E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë këngëtarë shqiptarë, në Balkan Music Awards

Festivali organizohet për herë të parë në Ballkan, ku çdo vit do të jenë në konkurrim këngët më të mira të 11 shteteve


Në kryeqytetin bullgar Sofje, pas disa javësh do të zhvillohet për herë të parë një eveniment muzikor, i cili do të mbledhë rreth tij emrat më të mirë të këngëtarëve ballkanas. Emrat më të njohur të muzikës ballkanase do të konkurrojnë për të shpallur më të mirën mes tyre. Balkan Music Awards mund të bëjë realitet punën dhe vullnetin e gjithë artistëve Ballkanik.

Për herë të parë në Ballkan organizohet festivali Balkan Music Awards, ku çdo vit do të jenë në konkurrim këngët më të mira të shteteve të Ballkanit (11 shtete), videot më të mira për çdo shtet e përsos mjaft çmimeve të tjera do të zgjidhet edhe kënga më e mirë e Ballkanit në harkun e një viti. Kështu jo vetëm artistët e Ballkanit, por në këtë rast ata shqiptarë do të kenë edhe një trampolinë të re vlerësimi. E në këtë rast juria është vetë publiku. Fansat e tyre do të votojnë këngët dhe këngëtarët shqiptarë përmes mesazheve. Festivali që ka nisur përgatitjet që në fillim të këtij viti këtë fund mars bëri klasifikimin e fundit dhe aktualisht janë përzgjedhur konkurrentët, që do të shkojnë në finalen në 16 maj që do të organizohet në Sofje të Bullgarisë. Në këtë edicion të parë artistët shqiptarë që janë përzgjedhur në bazë të votimeve në internet në faqen e festivalit janë: Play back Flori, E di Mariza Ikonomi dhe Erik, Turn u on Elvana Gjata, Zemër pa kurdisur, Soni Malaj, Si partner i zi, Genta Ismajli. Këta janë emrat e këngëtarëve shqiptarë të cilët do të konkurrojnë përballë emrave të tjerë të njohur të vendeve nga Ballkani, por që janë të njohur edhe në vendin tonë, pasi shumë këngë të kënduara nga ata janë bërë hit dhe në Shqipëri. Ndërkaq nga këngëtarët dhe bandat e Ballkanit që do të marrin pjesë në këtë festival, i cili zhvillohet për herë të parë dhe që premton të kthehet në traditë në kryeqytetin bullgar, përmendim disa prej të njohurve edhe në Shqipëri si: Akcent, Morandi, (Rumani), Elena Paparizou, Anna Vissi (Greqi), Lepa Brena (Serbi), etj.


Si nisi festivali për të zgjedhur këngën më të mirë në Ballkan
Më 30 mars 2010 në Sofje, u bë prezantimi i nominimeve të edicionit të parë të çmimeve muzikore Ballkanike 2010. U bë prezantimi i të nominuarve dhe të kategorive. Në kategorinë Kënga më e mire e Ballkanit do të konkurrojnë të gjitha shtetet Ballkanike dhe nënkategoritë janë: Kënga më e mirë e Ballkanit nga Shqipëria, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Bullgaria, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Bosnja dhe Hercegovina, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Greqia, Kënga më e mire e Ballkanit nga Rumania, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Kroacia, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Serbia, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Sllovenia, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Turqia, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Maqedonia, Kënga më e mirë e Ballkanit nga Mali i Zi. Kjo ceremoni do të lançohet nga Televizioni Publik Bullgar, ndërsa në çdo shtet do të ketë një media partner, që do ta prezantojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve live.
Për të zgjedhur Këngën më të mirë të Ballkanit të secilit shtet, votimi do të jetë me sms. Votimi fillon më 31 mars dhe mbaron më 17 prill, ora 24:00. Më 20 prill do të prezantohen fituesit e secilit prej shteteve Ballkanike. Këngët fituese të secilit shtet do konkurrojnë për te zgjedhur fituesin e kategorisë Kënga me e mirë e Ballkanit dhe votimi do të jetë live, në ditën e ceremonisë më 16 maj 2010. Për kategoritë si vijojnë:
Këngëtari më i mirë i Ballkanit, Këngëtarja më e mirë e Ballkanit, Videoklipi më i mirë i Ballkanit, do të votohet në web sitin e televizionit www.balkanika.tv, i cili fillon më 31 mars dhe mbaron më 13 maj të 2010-ës. Stafi i Balkanika Music television vendosi, që Çmimin e nderit për kontributin dhe popullarizimin e muzikës së Ballkanit e merr Ana Vissi, këngëtarja e njohur greke.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Premte, 09 Prill 2010 19:14

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›