E Hënë, 2 Nëntor 2026

Universitetet, një orë protestë

21/04/2005  Asnjë përgjigje nga qeveria, me punonjësit e administratës bashkohen dhe pedagogët

Vazhdimi i grevës rrezikon mbylljen e vitit akademik

Punonjësit e administratës së universiteteve dhe pedagogët dje zhvilluan një grevë njëorëshe paralajmëruese. Pati punonjës e pedagogë nga Univiersiteti i Tiranës, Politeknik, ai Bujqësor si dhe nga Universiteti i Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës. Ndërkohë dje ata nuk kanë patur asnjë reagim nga qeveria, ftesë për bisedime, apo përgjigje të kërkesave të tyre. Kryetari i grupit të punës mbi rritjen e pagave të punonjësve të universiteteve, Marko Bello, thotë se prej një muaj e gjysmë ata e kanë dërguar studimin në Ministrinë e Financave për miratim, por nuk ka asnjë përgjigje. Protestuesit shprehen se pas tri ditëve do të zhvillojnë një greve njëditore dhe nëse përsëri nuk ka reagime nga Qeveria do të nisin grevën pa afat. Bashkë me ta janë bashkuar dhe pedagogët. Kështuqë kjo grevë do të thotë që viti akademik të mos mbyllet dot dhe studentët rrezikojnë të humbasin vitin. Në muajin në vazhdim ata duhet të mbyllin leksionet, lëndët dhe më pas hyjnë në sezonin e provimeve.

Ndërkohë, data 20 prill ishte vendosur që para disa javësh si kufiri i pritjes së një përgjigje nga ana e qeverisë. Sot, nga ora 9 deri në orën 10 të paradites, para Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të zhvillohet një grevë paralajmëruese. Do të jenë punonjës të administratës dhe pedagogë e studentë, që do të solidarizohen me ta.

Punonjësit e administratës kanë vendosur, që të mos iu japin pedagogëve pagat e pesëmbëdhjetëditëshit më 4 maj, nuk do të regjistrojnë studentët për konkurse, do të bllokojnë laboratorët dhe bibliotekat. Ndërkohë që para është sezoni i provimeve. Kështu kanë vendosur punonjësit e administratës së fakulteteve shqiptare, të cilët u kanë çuar letra rektorëve, për t’i njoftuar se nesër është afati i fundit i durimit. Kreu i sindikatës së pedagogëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Qazim Lataj, saktëson se në grevë nuk do të marrin pjesë vetëm punonjësit e administratës, por edhe pedagogët. Kur pedagogët paralizuan me anë të grevës gjithë procesin mësimor gjatë nëntorit dhe dhjetorit të kaluar, punonjësit e administratës dolën si ata në shesh. Edhe punonjësit e universiteteve hynë në piramidën e punonjësve të administratës, duke iu rritur pagat, por palët ranë dakord që kjo rritje do të përballohej nga të ardhurat dytësore të universiteteve. Kur u mbyll greva e pedagogëve, 1000 punonjësve të administratës së fakulteteve shqiptare iu premtua nga qeveria se rrogat e tyre do të përballoheshin nga buxheti i shtetit në muajin mars, dhe deri në fund të shkurtit do të përfundonte studimi për rritjen e pagave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›