E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohet fondi i ndihmës për familjet e dëmtuara

Pesë shoqëri në fushën e financave kanë krijuar një fond të ndihmës për familjet e dëmtuara të tragjedisë së Gërdecit. Ato janë: "UNIQA Group Austria", SIGAL dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, Banka Amerikane e Shqipërisë dhe "Kalo Associates". Këto shoqëri e nisën dje me krijimin e një fondi prej 55 mijë eurosh, duke i bërë thirrje të gjitha subjekteve brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të ndihmuar familjet të dëmtuara. Kontributi i tyre është i ndarë në shuma: 10 mijë euro nga SIGAL, 20 mijë euro nga "UNIQA Group Austria", 10 mijë euro nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, 10 mijë euro Banka Amerikane e Shqipërisë dhe 5 mijë "Kalo Associates". Drejtuesit e këtyre kompanive pohojnë se, ky është donacioni i parë për familjet e tragjedisë së ndodhur dy ditë më parë në Gërdec dhe fshatrat përreth. Dy ditë më parë, me nismën e kryetarit të Bordit Drejtues të "UNIQA Group Austria", Andrea Brandstetter, i cili ishte për një vizitë pune në Shqipëri, përjetoi dhe ndoqi me vëmendje të gjithë situatën e krijuar, i ofroi qeverisë shqiptare ndihmë në transportimin e të plagosurve në spitalet e Vjenës. Kjo shoqëri solli në Shqipëri medikamente spitalore, të cilat janë të mjaftueshme për 300 persona të plagosur. Kjo ndihmë në ilaçe, ishte e para për të dëmtuarit nga shpërthimet e municioneve në Gërdec. Ndërkohë, pranë Bankës Amerikane të Shqipërisë, janë hapur numrat e llogarive për të kontribuar për rindërtimin e fshatit: Në Lek: 1051634301, Euro 1051634302 dhe USD 1051634303.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›