Akuzohen për vjedhjen e 150 mijë eurove, lihen të lirë dy turqit
ELBASAN- Dy turqit e arrestuar tri ditë më parë për korrupsion pranë firmës "Kurum" do të përgjigjen për akuzat e ngritura ndaj tyre në gjendje të lirë me kusht që të mos largohen nga Shqipëria. Vendimin e ka dhënë Gjykata e Elbasanit.
Ish-drejtori i repartit të çelikut, Murat Gunerdi, 31 vjeç, dhe menaxheri i investimeve Mustafa Turgul, 45 vjeç, janë paraqitur në seancën gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë pasi u arrestuan për "vjedhje të kryer në bashkëpunim", "korrupsion pasiv" dhe "falsifikim dokumentesh".
Gunerdi dhe Turgul u akuzuan në polici nga administratori i shoqërisë "Kurum". Sipas drejtuesve të "Kurum"-it, ish-drejtori dhe menaxheri i investimeve kanë mashtruar që nga maji i vitit 2008 e në vazhdim duke paraqitur në shoqëri dokumentacion të rremë. Dëmi i shkaktuar shoqërisë në këtë rast përllogaritet në 150 000 euro. Por dy turqit i kanë mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj tyre.
Ata kanë deklaruar se të gjitha blerjet dhe veprimet në interes të investimeve të kompanisë janë kryer në Stamboll dhe se ata thjesht kanë zbatuar procedurat pa bërë asnjë modifikim dokumentesh. Gunerdi dhe Turkul kanë akuzuar drejtuesit e firmës se akuzën ndaj tyre e kanë ngritur për inate personale.
Prokurori i çështjes kërkoi hetimin e shtetasve turq në gjendje të lirë, me kusht ndalimin e largimit të tyre nga Shqipëria. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit.