Bizneset industriale, ndihma ushqimore për familjet
Thirrjes së kreut të qeverisë për të mbështetur familjet e dëmtuara nga tragjedia e fshatit Gërdec i janë përgjigjur edhe bizneset private të sektorit të industrisë. Duke shprehur ngushëllimet më të thella për viktimat dhe të dëmtuarit, "Konfindustria", ka paraqitur vullnetin e plotë të anëtarëve të saj për të lehtësuar sadopak dhimbjen njerëzore. Pas një mbledhjeje urgjente, të zhvilluar dje, anëtarët e "Konfindustrias", përfaqësues të industrive me peshë në vend, vendosën të paraqesin pranë institucioneve shtetërore të ngritura për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme, gatishmërinë për të ndihmuar maksimalisht, në mënyrë sa më të shpejtë, me mallra ushqimorë si miell, nënprodhime mielli, nënprodhime mishi, sallami, vezë, ujë, pije joalkoolike, etj. "Konfindustria është gjithashtu e gatshme të ndihmojë edhe financiarisht në projektet e ndërhyrjes, që po përgatiten nga strukturat shtetërore", u shpreh dje administratori i saj, Gjergj Buxhuku. Për të konkretizuar mbështetjen që jep, "Konfindustria" ka ftuar Shtabin e Emergjencës të ngritur për përballimin e gjendjes, të nisë kontaktet për të bashkëvepruar punën në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave drejt të dëmtuarve. Që prej dy ditësh, në vendin tonë, janë vënë në lëvizje institucione financiare, publike dhe private, për të siguruar një fond në mbështetje të familjeve të prekura nga tragjedia e fshatit Gërdec, i cili ndodhet shumë pranë Tiranës dhe Durrësit.