Selim Muça: Qeveria po shtetëzon pronat e Komunitetit Mysliman
Shkëlqesisë së tij, z. Sali Berisha
Kryeministër i Shqipërisë
Zëvendëskryeministrit, z. Ilir Meta
Zoti Kryeministër,
Problemi për të cilin po ju shkruajmë është shumë shqetësues, befasues dhe i papritur për ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë.
Nëpërmjet “Gazeta Shqiptare” marrim vesh se i shtetëzohet prona Komunitetit Mysliman. “Berisha, në vitin 2007, u ktheu si pronë, ua merr në 2009-n”.
Berisha, me një Vendim të posaçëm numër 891, datë 19.12.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin e një sipërfaqeje prej 1185 m2, pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe vënien e saj në dispozicion Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.
Në pikën dy të vendimit, Këshilli i Ministrave shprehet se: Kjo sipërfaqe të shërbejë për kompensimin fizik të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të pronës së njohur me vendimet numër 459 datë 21.02.1996 dhe numër 345, datë 24.09.2000, të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë së Tiranës.
Me Vendimin Nr.1, datë 11.01.2008, të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ky truall iu kompensua fizikisht Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Për ne si Komunitet qe një ndihmesë e madhe ekonomike që qeveria na bëri me këtë kompensim. U bë gati 21 muaj që jemi pronarë të këtij trualli. Janë bërë me dhjetëra përpjekje për të arritur në këtë kompensim.
Zoti Kryeministër!
Siç jeni në dijeni, Komunitetit Mysliman i janë marrë nga shteti disa troje me një vlerë shumë të madhe në qendër të Tiranës, siç janë: Trualli i kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave, ai i Xhamisë së Vjetër ku sot ndodhet Ushtari i Panjohur, trualli i kthyer pranë Namazgjasë, ku sot është bërë zgjerimi i Rrugës së Elbasanit dhe Unaza, trojet e kthyera pranë Pallatit të Kulturës, ish-Pazari i Vjetër i Tiranës, ku sot është bërë lulishtja, troje të zëna të njohura nga KKK Pronave dhe janë për t’u kompensuar si ai ku është ndërtuar shkolla “Kristoforidhi”, “Lidhja e Prizrenit”, ai i shkollës “Sami Frashëri”, ai i Shurdh-Memecëve, ai i Varrezave të Adem Idrizit, apo i varrezave të Jevgjve, ku është ndërtuar ish-Shtëpia e Oficerëve, Dhoma e Tregtisë dhe shumë troje të tjera, si ai i ish-Xhamisë së Karapicit, i cili është zënë nga sheshi “Skënderbej” dhe trualli përpara Muzeut Historik, tek ish-busti i diktatorit. Ka edhe shumë troje të kthyera nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilat janë marrë nga Bashkia.
Mbi trojet tona të kthyera, që përmendëm më lart janë bërë investime nga Bashkia dhe nuk kemi marrë asnjë kompensim financiar.
Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.891, datë 19.12.2007 për ne qe si një bombë që na goditi shumë rëndë dhe nuk e kuptojmë nga na erdhi. Për këtë kompensim prej 1185 m2, Komuniteti Mysliman i ka vënë në dispozicion Agjencisë së Kthimit të Pronave dy troje për t’u kompensuar. Ai prej 2610 m2 ku është ndërtuar shkolla “Sami Frashëri”, si dhe trualli prej 2265 m2 me ndërtime të përhershme, si Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, trotuare dhe rrugë. Gjithsej kemi dhënë 4875 m2 truall duke na kthyer 1185m2, d.m.th. 4 metra truall për kompensim i kemi pranuar të na konvertohen me një metër truall të kthyer (trojet janë ekuivalente nga ana e cilësisë pothuajse dhe e vlerës). Po të krahasojmë vlerën e këtyre trojeve, sipas hartës së vlerave të Agjencisë që u kemi dhënë për kompensim me vlerën e truallit të kthyer, rezulton se vlera e trojeve për t’u kompensuar Komunitetit Mysliman arrin shumën 382 200 000 lekë, ndërsa vlera e truallit prej 1185 m2 142 200 000 lekë. Pra, vlera e trojeve për t’u kompensuar është rreth 2.7 herë më e madhe se vlera më e madhe se vlera e truallit që na ktheu qeveria.
Shih llogaritjet:
Trualli te Ministria e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve Zona 10/1 vlera: 120 000 lekë m2. Trualli te gjimnazi “Sami Frashëri” Zona 9/1, vlera: 42 621 lekë m2. Vlera e truallit që na keni kthyer është 1185 x 120 000 = 142 200 000 lekë.
Vlera e truallit që ka dhënë Komuniteti Mysliman për kompensim është: 2610 m2 x 42299 = 110 400 390 lekë. 2265m2 x 120 000 000 = 271 800 000 lekë. Gjithsej: 382 200 000 lekë.
Pra vlera e truallit që Komuniteti Mysliman ka dhënë për këtë kompensim është 2.7 herë më e madhe se vlera e truallit që na dha qeveria.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëri shfuqizimin e vendimit numër 345 datë 24.09.2000 të KKK Pronave të Tiranës me Vendimin numër 444 datë 02.09.2009, në bazë të ankimimit të ushtruar nga kërkues/ankuesi që ka bërë DKBAA dhe kthimin për rishqyrtimin e kësaj çështjeje pranë Zyrës Rajonale të KK Pronave të Qarkut Tiranë me detyra të përcaktua. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Rrethit Tiranë.
