E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pesë fshatra në Koplik, 14 vjet pa ujë të pijshëm

21/04/2005  Mungesa e ujit, 5 mijë banorë paralajmërojnë protestë

SHKODER - Banorët e komunës Koplik Qendër, të rrethit Malësi e Madhe, që ndodhet fare pranë Liqenit të Shkodrës, janë hedhur në protestë. Janë rreth 5500 banorë të pesë fshatrave, Flakë, Kamicë, Stërbeq, Jubicë dhe Kalldrum të kësaj komune, që megjithëse ndodhen buzë liqenit që prej 14 vitesh, kohë pas kohe e kanë ngritur zërin për mungesën e ujit të pijshëm. Banorët thonë, se tashmë gjendja është bërë e padurueshme dhe nuk mund të jetohet më me këto kushte.

Ato janë duke diskutuar për dërgimin e një peticioni qeverisë, pasi u është premtur disa herë, në prag zgjedhjesh lokale apo të përgjithshme, që situata do të rregullohet. Por kjo ka mbetur në kuadrin e premtimeve të fushatave elektorale. Tashmë ata kërcënojnë, se në qoftë se deri para zgjedhjeve nuk do të ketë fillime të punimeve, atëherë të gjithë do të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ka disa vite që duke e parë se premtimet ishin të kota, vetë banorët kanë shpenzuar mjaft para për të hapur puse nëpër oborret e shtëpive të tyre. Fillimisht, megjithëse uji dukej me sy se nuk ishte krejt i pastër, u duk se problemi u zgjidh, por duke qenë se filluan sëmundjet e ndryshme dhe sidomos dizenteria, u kërkua që të bëheshin analizat laboratorike të ujit që përdornin për të pirë nga puset e hapura. Përfundimi ishte mjat negativ, sepse uji ishte i mbushur me mikrobe dhe bakterie të ndryshme dhe nuk mund të përdorej më për t’u pirë.

Të ndodhur përpara kësaj situate, banorët për vite me radhë e deri më sot, janë të detyruar që të blejnë fuçi të mëdha dhe të shkojnë në qytetin e Koplikut, ku e blejnë ujin me 5 lëkë të reja litrin. Barrën më të madhe për të transportuar ujin me fuçi, janë duke e mbajtur mbi supe, gratë e këtyre fshatrave.

Por kjo është e vlefshme vetëm për pjesën që e përballon këtë shpenzhim, pasi pjesa tjetër, që përbën shumicën, nga halli janë duke përdorur përsëri ujin e puseve, duke e zier para përdorimit, ndonëse specialistët thonë se edhe i tillë uji nuk pihet.

Tani ata kërkojnë që të fillojnë punimet për dërgimin e ujit të pijshëm, të paktën si fillim në qëndrat e fshatrave të kësaj komune.

Nga ana tjetër, vetë kryetari i kësaj Komune, Gëzim Zenelaj, nuk e mohon situatën e vështirë që është krijuar. Ai thotë se, “kjo situatë filloi të krijohej që në vitin 1991, kur Ujësjellësi ka pasur një defekt, që nuk u arrit të riparohej asnjëherë, megjithë interesimin e vazhdueshëm të banorëve, por edhe të Komunës. Nga mosfunksionimi i këtij ujësjellësi, dhe nga mosriparimi i tij kanë dalë jashtë përdorimit dhe të gjithë tubacionet, duke e komplikuar më tej situatën dhe duke i shtuar më shumë shpenzimet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›