Ura e Goricës në Berat, drejt rrënimit
Fakti që kjo urë është një vepër e kategorisë së parë dhe listohet si një nga veprat e rralla jo vetëm për qytetin e Beratit, bën që projekti për restaurimin e saj të hartohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Drejtori i monumenteve të kulturës Berat Lunik Cuedari bën prezent gjendjen aktuale dhe të rënduar të kësaj ure dhe ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme për të hartuar projektin për lëvrimin e fondeve për restaurimin e kësaj vepre me vlera historike. Ura shekullore e Goricës është një urë, e cila shërbyer për të lidhur dy lagjet muzeale Goricë dhe Mangalem e ngritur mbi lumin e Osum. Kjo urë për nga arkitektonika është e përbërë me gurë të latuar dhe ka në të nëntë harqe. Kjo urë e ngritur vite më parë shërbente për këmbësorë dhe karroca dhe nuk është llogaritur për të kaluar mbi të me mjete të rënda të ditëve të sotme. Lëvizja mbi të e të gjithave llojeve të mjeteve deri tek mjetet e tonazhit të rëndë dhe mungesa e rikonstruksionit të saj ka bërë që kjo urë e rrallë për nga vlerat të shkojë drejt degradimit. Gati në të gjithë gjatësinë e saj kalldrëmi i urës është dëmtuar së tepërmi duke u shndërruar në një kalldrëm gjithë gropa. Probleme po shfaqin dhe bordurat e saj që ndahen nga kalldrëmi që janë shkatërruar krejtësisht. Por, ajo çka është dhe më shqetësuese është dëmtimi i parmakëve të saj. Në shumë pjesë parmakët janë dëmtuar, ndërkohë që në të gjithë shtrirjen e tyre janë harkuar dhe rrezikojnë të shemben. Me gjithë masat e mara nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës për mirëmbajtjen e saj gjendja vazhdon të vështirësohet. Prej kohësh kjo drejtori ka dhënë alarmin se mbi urën Goricës duhet të ndalet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, pasi ura e Goricës po rrënohet, por ende ky qarkullim nuk është ndalur. Ura e Goricës përveçse është një urë lidhëse midis lagjes Goricë dhe pjesës tjetër të qytetit është një nga objektet më me vlera të këtij qyteti dhe rrënimi i saj do ti humbiste Beratit një nga pasuritë arkitektonike. Në lidhje me urën monument kulture të kategorisë së parë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Lunik Çuedari shprehet se për ndërhyrjen në këtë urë kjo drejtori është duke pritur hartimin e projektit ndërhyrës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Pranë këtij instituti është dërguar nga ana e drejtorisë tonë gjithë situata aktuale e urës së Goricës, ku është prezantuar në detaje gjendja e urës dhe ndërhyrja që urgjentë kërkohet, por duke qenë se ura e Goricës është një monument kulture i kategorisë së parë dhe hynë në fondin e objekteve më me vlerë dhe hartimi i projektit për restaurimin e saj zhvillohet pranë institutit në Tiranë. Specialistë të këtij instituti janë duke hartuar projektin në fjalë nga ku dhe më pas do të veprohet për restaurimin e kësaj ure, thotë drejtori Çuedari. Aktualisht Instituti i Monumenteve të Kulturës mësohet se ka përfunduar hartimin e projektit për urën e Velabishtit, simotër e urës së Goricës, restaurimi i së cilës pritet të nis shumë shpejtë, ndërkohë që për atë të Goricës ende nuk ka përfunduar projekti.
Berati, në 37 vepra arti në Prishtinë
Janë 37 vepra të piktorëve të njohur shqiptarë, të cilat janë ekspozuar në një ekspozitë në Prishtinë. Piktorët e njohur Hasan Nallbani, Arben Golemi, Agron Polovina, Kastriot Dervishi dhe skulptori Nezir Ago, janë artistët nga qytetit i Beratit, të cilët me vepra arti kanë sjellë në Prishtinë një pjesë të bukurisë së qytetit 2400-vjeçar. Ekspozita është hapur të mërkurën në mbrëmje në Galerinë e Arteve të Kosovës. Pesë artistët sipas kritikut të artit Mustafa Ferizi, me qasje të ndryshme në qasje, shprehje dhe trajtimin e përmbajtjeve, kanë të përbashkët dëshirën për të komunikuar sa më qartë. Në këtë aspekt, përdorin figurën dhe figuracionin, zhanre të ndryshme artistike, portrete, nudo, e peizazhe, ka thënë Ferizi. Piktori Arben Golemi, pikturat e të cilit kishin zënë gjithë hapësirën e katit të parë të GAK-ut, veprat e tij dhe kolegëve të tij i ka quajtur punë modeste, të cilat flasin për qytetin dhe pikturën e tyre. Në krijimtarinë time ruaj strukturën arkitektonike të veprave të mia gjithmonë brenda vlerave, ka thënë Golemi. Ndërkaq piktori Hasan Nallbani, për të cilin ekspozita e së mërkurës ishte e dyta në Prishtinë, ka thënë se është kënaqësi e veçantë që rishtas të ekspozojë në një vend, i cili ndonëse ka emër tjetër është një me Shqipërinë. Drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, ka thënë se brenda mandatit të tij, kjo është ekspozita e parë si fryt i bashkëpunimit me artistë nga Shqipëria. Besoj se në të ardhmen këto bashkëpunime do të intensifikohen, ka thënë Spahija, teksa ka shpallur të hapur ekspozitën. Zëvendësministrja e Kulturës, Lirije Kajtazi, ka thënë se janë artistët ata të cilët nuk presin nga politika, por gjithnjë punojnë për ta forcuar më shumë këtë bashkëpunim mes dy shteteve. Ministritë e Kulturës do të jenë aty që ta mbështesin këtë bashkëpunim, ka thënë Kajtazi.
A. Shehu
Last Updated on E Premte, 09 Prill 2010 19:16