METE bëri çmos një vit rresht për ta prishur këtë vendim me pretendimin se trualli nuk ndodhet në këtë vend. Dy herë e ka dërguar problemin në Agjencinë e Pronave, e cila është përgjigjur se vendimi 345 është i rregullt. U fut në lojë edhe Avokatura e Shtetit dhe ajo u shpreh se nuk ka shkelje në dhënien e vendimit 345 të KKK Pronave, kemi një mori shkresash dhe korrespondencash me këto dy institucione.
METE, e cila kërkonte të prishte Vendimin Nr.345, datë 24.09.2000 të KKK Pronave me çdo kusht bëri ankimim në DKBAA. Me inspektorët e DKBAA-së kemi bërë takime dhe i kemi dhënë materialet e nevojshme për të vërtetuar drejtësinë e Vendimit numër 345. Sjellja e DKBAA-së karshi Komunitetit Mysliman na la shumë për të dëshiruar, duke mos treguar asnjë respekt për institucionin e Komunitetit Mysliman.
Investigimi i DKBAA-së për nxjerrjen në dritë të së vërtetës është detyra kryesore e saj, mirëpo veprimet e saj na duken haptas jomiqësore dhe jodashamirëse sepse:
DKBAA-ja, për të përcaktuar pozicionin e kësaj toke sipas tapisë, i kërkoi ndihmë Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, i cili paraqiti një material teknik ku mendon se kjo tokë është shumë afër saj, por në një vend tjetër, ku është sot xhamia e Rrugës së Kavajës. Bëmë kundërshtimin e këtij materiali teknik dhe e dorëzuam në DKBAA. Kërkuam ballafaqim me ekspertët e Institutit Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë dhe me drejtoreshën e këtij Instituti, por DKBAA nuk dha përgjigje fare. Na vjen keq ta shprehim, por mund të themi se ekspertët ose janë të një niveli të ulët, ose nuk janë marrë ndonjëherë me çështjen e pronave, duke u shprehur se mendojmë se kufiri i pronës mund të jetë kështu, duke ndryshuar kufijtë... Asnjë ekspert nuk ka të drejtë të ndryshojë kufijtë e pronës. Ekspertët arrinin deri aty sa të ngatërronin edhe shenjat konvencionale topografike, sidoqoftë DKBAA-së i leverdisi ky material duke plotësuar ndonjë porosi të ndonjë qeveritari. Drejtori i DKBAA-së nuk i dha asnjëherë mundësi kryetarit të Komunitetit Mysliman për t’u takuar, por i shmangej përherë takimit.
DKBAA-ja ka urdhëruar verbalisht Agjencinë e Kthimit të Pronave të nxjerrë Urdhrin numër 3718/2, datë 15.12.2008, kur kërkesën ankimore DKBAA-ja vetë e ka depozituar në AKK Pronave me numër 839 prot. datë 19.12.2008, datat janë anapolla. Sidoqoftë, ka një tendencë të nxituar për të urdhërua AKKP-në për të dhënë një mendim negativ me qëllim që të shfuqizojë Vendimin nr.345, të KKK Pronave. Drejtori i Agjencisë së KK Pronave ka qenë punonjës i DKBAA-së, prandaj ka marrë urdhrin verbalisht. Edhe në Vendimin numër 444, datë 02.09.2009, ku AKK Pronave ka shfuqizuar Vendimin nr.345 thuhet se ankimi nga DKBAA është bërë më 02.12.2009, datë që ende nuk ka ardhur. Na falni që po i shkruajmë këto lajthitje të aparateve shtetërore nga nxitimi, por janë të vërteta.
Ne si Komunitet Mysliman nuk heqim dorë nga zbardhja e së vërtetës së këtij vendimi që AKK Pronave ia ka lënë për rishqyrtim Zyrës Vendore të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut të Tiranës, sepse jemi plotësisht të bindur në vërtetësinë e tij.
Zoti Kryeministër!
Përse kjo luftë kaq e madhe kundër Komunitetit Mysliman? Këshilltarët tuaj, mendojmë, mos qofshim të gabuar, nuk na shohin me sy të mirë. Ne ishim në pritje të marrjes së fryteve të këtij trualli. Ky vendim ka lënë një shije shumë të hidhur te besimtarët myslimanë, duke menduar se po na sulmon qeveria. Qe një goditje shumë e rëndë për Komunitetin Mysliman. Gjithmonë kemi qenë përkrahës të qeverisë, kemi marrë mesazhe të mira prej saj dhe nga goja juaj personalisht, zoti kryeministër përsa i përket problemit të pronave, sepse qeveria nuk ka në plan të parë për të na ndihmuar duke u dhënë prioritet komuniteteve fetare, duke u mbështetur edhe në akt-marrëveshjen që është realizuar midis qeverisë dhe komuniteteve fetare.
Ju vëmë në dijeni se jemi të vendosur për ta vërtetuar pronësinë e këtij trualli. Administrojmë prova dhe fakte për pronësinë e këtij trualli dhe kërkojmë që ju, me autoritetin tuaj, të na e riktheni.
Shpresojmë në dhënien e një rrugëzgjidhjeje sa më parë, me mirëkuptim dhe vendim qeverie, pa e ankimuar çështjen në gjykatë.
Zoti ju ndihmoftë në punët tuaja fisnike!
Për shqetësimet tona në lidhje me çështjen në fjalë dhe rezervat që kemi në marrëdhëniet me institucionet, kërkojmë të na rezervoni një takim sa më parë.
Kryetari
H. Ing. Selim Muça
6 Nentor 2009