E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë ministri, kundër dhunës në familje

Dhuna në familje tanimë do të parandalohet dhe reduktohet përmes masave ligjore. Drejtuesit e Ministrisë së Punës, të Drejtësisë, të Brendshme, të Arsimit dhe të Shëndetësisë nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare". Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, si përfaqësues i institucionit përgjegjës koordinues u shpreh se "marrëveshja ka si qëllim angazhimin e ministrive dhe bashkërendimin e përpjekjeve të përbashkëta për zbatimin e ligjit, me qëllim jo thjesht identifikimin, por parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje, në të gjitha format që ajo shfaqet. Kjo marrëveshje i vë institucionet tona para përgjegjësisë institucionale, që parandalimi i dhunës të realizohet me anë të masave ligjore". Synimi i saj është që të garantojë mbrojtjen me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, viktima të dhunës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, grave, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.

Ligji "Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare" ka hyrë në fuqi më 1 qershor të vitit të kaluar dhe plotësimi me akte nënligjore, nga njëra anë, dhe institucionalizimi i bashkëveprimit të strukturave përgjegjëse, nga ana tjetër, do ta bëjnë më efektiv zbatimin e tij. Që me hyrjen në fuqi të ligjit, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në ambientet familjare është rritur, kjo si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit të viktimave, por edhe strukturave përkatëse për mbrojtjen e viktimave, falë edhe një fushate të gjerë dhe intensive informuese. Gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti, numri i rasteve të denoncuara për ushtrim dhune në mjediset familjare arrin në 612, ku dominojnë rastet e dhunës mes bashkëshortëve. Roli i çdo institucioni, tashmë, nuk është thjesht evidentues, por edhe hartues dhe zbatues masash konkrete që ndikojnë në parandalimin e dhunës në familje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›