E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i komunës vret me armë të sapodalin nga burgu

VRASJA/ Dodë Hili ka mbetur i vdekur në vend pasi u qëllua nga Martin Cubi, pas një grindjeje të ndodhur në një lokal

SHKODËR - Vritet me armë zjarri Dodë Hili, ndërsa mbetet i plagosur Martin Cubi, kryetari i komunës Pult të Dukagjinit. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 të mbrëmjes së të hënës në një lokal në Shkodër.

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se vrasja ka ndodhur për një konflikt të çastit, megjithëse vijon hetimi për zbardhjen e mëtejshme dhe rindërtimin e ngjarjes. Mësohet se vrasja e Hilit është bërë nga kryetari i komunës, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.


Ngjarja


Rreth orës 20:15 të së hënës, shtetasi Dodë Hili ka qenë në një lokal përballë hyrjes kryesore të spitalit rajonal të Shkodrës. Po në të njëjtin lokal ka qenë edhe 40-vjeçari Martin (Sokol) Cubi, kryetar i komunës Pult të Dukagjinit, por në një tavolinë tjetër me disa persona. 50-vjeçari Hili, i cili kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu ka nisur një konflikt me Cubin, duke qenë se të dy janë nga fshati Kir.

Gjatë grindjes mes tyre, sipas dëshmive të personave që kanë qenë të pranishëm në pjesën e jashtme të lokalit, në trotuar ku dhe ndodheshin tryezat, Dodë Hili ka nxjerrë një thikë të cilën e kishte me vete dhe me të ka goditur Sokol Cubin tri herë në trup.

Pas kësaj ai ka tentuar të largohet. Por 40-vjeçari, i cili me cilësinë e kryetarit të komunës është i armatosur me armë me leje, e ka nxjerrë pistoletën dhe, ndonëse i gjakosur, ka mundur të qëllojë mbi Dodë Hilin vetëm 1 metër larg tryezës ku ndodhej i plagosur.

Ai e ka shkrepur armën tri herë duke e lënë 50-vjeçarin të vdekur në mes të trotuarit, përmbys, ndërsa vetë ka humbur ndjenjat. Burime nga vendngjarja shprehen se kryekomunari është transportuar menjëherë në spitalin e Shkodrës që ndodhej vetëm 10 metra larg vendit të ngjarjes. Ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, pas së cilës ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë.


Familjet

Dy familjet Hili dhe Cubi janë nga komuna e Pultit dhe janë të përfshira në disa ngjarje të rënda, por jo në ndonjë konflikt mes tyre. Familja Hili ka disa të vrarë dhe ka vrarë, dhe një pjesë e saj ndodhet e ngujuar.

Ndërsa familjes Cubi i është vrarë djali më 2006-n, Vuksan Cubi, vëllai i Sokolit, për gjakmarrje, pasi më 2003-shin ai kishte vrarë një tjetër person. Viktima Dodë Hili është ndaluar nga policia më 22 nëntor 1998, pasi akuzohej se në referendumin për Kushtetutën u bënte presion zgjedhësve në fshatin Kir të Dukagjinit që të mos shkonin për të votuar.

Më pas ai është arrestuar si i përfshirë në një ngjarje tjetër dhe vetëm pak kohë më parë kishte dalë nga burg. Ndërkohë Sokol Cubi është kryetar i komunës Pult në Dukagjin në tre mandate, si përfaqësues i PS-së. Kjo ka bërë që mjaft drejtues të kësaj force politike të ndodheshin në ambientet e spitalit të Shkodrës pasi kanë marrë dijeni për plagosjen e kryekomunarit

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›