dhe më pas vazhdimi i punës në trase.
Por ka ndodhur ndryshe pasi gjithçka është bërë fakt i kryer duke hedhur makina të tëra me dhera. "Për këtë ne i jemi drejtuar zyrtarisht supervizorit të kësaj rruge, firmës angleze "Scetaroute", ndërsa këtë të fundit janë shprehur se do të japim përgjigje brenda dy ditëve", shprehet Ruci.
Mësohet se firma mbikëqyrëse aty i ka pasur mbeturinat. Gjithashtu, para se të vijonte puna për dy urat katërkalimshe, puna e parë ka përkuar me heqjen e mbeturinave që ishin thuajse në breg të lumit, dhe më pastaj vazhdimi i trasesë.
Duhet shënuar se brigjet e lumit Fan dhe Mat janë ndër më të ndoturit me mbeturina në gjithë vendin, pasi edhe projekti i Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike po vonon në lëvrimin e fondeve dhe zbatimin e tij para se të përfundojë ky aks rrugor.