E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seks, kokainë dhe marijuanë

Policia zbulon një bazë të konsumimit masiv të drogës në kryeqytet ku sipas saj dyshohet të jetë kryer edhe orgji


Arrestohen katër persona, shoqërohen 15 të tjerë në polici. Bllokohet nga policia hashash dhe disa doza kokaine

TIRANE- Drogë, alkool e në fund seks dhe orgji. Këtë kanë menduar mëngjesin e djeshëm thuajse të gjithë efektivët e zyrës së antidrogës, si dhe grupet e gatshme dhe patrullat e komisariatiti nr.1, ndërsa kanë hyrë rrufeshëm në një godinë banimi tri katëshe të braktisur në rrugën "Luigj Gurakuqi", në kryeqytet, fare pranë sheshit "Avni Rustemi".

Zbulimi u bë gjatë një ndërhyrjeje të oficerëve të zyrës së antidrogës të cilët kishin dijeni se në këtë ndërtesë shitej heroinë dhe marijuanë. Por kur agjentët e antidrogës kanë hyrë në ambientet e godinës tri katëshe, "kanë mbetur" pa mend.

Dy kate thuajse të tërë, ishin shndërruar në një ambient të çuditshëm, me një banak në cep të njërës prej dhomave dhe me dyshekë sfungjeri, divanë apo kolltuqe të shpërndarë në dhomat e tjera të ndërtesës në qendër të kryeqytetit.

Kjo godinë, sipas burimeve të policisë, po mbahej nën vëzhgim prej gati një jave nga oficerët e policisë së kryeqytetit, të cilëve iu kishte rënë në vesh fakti se në një ndërtesë pranë sheshit "Avni Rustemi", marijuana i kish dhënë erë dynjasë.

Operacioni i policisë përfundoi me katër persona të arrestuar, dy nga ata me atë të shitjes së lëndëve narkotike dhe dy të tjerë për mbajtje dhe përshtatje të ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike.
Ivi Bego u arrestua me akuzën e vënies në përdorim të ambienteve për përdorim të narkotikëve.

Ndërkaq të tjerët, Gledi Mikerezi, Ardian Tota, e Denis Lekbello, u arrestuan për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Po ashtu 15 të tjerë, mes të cilëve tri vajza, përfunduan në qelitë e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, të dyshuar si të përfshirë në shitje apo shpërndarje të lëndëve narkotike.


Pas verifikimeve, këta të fundit janë lënë të lirë, ndërsa iu është marrë secilit nga një deklarim mbi rrethanat dhe motivet se për se ai ndodhej në atë vend. Ndërkaq policia ka sekuestruar rreth 100 gramë marijuanë, në banesën e një prej të arrestuarve në godinë, 8 doza kokainë dhe disa heroinë.


"Orgjia"


Ndërtesa tri katëshe, në të djathtë të sheshit "Avni Rustemi", kur sapo merr për poshtë rrugën "Luigj Gurakuqi", është e para aty. Poshtë saj, në katin e parë ndodhen biznese të tjera të cilët nuk kanë kurrfarë lidhjeje me këtë histori.

Ndërtesa sipas policisë, është në pronësi të Ivi Begos dhe deri pak muaj më parë, ndërtesa ka qenë e dhënë me qera. Vetë Bego, mësohet se ka lënë Spanjën, ku madje edhe është i martuar me një vajzë spanjolle dhe ka mbërritur në Tiranë disa muaj më parë.

Në kryeqytet ai kishte krijuar një rrjet miqsh, shumë prej të cilëve djem intelektualësh dhe njerëzish me para, për të cilët shpenzimi nuk qe problem. Fillimisht grupe grupe ata sipas burimeve të policisë, qëndronin në disa prej lokaleve të natës në ish- Bllok, ndërsa më pas i braktisnin ato, për t'u drejtuar tek "Vila" tek "Avni Rustemi". Kati i dytë dhe i tretë i saj, që prej pak muajsh ishin braktisur ndodhej bosh.

Dritareve të saj, iu qe hedhur një perde e zezë me qëllim që të mos kuptohej se ç'ndodhte brenda saj. Kjo situatë, sipas burimeve të policisë, kishte ndodhur disa herë me radhë, kryesisht fundjavave, ku jeta e natës në Tiranë shfrenohet krejtësisht.

Kjo është shfrytëzuar nga personat për të thirrur në ambientin e tyre "klientë", që besohet se kanë paguar minimalisht nga 100 mijë lekë të vjetra secili, por shuma sipas burimeve besohet se vendosej në varësi të mallit dhe sasisë së konsumuar nga secili prej "klientëve".

Hetuesi: klientë nga blloku në vilë

Mëngjesin e djeshëm, pas më tepër se një jave vëzhgimi, hetuesit e antidrogës, vendosën të mësyjnë në vilë, pak pasi kishin bllokuar një përdorues ndërsa dilte me një cigare hashash në dorë, krejtësisht në botën e tij.

"Sapo ne e shtrënguam nga krahët ai bëri të vinte në vete",- tregon një oficer. Më pas ai tregon se ata ndërhynë në katin e dytë dhe të tretë të godinës. "Tymi dhe era e rëndë, vinin thuajse deri në katin e dytë të godinës.

Në katin e tretë një re e dendur tymi të krijonte idenë se ishe brenda një godine që digjej". Më tej i njëjti burim tregoi se ne hymë drejt në dhomat kryesore ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së kryeqytetit, udhëzonte veprimet e tyre. "Sapo u futëm në dhoma pamë, disa persona të trembur, ndërsa mundoheshin të shuanin cigaret e marijuanës që thithnin".

Sipas hetuesit, nëse nuk do të kishte pasur drita të ndezura, gjithçka do të dukej errësirë pa fund, ndërsa jashtë asgjë nuk vihej re për shkak se perdet e errëta bllokonin gjithçka. "Kur hymë në dhomat e tjera, pamë se në disa prej tyre kishte dyshekë sfungjeri, shtroje, apo divanë.

"Gjithçka i ngjante një vendi ku mund të bëhej gjithçka. Policia dyshon se "Festa" niste në mbrëmje vonë, me nga një cigare marijuanë, një tërheqje kokaine, me një kartmonedhë dollari apo euro-je e përfundonte në orën 4- 5:00 të mëngjesit, me ndonjë vajzë në krahë. Gjithsesi policia kur ka ndërhyrë nuk ka kapur asnjë person që të kryente mardhënie seksuale, por hetuesit besojnë se kjo ishte bërë herë të tjera.

15 persona janë shoqëruar në ambientet e policisë së kryeqytetit, mëngjesin e djeshëm ndërsa janë kapur duke konsumuar marijuanë në një vilë tri katëshe në rrugën "Luigj Gurakuqi", në Tiranë.

4 nga personat janë arrestuar nga zyra e Antidrogës së Policisë së Tiranës, me akuzat e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike si dhe të vënies së ambienteve në dispozicion për përdorim narkotikësh

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›