Shqipëria, në World Travel Market në Londër
Më 10 nëntor Shqipëria mori pjesë në panairin World Travel Market në Londër, evenimenti më i madh në fushën e turizmit, me pjesëmarrje nga të gjitha shtetet e botës. Panairi u zhvillua më 10-13 nëntor 2008. Agjencia Kombëtare e Turizmit, në cilësinë e organizatorit, bashkëpunoi me sektorin privat dhe pushtetin vendor për një prezantim gjithëpërfshirës të Shqipërisë. Stenda e Shqipërisë, me sipërfaqe 120 m2 dhe me pjesëmarrjen e 11 subjekteve private mori pjesë në këtë panair të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi në këtë panair resurset natyrore, historike, kulturore dhe kulinarike të Shqipërisë. Ky panair ka si qëllim rritjen e turizmit dhe sensibilizimin e investitorëve të huaj në Shqipëri. Gjithashtu u zhvillua edhe një konferencë për shtyp, ku fjala u mbajt nga ambasadori Zef Mazi dhe drejtoresha e AKT-së, Nada Kallçiu, e cila u shoqërua me festën shqiptare pranë stendës me ushqim tradicional, ku të gjithë pjesëmarrësit u ftuan të merrnin pjesë për t‘u njohur me mrekullitë e vendit tonë.