E Shtunë, 31 Tetor 2026

12 personalitete nderohen për kontribut të çmuar në art dhe kulturë

Presidenti Topi vlerëson me tituj emrat e shquar të humorit dhe muzikës


Janë cilësuar si njerëzit, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, duke u bërë emrat më të vlerësuar jo vetëm nga publiku, pasi dje ata u nderuan dhe me tituj. Një ceremoni nderimi e shoqëruar me shumë emocione, madje ndonjë prej tyre e ka quajtur edhe të vonuar dekorimin që iu bë dje12 personaliteteve

të artit dhe sportit shqiptar. Ceremonia e dhënies së titujve, e cila u zhvillua në MTKRS mblodhi rreth saj personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, por dhe politikanë e më gjerë. Të ndarë mes tre kategorive, presidenti z.Bamir Topi me propozim të ministrit të TKRS z. Ferdinand Xhaferraj, ka vlerësuar kështu me urdhrat Mjeshtër i madh dhe me urdhrat Naim Frashëri i Artë dhe i Argjendë 12 personalitet të njohur të artit shqiptar. Z.Alfonc Balliçi, z.Ilia Terpini, znj.Zyliha Miloti, z.Ahmet Golemi, z.Ali Xhixha, z.Ethem Qerimaj, z.Muhabet Bega, z.Koço Devole, z.Xhelal Tafaj, z.Muharrem Hoxha, znj.Suzana Prifti, znj.Florinda Mazreku, z.Vladimir Kotani, u nderuan dje nga presidenti Topi. Mjeshtër i Madh", muzikantin Alfons Balliçi, operatorin e kinemasë së para viteve '90, Ilia Terpinin, aktoren e humorit Zyliha Miloti, ish-boksierin Ahmet Golemi, akrobatin Ali Xhixha pas vdekjes, si dhe muzikantin Ethem Qerimaj. Ndërsa urdhri "Naim Frashëri" i Artë i ka shkuar një grupi tjetër personalitetesh, aktorëve të humorit si Muhamet Bega, Koço Devole, Xhelal Tafajt si dhe Muharrem Hoxha. Nga ana tjetër, aktorja e teatrit te Fierit Suzana Prifti, ajo e teatrit te kukullave Florinda Mazreku si dhe kompozitori Vladimir Kotani janë vlerësuar me urdhrin "Naim Frashëri" i Argjendë. Gjatë ceremonisë zv.ministrja e Kulturës znj. Suzana Turku tha se dita e sotme është festë e madhe për gjithë artistët dhe dashamirësit, pasi dekorohen emrat më të spikatur të artit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të paçmuar në shumë fusha. Dekoratat u dorëzuan nga personalitete të njohura të artit shqiptar. Sa i takon aktivitetit të artistëve dhe personaliteteve të cirkut dhe sportit shqiptar ai është shumë i gjerë dhe i vlerësuar. Kështu operatori Ilia Terpini është një nga emrat më të shquar të kinematografisë shqiptare, një sy i artë që krijoi vlera të padiskutueshme në artin shqiptar, dhe që me talentin e tij emocioni me mijëra shikues në mbarë vendin dhe jashtë tij. Sa herë që teleshikuesi shqiptar shijon krijimet e kinematografisë shqiptare, para viteve `90, vë re se shumë filma të asaj periudhe mbajnë vulën e kineastit Ilia Terpini. Alfons Balliçi pavarësisht krijimtarisë së njohur edhe në muzikën e lehtë, ai ka dhënë një kontribut të madh dhe në vlerat folklorike shqiptare. Ethem Qerimi, violinist i shquar shqiptar, punoi në Filarmoninë e Shtetit e më pas studioi duke çuditur këdo për vullnetin e tij. 12 orë studim në ditë, bënë që energjia e tij, pasioni për violinën të mos shterej në asnjë moment. Koço Devole është një nga personalitetet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skeçe dhe komedi janë nga më të njohurit për publikun shqiptar. punoi si aktor dhe regjisor i Estradës së Shtëpisë qendrore të ushtrisë për krah aktorëve të njohur si Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari. Më pas ka punuar edhe në revistën Hosteni si karikaturist, përkrah karikaturistëve Zef Bumçi, Bardhyl Fico, Enriko Veizi, Bujar Kapexhiu, Shtjefën Palushi etj, si edhe me shkrimet humoristike me emrat më të spikatur të humorit shqiptar si Spiro Çomora, Dionis Bubani, Niko Nikolla, Filip Çakuli, etj.

Me Urdhrin Mjeshtër i Madh u nderuan:
z. Alfons Balliçi,
z. Ilia Terpini
znj. Zyliha Miloti
z. Ahmet Golemi
z. Ali Xhixha
z. Ethem Qerimaj
Me Urdhrin Naim Frashëri i Artë u nderuan:
z. Muhamet Bega
z. Koço Devole
z. Xhelal Tafaj
z. Muharrem Hoxha
Me Urdhrin Naim Frashëri i Argjendë u nderuan:
znj. Suzana Prifti (Aliçkaj)
znj. Florinda Mazreku
z.Vladimir Kotani.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Premte, 09 Prill 2010 19:18

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›